Marsida Koni, ambasadore e kulturës shqiptare në botë
11/30/2018, 11:38 am
Philip R Buttall, pianist, kompozitor, profesor e studiues i shquar anglez vlerëson muzikën pianistike shqiptare të njohur nga “Albanian Piano Music” për faqen internet Musicweb International. “Ky album i ri, falë përzgjedhjes së larmishme të suitave popullore, valleve dhe miniaturave të tjera, ofron një panoramë të vyer kronologjike” shprehet ai mbi diskun. Po aq i lartë edhe vlerësimi për pianisten Marsida Koni që sipas tij “është interpretuesi ideal për këtë muzikë; njësoj e zonja si në pjesët nostalgjike ashtu edhe në ato romantike, duke mos thjeshtëzuar kurrë asnjërën në një sheqerosje sentimentale” Romë, 30 nëntor 2018 – Prej disa muajve në tregun ndërkombëtar të muzikës është hedhur edhe albumi “Albanian Piano Music” i Marsida Konit që dashurinë për Shqipërinë e shpreh përmes asaj që di të bëjë më mirë, duke përcjellë muzikën shqiptare në mbarë botën. I botuar nga shtëpia prestigjioze diskografike holandeze Brilliant Classics, disku i saj po bën për vete shumë profesionistë e amatorë, dashamirës të muzikës klasike. Ndër vlerësimet që disku ka marrë, është veçanërisht i lartë ai i Philip R Buttall, pianist, profesor, kompozitor i shquar anglez, i botuar së fund nga faqja internet Musicweb International nëpër të cilën kalon promovimi i muzikës klasike jokomerciale ndërkombëtare. Është kënaqësi e veçantë të lexosh kritikën e tij pozitive përmes të cilës kuptohet se Marsida Koni ia ka arritur më së miri qëllimit të saj, t’i përcjellë një publiku sa më të gjerë muzikën pianistike shqiptare me të cilën ka nisur karrierën e saj. Ndërsa e nis duke shpjeguar se Shqipëria është “zbuluar” vonë për shkak të mbylljes gjatë regjimit komunist, Buttall vazhdon duke u shprehur se disku i Konit është një kontribut i jashtëzakonshëm për njohjen më të mirë të vendit, të arteve të tij e në veçanti të muzikës. Sepse “ky album i ri ofron jo vetëm njohuri të mëtejshme por është gjithashtu një përzierje shumë e këndshme dhe tërheqëse e zhanreve të ndryshme e për më tepër, me përzgjedhjen e larmishme të suitave popullore, valleve dhe miniaturave të tjera, disku ofron një panoramë të vyer kronologjike”, shkruan ai duke vazhduar më pas me shpjegimin e detajuar të muzikës të secilit prej autorëve që përmban disku, ndikimet e ndryshme të folklorit apo ndërkombëtare që ata shprehin në kompozimet e tyre. Philip R Buttall shpjegon përmbajtjen e diskut – “Në përzgjedhjen së veprave të këtij albumi, pianistja shqiptare Marsida Koni e cila tani ka një karrierë muzikore në Itali, ka preferuar të përfshijë ato pjesë që shënuan udhëtimin e saj muzikor nga fëmijëria” – dhe shpreh vlerësim të lartë edhe për pianisten qoftë për mjeshtërië e saj në ekzekutimin e pjesëve qoftë për informacionet që ofron mbi kompozitorët. “Marsida Koni duket se është interpretuesi ideal për këtë muzikë. Është njësoj e zonja si në pjesët nostalgjike ashtu edhe në ato romantike, duke mos thjeshtëzuar kurrë asnjërën në një sheqerosje sentimentale. Ajo zotëron një teknikë të aftë të përcjellë ato pasazhe të virtuozitetit Lisztian shumë lehtësisht. – shkruan – Regjistrimi i pianos është i mirë dhe libri i albumit është mëse i plotë me biografitë e kompozitorëve dhe informacion të shkurtër rreth prodhimtarisë së tyre muzikore kur është e nevojshme”. E mbyll duke lënë të kuptohet që vepra e Marsida Konit është e çmuar pasi ofron një dritare mbi kulturën e artin e Shqipërisë që të shtyn të mësosh më shumë rreth saj: “Dija