Prof. Dr. Anila Godo/Spitali dhe universiteti janë realiteti i vërtetë
- November 26, 2009
Dy ditë, pasi la kolltukun e ministres, veshi bluzën e bardhë me dëshirën e një njeriu që kthehet në jetën dhe realitetin e vërtetë. Sepse, 13 muaj janë shumë herë më pak se 30 vjet. Ndaj duhet besuar doktoreshë Anila, kur thotë se ndjesia për pacientët e mi të vegjël dhe studentët është më e fortë se ajo e ministres. Jo pak njerëz, e paragjykuan ngritjen e saj në majën e shëndetësisë shqiptare. Duke rënduar më shumë mbiemri se sa emri, ky post qeveritar u konsiderua si një dhuratë miqësie apo politike. Por nuk ishte krejt e vërteta kështu. Edhe emri kishte ecur gati-gati në krah të mbiemrit. Pasi mbaron Fakultetin e Mjekësisë me rezultate të larta, caktohet mjeke pediatre në Spitalin e Fëmijëve në Tiranë. E kush nuk do të krenohej me këtë eksperiencë të gjatë gati 30-vjeçare, në Qendrën Spitalore Universitare më të madhe të vendit?! Në këtë udhë të gjatë, bëhet Shefe e Shërbimit të Onkohematologjisë, Shefe e Departamentit të Pediatrisë, Zv. Dekane e Fakultetit të Mjekësisë, doktore shkencash, profesoreshë... Ja pse, më shumë se paragjykimet doktoreshë Anilës, i shkojnë për shtat vlerësimet.
Shumë interesante dhe e këndshme jeta e saj. Një fëmijëri që i shkon për shtat më shumë një djali çapkën se sa një vajze. Bëmat e saj, kapin periudhën kur ajo ende nuk kishte mbushur moshën për shkollë. Si të kishte qenë e zhuritur për këmbë dhe liri, gjithë dita i kalonte jashtë shtëpisë. Herë një majë peme, herë mbi një çati avllie dhe gjithmonë nëpër dasmat e lagjes. Mjafton të dëgjoje nga vinin tingujt e muzikës dhe atje ishte adresa e saj e sigurtë. Por më shqetësuese për familjarët, ishte kur humbiste nëpër rrugica. Sa i dilte në krye njërës niste tjetrën deri sa harronte pastaj se ku e kishte shtëpinë. Shpesh herë, për ta gjetur thirrej një djalë i hallës së saj që kishte biçikletë. Por jo pak herë edhe pse ai nuk linte rrugicë pa kontrolluar, kthehej në shtëpi pa Anilën. Doemos, në këto raste rruga më e shkurtër për prindërit e saj, do të ishte Rajoni i Policisë. Madje në një rast, shkrimtari i shquar i disa romaneve, u mblodh një grusht para policit të shërbimit:
- Ore, ka prindër kjo vajzë apo jo?
Por nuk i vinte dot dorë të bijës në kthim, sepse ishte po ajo që i kthente buzëqeshjen dhe respektin për policin:
- O ba! U kënaqa se ai polici më dha një pjatë të madhe me grosh e mish...
Por se mos ishte më e mbarë kur nuk e kalonte pragun e derës. Një ditë, i vuri syrin bodrumit që ishte poshtë shtëpisë së tyre. Nxorri prej andej të gjithë këpucët dhe sandalet e vjetra dhe i renditi në rrugë për t'i shitur. Deshte të fitonte ndonjë pesë lekësh për të blerë akulloren e ditës. Jo se i mungonte ai lek, por mbase duke bërë tregti vetë, ndjehej më e vlefshme. Pas disa minutash, gjyshja e vet e futi brenda duke ia prishur pazarin...
I vazhdoi shkathësia dhe lirshmëria edhe kur u ul në bangën e shkollës. Mësuesja e klasës së dytë, Ikbale Stërmasi kishte "frikë" të kalonte pranë Anilës kur shpjegonte. Sepse, gjatë një ore mësimi pa i bërë syri tërt, u çua, i zgjati duart duke iu lutur:
-O zysh! Afrohu të puth pak...
Dashuri ishte ky xhest i saj, por për mësuesen edhe pak thyerje disipline se prishte përqendrimin dhe rregullin në klasë. Ndaj, këtë shqetësim ia përcolli edhe të ëmës së Anilës, për ta këshilluar të bijën që të mos i përsërisë të tilla veprime.
Dhe me që akoma jemi në këtë moshë, kujtojmë se dy kanë qenë ëndrrat fëminore të saj. Të bëhej doktoreshë dhe balerinë. Shpesh herë, kur në axhendën e saj nuk ishin shëtitjet, dita i fillonte dhe i mbaronte duke vizituar kukullat e saj. "Çfarë të dhëmb ty shpirt i vogël? Koka? Hë, se të jep doktoreshë Anila aspirinë dhe do të shërohesh!; "Po ty? Barku? Ja, do të pish këtë shurupin dhe do të qetësohesh nga dhimbjet!" E kështu me radhë, deri sa i shëronte kukullat që ndryshe nga ato të shoqeve të saj, i kishin lindur të gjitha të sëmura... Imitonte në të folur dhe shërbyer doktorët, që vinin dhe vizitonin gjyshen e saj, Gjylson. Ato bluza të bardha i përjetonte si diçka magjike, ngaqë i rikthenin shëndetin dhe buzëqeshjen gjyshes së dashur. E, ndërsa ëndrrën e parë e realizoi, të dytën mundi ta shijojë vetëm nëpër dasma dhe festa të gëzueshme familjare. Shpesh herë është ajo që e hap dhe ndoshta e mbyll kërcimin... Të paktën, të kishte bërë pak durim më shumë, ditën e dasmës. Ngrihej dhe harronte të ulej. Aq sa dikush edhe kishte pëshpëritur: - Nuk kam parë nuse deri më sot që të kërcejë kaq shumë!
Duke u rritur krahas ëndrrave i lindën edhe pasionet. Një prej tyre ka qenë leximi. Veçanërisht në kohën e gjimnazit, kushedi sa agime i ka pritur me libër ndër duar...Dhe nuk kanë qenë libra dosido, por perla të letërsisë botërore. Flutura, punonjësja e Bibliotekës së Lidhjes së Shkrimtarëve ka qenë mikesha e saj më e dashur. Natyrisht që, këtë shans e fitoi nga babai i saj. Duke zotëruar shumë mirë italishten dhe frengjishten, arriti të lexojë që në atë kohë, "Procesi i Kafkës", veprat e Dostojevskit, Dino Buxatit e shumë të tjerë, që sipër mbanin etiketën "Të ndaluara rreptësisht!" Pas çdo fundi libri, ndjehej më e lumtur, më entuziaste, më e dëshiruar në të ardhmen e saj. Peng e ka që këtë pasuri të madhe shpirtërore dhe kulturore nuk e shijonin dot shokët dhe shoqet e saj. Ato libra merreshin dhe ktheheshin në fshehtësinë më të madhe... Hije frike që në vazhdim do të pasoheshin edhe nga hijet e poshtërimit dhe diskriminimit.
Mbaroi Fakultetin e Mjekësisë shkëlqyeshëm, e propozojnë pedagoge, por i mungonte kredibiliteti politik. E si mund të edukonte dhe mësonte brezin e ri, një njeri me biografi të keqe?! Vinin të drejta për specializime jashtë shtetit, Drejtoria e Spitalit shënonte emrin e Anilës, organizata e Partisë e fuste në rreth të kuq. Ngeli Eli Kallojeri, shefja e kuadrit të spitalit, duke trokitur nëpër zyra, me dosjen e Anilës në krah. Sqaronte dhe bëhej garant për këtë vajzë të përkushtuar dhe të edukuar. Deri sa përgjigjen përfundimtare ia dha Sekretari i Parë i rrethit, qartë sinqerisht dhe pastërtisht:
- Për të mirën e saj, mos u lodhni më për të!
Pas kësaj iu çlodhën këmbët, por iu rëndua shpirti asaj shefe kuadri, që ndryshonte nga imazhi i krijuar në atë kohë për punonjësit e këtij sektori.