shumë pak rreth muzikës pianistike shqiptare derisa dëgjova këtë CD të bukur dhe informuese e cila është gjithashtu po aq e këndshme, pasi ashtu si edhe vete vendi, ajo po del nga ajo vorbull kohe, në të cilën melodi e pastër konsiderohet ende e pranueshme. Ky disk pa dyshim më nxiti të mësoj më shumë për vendin, njerëzit, gjuhën dhe, mbi të gjitha, muzikën e tij”. Në vijim ju ofrojmë kritikën e plotë të Philip R Buttall, të përkthyer nga Lorena Kasa: Shqipëria është një vend i vogël malor në Gadishullin e Ballkanit me një vijë bregdetare të gjatë të shtrirë mbi Adriatik dhe Jon; informacionet rreth saj filluan të bëhen të njohura për pjesën tjetër të botës relativisht vonë, vetëm pasi komunizmi humbi kontrollin mbytës ne vitin 1990. Sot, pothuajse 30 vjet më vonë, ajo shfaqet rregullisht në broshurat e udhëtimit, duke u përpjekur të vendoset si një destinacion pushimi në të njëjtin nivel me vendet fqinje në zhvillim, pjesë të ish Jugosllavisë. Edhe tani, kur mëse 80.000 shtetas britanike, për shembull, vizitojne çdo vit këtë vend, ende shume pak dihet rreth arteve të saj, në veçanti, rreth muzikës së saj. Ndërkohë që disa CD që përfshijnë muzikë për piano të disa kompozitorëve dhe disa këngë janë publikuar që në 2006, ky album i ri [Albanian piano music] ofron jo vetëm njohuri të mëtejshme por është gjithashtu një përzierje shumë e këndshme dhe tërheqëse e zhanreve të ndryshme. Për më tepër, me përzgjedhjen e larmishme të suitave popullore, valleve dhe miniaturave të tjera, disku ofron një panoramë të vyer kronologjike. Në të vërtetë, në CD sillen dy breza kompozitorësh shqiptare: Simon Gjoni, Cesk Zadeja dhe Tonin Harapi i përkasin brezit të parë të kompozitorëve profesionistë të vendit, të gjithë të lindur në vitet ’20 të shekullit XX. Disa kishin studiuar në Moskë por u kthyen në kryeqytet dhe qendrën artistike të vendit, Tiranë, për të udhëhequr jetën kulturore ndërkohë që Shqipëria vuante nga izolimi ndërkombëtar në vitet ‘50-‘60. Por me brezin e dytë të kompozitorëve si Pëllumb Vorpsi, Thomas Simaku, Vasil Tole dhe të tjerë, muzika shqiptare mori shtysë edhe pse kishte prirje të mbetej me drejtim tradicional, me nje venë klasike-romantike në shpirt si dhe thellësisht e lidhur me muzikën popullore të vendit. Duke pasur parasysh izolimin total të Shqipërisë, muzika e saj – dhe artet në përgjithësi – nuk kanë mbajtur ritmin e zhvillimeve bashkëkohore të vendeve të tjera perëndimore. Në hartimin e përzgjedhjes së veprave të këtij albumi, pianistja shqiptare Marsida Koni e cila tani ka një karrierë muzikore në Itali, ka zgjedhur të përfshijë ato pjesë që shënuan udhëtimin e saj muzikor nga fëmijëria. Pjesa e hapjes – “Duaje emrin tend” e Thomas Simakut – është një shembull i përsosur i romanticizmit tërheqës, melankolik që karakterizon një pjesë të muzikës në album. Shqipëria dhe Italia natyrshëm ndajnë kulturën e Adriatikut dhe kjo është e dukshme në këtë pjesë të parë si edhe në titullin e dyfishtë të shumë prej pjesëve të tjera në CD. Në të kundërt, tema që Pëllumb Vorpsi përdor si bazë për një sërë variacionesh është e frymëzuar nga folklori, siç lë të nënkuptojë edhe vetë titulli. Variacionet pasuese janë lisztiane në konceptim, duke kontrastuar bravurën me solemnitetin, krijimtarinë harmonike me elemente modale, duke paraprirë rreth nëntë minuta muzikë pianistike tërësisht të angazhuar. Shtatë pjesët nga Kozma Lara që pasojnë, janë miniatura të ndryshme që kujtojnë shpesh krijimet e frymëzuara nga folklori të kompozitorit