Partia...se në kolektivin e Spitalit Pediatrik ku shërbente si mjeke, asnjëherë nuk e ndjeu veten të persekutuar, por përherë të mbështetur dhe të nxitur. Kujton Afërdita Gushon, drejtoreshën që përçonte rregullsi dhe disiplinë. Kjo zonjë e nderuar, të impononte autoritet që me përparësen e bardhë, të kopsitur dhe hekurosur me aq merak. Kujton, profesor Bekteshin, shkencëtarin e mirëfilltë dhe me zemër të madhe, i adhuruar nga të gjithë. Kujton Liri Shabën, shefen e Hematologjisë që transmetonte përkushtim, qetësi dhe mirësi të pafund... I është mirënjohëse shoqërisë, por kurrë nuk u ndje e plotë nga poshtërimet e partisë. Ndaj u bë pjesë e atij uragani të fuqishëm studentor, qysh ditën e parë të fillimit të lëvizjes demokratike. Gjithë ajo antipati dhe urrejtje për atë parti iu kthye në dashuri dhe mbështetje për Partinë Demokratike. Filloi të interesohej ku shënoheshin emrat për t'u anëtarësuar në këtë parti, që po sillte edhe në Shqipëri lirinë. Por... atë pasdite në shtëpinë e saj bujtën dy mysafirë të nderuar, Petro Marko dhe Vangjush Gambeta. Si asnjëherë tjetër, qëndruan gjatë! Pasi përcolli miqtë, Sabri Godua, me atë qetësinë e tij karakteristike, hyri në guzhinë dhe u tha se do të krijoj Partinë e quajtur Republikane. Madje, pa e ndërprerë fjalinë vazhdoi:- Ju vajza bëni si të doni! Që atë ditë numri i anëtarëve të kësaj partie të re shkoi në pesë. Nuk kishin pse të mendoheshin gjatë motrat Godo. Fillimisht, Anila ka qenë shumë aktive dhe nuk ka munguar në asnjë veprimtari politike. Më pas, radhët e partisë u shtuan. Por, jo pak u shtuan edhe obligimet e saj, në karrierën profesionale. Duke qenë se ishte edhe bija e kryetarit të Partisë, megjithë kontributet e saj të vlerësueshme nuk u bë më shumë se anëtare e Këshillit Kombëtar. Me sa duket Partia nuk ia harroi këtë borxh... Vjen momenti, kur kryetari i kësaj partie, dorëhiqet nga posti i ministrit të Mbrojtjes. Partisë Republikane i jepet Ministria e Shëndetësisë, post i cili i propozohet Anila Godos. U desh gati një muaj kohë diskutimesh familjare që të jepej ajo "PO!". I ati e vlerësonte këtë honor që i bëhej, por i kujtonte se edhe vështirësitë do të ishin të shumta. Nuk ishte i lëkundur nga aftësitë e saj, por nga lodhja që do t'i shkaktonte ajo detyrë e rëndësishme. E kush më shumë se ai, do ia tregonte nderet dhe qederet e marjes me politikë. E ëma, në mënyrë të prerë ishte kundër. Më entuziastja, më frymëzuesja, e motra, Erka. Bashkëshorti e quajti një vlerësim të veçantë që i bëhej, ndaj duhej ta pranonte. Paçka, se për të, kjo do të thoshte që ditët në vazhdim, ai të porosiste shpesh herë për të ngrënë te restorant "Era" apo të rrinte në shtëpi vetëm deri natën vonë. Vetë, ndjente keqardhje për shkëputjen nga mjekja dhe pedagogia, por edhe sfidën e madhe që nuk kishte pse t'i thoshte "Jo!. Nisi kështu, përkushtimi dhe përgjegjësia e lartë për detyrën e re. Por se mos përjetonte vetëm ajo emocione dhe shqetësime. Nëna e saj, nuk linte emision lajmesh pa ndjekur, mundësisht në të gjitha kanalet televizive. Shikonte se mos kush kritikonte shëndetësinë. Rrallë qëllonte të flitej mirë për këtë fushë, por edhe ajo asnjëherë nuk i pranonte vërejtjet që bënin qytetarët. Jo se nuk qëndronin, por se i mërzitej bija e saj. Me të atin, gati çdo natë kishte interpelancë ku diskutoheshin punët e ditës dhe ato që do të realizonte të nesërmen. Por më me ankth përjetonte konferencat e shtypit apo bisedat e ndryshme televizive. Merakosej se si do të vlerësohej nga i ati. Në të shumtën e rasteve, përshtypjet e tija ishin inkurajuese. "Mirë, fare mirë!"; "Sot, notën dhjetë!"; "Duke të dëgjuar në intervistën e sotme, si qytetar i thjeshtë, i thashë vetes se kjo është ministrja e Shëndetësisë që unë dua"; "Bëj kujdes në prononcimet politike se nuk je politikane"... Ndërsa një herë, vetëm një herë: "Sot, kishe stofin e lideres!".
Nuk na ngeli pa përgjigje edhe pyetja për të ditur se si kanë qenë marrëdhëniet e saj me Kryeminstrin. Vite më parë, doktor Berisha ka qenë pedagogu i saj, i cili adhurohej shumë nga të gjithë studentët për leksionet që ai jepte. Para se të bëhej pjesë e kabinetit të tij, komunikimi i tij i ngjante shpesh herë i ashpër. Ndaj dhe e pushtoi një farë ndrojtje se vallë a do të ishte e lirë në vendimet dhe veprimet e saja. Por, krejt ndryshe i rezultoi bashkëpunimi me të. Ai e respektonte në zgjedhjet e saj, duke e dëgjuar me qetësi. Mungesa e përvojës e detyronte shpesh herë që të këshillohej dhe të kërkonte ndihmë prej tij. Por kujton edhe një përplasje që pati me të. Diskutohej në mbledhjen e qeverisë, mbi shoferët e drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë. Kryeministri këmbëngulte që nuk ka pse të kenë makina drejtorët e drejtorive. Edhe më këmbëngulëse ministrja:
- Jo! Unë mendoj se duhet të kenë, pasi kemi nisur reformën spitalore dhe u duhet që të lëvizin shumë.
Dhe kur ai ndërhyri përsëri, duke thënë që të lëvizin me mjete publike, ministrja shtoi:
-Profesor! Po të doni hiqni edhe makinën time. Por atyre u duhet...
Edhe pse e kuptoi që ndërhyrja e saj ishte e pasjellshme, ai qetësisht i tha:
- Nuk bën mirë Anila që flet kështu!
Në çast e ndjeu veten fajtore dhe u bë me turp për përgjigjen e saj, aq sa nuk dinte se si t'i kërkonte të falur....
Gjithsesi ndjehet krenare për ata 13 muaj që ishte ministre.
- Dola nga ajo zyrë me kokën lart dhe më e nderuar se kur hyra..., thotë doktoreshë Anila. Dhe fillon të përmendë disa nga arritjet e kohës së saj. Thotë se gjeti një shërbim jo me vrimë, por me gropë. Furnizimi me ilaçe i spitaleve ishte gati në situatë emergjence.
"- Kur fillove ti ministre, na mungonte 90 përqind e ilaçeve, ndërsa kur e le ti atë detyrë, vetëm 10 përqind", i ka pohuar një drejtor spitali. Por, ajo që dëshiron të kujtojë është reforma e madhe spitalore me një mënyrë të re financimi dhe menaxhimi. Me vlerë ishte edhe realizimi në masën 60 përqind e informatizimit të spitaleve rajonale dhe atyre të Tiranës. Hapa të rëndësishëm u kryen edhe në reformimin e sistemit farmaceutik. Na kujton të mos harrojmë edhe miratimin në Parlament të ligjeve shëndetësore që gjer në atë kohë kishin mbetur pezull...
Nëse do t'i propozohej që të vazhdonte edhe katër vjet ministre Shëndetësie do e pranonte me shumë kënaqësi. Madje, ndjen edhe keqardhje që nuk pati mundësi për të vazhduar dhe realizuar punët dhe projektet e saj. Është normale, thotë ajo, që punët i çon më përpara dhe i përfundon më cilësisht, ai që dhe i ka nisur.
Prof. Dr. Anila GODO
1956. Lindur në Tiranë
DETYRAT
1980-1989. Mjeke pediatre e përgjitheshme
1989 e në vazhdim, mjeke në Klinikën e Onkohematollogjisë
1990 e vazhdim, Pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë
FUNKSIONET
Shkurt 2003-dhjetor 2007:
Zv. Dekane e Fakultetit të Mjekësisë
1997-2003:
Shefe e Departamentit të Pediatrisë
1995 e në vazhdim.
Shefe e Shërbimit të Onkohematollogjisë
2008-2009.
Ministre e Shëndetësisë
FUNKSIONE TE VEÇANTA
2002-2006:
Presidente e Shoqatës Pediatrike Shqiptare
2007 e vazhdim, për një mandat 7-vjeçar:
Anëtare e Këshillit të Lartë të Arsimit e të Shkencës
GRADA SHKENCORE
1996. "Doktor i Shkencave"
2001. "Profesor i Asociuar"
2009. "Profesor"
FORMIMI PASUNIVERSITAR
1980-1983. Pediatri të Përgjithshme, Fakulteti i Mjekësisë, Tiranë
1987-1989. Hematollogji pediatrike, Fakulteti i Mjekësisë, Tiranë
1991. Në Romë, spitali "Bambino Gesu"
1992. Në Itali, Programi TEMPUS, për mësimdhënie, në Universitetin "La Sapienza"
1994-1995. Specializim 9-mujor për Onkohematollogji Pediatrike, në Universitetin Katholik të Leuvenit, Belgjikë.
1997. Menaxhim spitalor, organizuar nga AUPHA, Tiranë.
1998. Programi TEMPUS ALBA, për mësimdhënien, Universiteti "Lariboisiere" Paris Francë.
1999. Hospital "S. Jude", Memphis, USA
TITULLAR LENDE
Prej vitit 1990, e Hematollogjisë Pediatrike
Prej vitit 1995, e Tonkologjisë Pediatrike
HARTUES PROGRAMESH
Kam hartuar programin universitar dhe pasuniversitar të lëndës së Pediatrisë në përgjithësi dhe të asaj Onkohematollogjike në veçanti.
GJUHE TE HUAJA
Frengjisht, italisht, anglisht
AKTIVITETI SHKENCOR
Referime
48 pjesëmarrje me referime në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare
Publikime
-Monografi: Probleme të epidemiologjisë dhe trajtimit të PTI në moshën fëminore, Tiranë, 1996
-Pediatria, Tekst mësimor për studentët e Stomatologjisë
- 15 artikuj të botuar në revistat e vendit dhe 6 në revista të huaja