norvegjez Grieg në “Lyric Pieces” e tij. Secila prej tyre ka hijeshi dhe karakter e veçantë dhe të gjitha ridëgjohen me kënaqësi. “Tokata” që vijon – e para nga katër pjesët e Feim Ibrahimit, është e një botë tjetër, e formuar në një gjuhë muzikore krejt të ndryshme. Pavarësisht nga kompleksiteti ritmik dhe harmonik i pritshëm, ajo ruan një frymë të fortë lirike, përveç disa momenteve zhangëlluese, vepra përbën një pjesë koncertale të mirëfilltë në këtë zhanër. “Valle e vogël” ndërthur elemente të valles popullore me elemente lirike, ndërsa “Nina nana” përdor në të vërtetë këto të fundit. Dy pjesët e ofruara nga Cesk Zadeja janë të dyja shumë më hamonike dhe ndërthurin një element popullor dhe duket se i përket më shumë muzikës së Turqisë dhe Lindjes së Mesme me pianizëm të efektshëm dhe virtuoz. “Tokata” përveç kësaj bën përdorim të mirë të përsëritjes së notave dhe riviziton botën e Lisztit. Kontributi i veëm nga Simon Gjoni, “Lule bore” (Hortensia), është pothuajse si një tango e shkurtër, delikate, e cila stilistikisht duket më shumë e frymëzuar nga bima sesa nga gojëtarja e shquar romake që i jep emrin. Edhe “Rondo” e Vasil Toles shkon përpara në mënyrë harmonike dhe me rreth 10 minutat e saj është pjesa më e gjatë e albumit. Në njëfarë mënyre disku vuan nga ky fakt, pasi struktura duket e shthurur e gjarpëruese, por siç mësojmë nga teksti i informacionit të ofruar në CD, kompozitori është “i njohur për mbështetjen e konceptit të rikonstruktimit muzikor”… kështu që ndoshta është thjesht çështje se “kur një Rondo nuk është Rondo?”. Pasojnë dy pjesë të shkurtra nga Limoz Dizdari, duke shënuar rikthim në një stil harmonik më të thjeshtë, e para me karakter melankolik, e dyta, e përshkruar si Valle, padyshim është më e gjallë, por përveç disa ritmeve interesante, në të vërtetë nuk mund të përshkruhet si një vallëzim, edhe se është gjithsesi e këndshme. Tonin Tarapi është lënë për në fund të albumit. I konsideruar “Artist i popullit” i brezit të parë të kompozitorëve shqiptarë, kompozimet e tij përfshijnë të gjitha zhanret, duke mbetur jashtëzakonisht shprehëse e duke respektuar me këmbëngulje strukturen tradicionale të formave të ndryshme me të cilat ai zgjodhi të punonte. Secila nga shtatë pjesët e ndryshme e dëshmon këtë; të gjitha zgjasin më pak se 2 minuta, me pjesën e fundit, “Këngë”, që plotëson CD-në në mënyrën melankolike të ndeshur në fillim. Marsida Koni duket se është interpretuesi ideal për këtë muzikë. Është njësoj e zonja si në pjesët nostalgjike ashtu edhe në ato romantike, duke mos thjeshtëzuar kurrë asnjërën në një sheqerosje sentimentale. Ajo zotëron një teknikë të aftë të përcjellë ato pasazhe të virtuozitetit Lisztian shumë lehtësisht. Regjistrimi i pianos është i mirë dhe libri i albumit është mëse i plotë me biografitë e kompozitorëve dhe informacion të shkurtër rreth prodhimtarisë së tyre muzikore kur është e nevojshme. Nuk thuhet pothuajse asgjë për asnjërën nga pjesët që përmban disku por muzika flet vetë. Dija shumë pak rreth muzikës pianistike shqiptare derisa dëgjova këtë CD të bukur dhe informuese e cila është gjithashtu po aq e këndshme, pasi ashtu si edhe vete vendi, ajo po del nga ajo vorbull kohe, në të cilën melodi e pastër konsiderohet ende e pranueshme. Ky disk pa dyshim më nxiti të mësoj më shumë për vendin, njerëzit, gjuhën dhe, mbi të gjitha, muzikën e tij. Kritika në original e Philip R Buttall: Albanian Piano Music Lexo edhe: Marsida Koni përcjell muzikën pianistike shqiptare në mbarë botën