top of page
Writer's pictureAlb ww

Fabiola Harizaj, diplomuar për Mjekësi në Tiranë, më pas në Parma, punon në spital ne Cremona Itali




Fabiola Harizaj, në vijën e parë të frontit kundër koronavirusit

05/29/2020, 10:56 am


“Nga 21 shkurti, dita e fundit “normale”, çdo ditë, pa pushim, kemi qenë më shumë në spital se në shtëpi. Për t’i bërë ballë diçkaje me të cilën nuk ishim ndeshur kurrë më parë”. Janë fjalët e Fabiola Harizajt, mjeke anesteziste-reanimatore, përgjegjëse e sallave të operacioneve në spitalin e Cremonas, në një bisedë në videotelefonatë të ndërprerë shpesh nga përlotja. Për vetë specializimin që ka, për faktin që ka punuar edhe në shërbimin e urgjencave 118, doktoreshë Harizaj të tregon se me vdekjen është ndeshur jo rrallë, e “megjithatë asgjë nuk i afrohet situatës së përjetuar gjatë këtyre muajve të fundit kur moria e të sëmurëve në gjendje të rëndë shtohej nga ora në orë”. E diplomuar për Mjekësi në Tiranë e më pas në Parma, ku edhe u specializua, u transferua në Cremona në vitin 2005 pikërisht sepse nisi punë në spitalin e qytetit. E në Cremona veç karrierës profesionale, ka ngritur edhe familjen e po rrit dy fëmijët. Si u gjendët në vijën e parë të frontit të luftës ndaj koronavirusit? Spitali ynë është pikë referimi për neurokirurgjinë për gjithë zonën përqark e që në fillim të emergjencës filluan të na mbërrijnë të sëmurë me covid-19. Në spitalin tonë reparti infektiv është i distancuar, e fillimisht mendon se të infektuarit mund t’i mbash larg nga të shtruarit e tjerë, por ai u mbush menjëherë e na u desh që pak nga pak të ndryshonim repartet e tjera në Covid. Nga mesi i marsit, kur hyra në spital për turnin e natës nga një derë dytësore që të çon në poliambulator, e çuditur vërejta se kishte drita. Më tronditi fakti që ishte kthyer gjatë ditës në një repart Covid. Kishte shtretër portativë edhe në korridorin që të çonte te ashensori. Nuk kishim më kapacitete… Nuk mund ta merrni me mend me ç’shpejtësi përkeqësohej situata: lije punën në orën 8 të darkës e kur ktheheshe të nesërmen në mëngjes gjeje një situatë akoma më të rëndë. Sa vende kishte spitali juaj në repartin e Kujdesit Intensiv? Reanimacioni ynë normalisht ka dhjetë vende, por shumë shpejt na u desh të kthenim një nga një edhe sallat e operacioneve në reparte reanimacioni e arritëm të kemi 50 shtretër të kujdesit intensiv. Na erdhi në ndihmë edhe një shoqatë amerikane që vuri edhe ajo disa shtretër të tjerë shtesë. Por na mbërrinin gjithnjë aq shumë pacientë sa kapacitetet që arrinim të krijonim ne nuk mjaftonin, ndaj na duhej që të transferonim pacientë edhe në reparte reanimacioni të spitaleve në qytete të tjera të Lombardisë. E personeli ishte i mjaftueshëm? Veç personelit të zakonshëm, në spital erdhën edhe specializantë dhe u kthyen nga jashtë disa kolegë për të na ardhur në ndihmë. E megjithatë na duhej të punonim nga 70 orë më shumë në muaj. Nga çasti që vishnim tutat, maskën, dorezat në mëngjes e i hiqnim në darkë, apo i vishnim në darkë e i hiqnim në mëngjes, sipas turnit, ishim në këmbë, nuk pushoje dot asnjë sekondë. Kur dilja nga shtëpia, fëmijët më përshëndetnin e më porosisnin “Mami mos u sëmur, bëj kujdes”. Në ato pak minuta që më duheshin për të arritur në spital çfarë nuk mendoja, gjithë merak e frikë. Me të arritur ama, vishesha me të gjitha e, nuk di se si, gjeja forcën e shkoja përpara. Keni kaluar ditë të lodhshme… Ishte një lodhje fizike, mendore, psikologjike dhe shpirtërore. Fizike sepse rrinim në këmbë me orë e orë, mendore sepse luftonim me diçka të re që përpiqeshim të njihnim. Ishte psikologjike sepse jo rrallë të vinte ndërmend që mund të sëmureshe, mund të çoje sëmundjen në shtëpi te fëmijët. Por ishte edhe një mundim i paparë shpirtëror. Të gjitha barrierat ranë, ti mjek vije veten në vend të pacientit e vuaje me të. Ata ishin vetëm e të pafuqishëm e të dukej sikur nuk arrije t’i ndihmoje dot. Çastet më të vështira? Çdo çast ishte i vështirë, i lodhshëm. Nga ana shpirtërore, emocionale, ora 2 e pasdites, për shembull, ishte shumë e vështirë. Ishte çasti kur u telefononim familjarëve të të shtruarve për t’u dhënë lajme për 24 orët e fundit. E kuptoj që për familjarët duhet të ishte shumë shumë e vështirë sepse çdo ditë ishim mjekë të ndryshëm që u telefononim, u jepnim lajme edhe shumë të ndryshme nga dita në ditë, apo edhe lajmin fatal, e nuk arrinim t’i ngushëllonim. Nuk kam për ta harruar kurrë: edhe pse ti nuk arrije t’u shpëtoje të afërmin, ata të falënderonin për punën, për kujdesin. Misioni ynë është të kurojmë, të gjejmë rrugën për të shëruar pacientin e kur kjo ndodh, është kënaqësi e madhe, merr forcë për të shkuar përpara edhe në një situatë të vështirë. Por nga fillimi i kësaj epidemie nuk po arrinim t’ia dilnim në misionin tonë. Është nga 2003 që punoj, por një situatë të tillë nuk e kisha përjetuar kurrë. Këto të muajve të fundit ishin netë pa gjumë. Sëmundja nuk prekte vetëm mushkëritë por gjithë trupin nga koka te këmbët dhe gjendja shëndetësore e pacientëve ishte shumë e paqëndrueshme: sapo të dukej sikur i kishim stabilizuar disi, edhe gjëja më e vogël – kthimi nga një krah në tjetrin, apo pastrimi i trupit – mund të përmbyste gjithçka. Ndryshe nga herë të tjera, këta muajt e fundit, ne mjekët luftonim jo thjesht për të shpëtuar kë kishim përpara, por e bënim për të shpëtuar në njëfarë mënyre edhe veten tonë, e bënim për të gjithë, për të ndezur pak shpresën. Nuk do të harrojmë pacientin tonë të parë që nisi të përmirësohej. Ishim të gjithë të lumtur, donim t’i hidheshim në qafë. Kishit të njohur mes pacientëve? Mes shumë e shumë pacientëve që erdhën me Covid-19, ishte e pamundur të mos njihje ndonjë apo të mos dëgjoje që ishte kunati/miku/e ëma e dikujt që njihje mirë. Njihja shumë mirë kolegun tonë që nuk ia doli dhe e vuajtëm të gjithë shumë ndarjen me të. Na erdhën edhe dy gra shqiptare që nuk ia dolën. Në përgjithësi, kur kam pacientë shqiptarë u flas menjëherë shqip e krijoj një marrëdhënie të veçantë me ta. Nuk di si ta shpjegoj, jap maksimumin tim me të gjithë por me shqiptarët është ndryshe… Nuk do të harroj njërën nga zonjat shqiptare për të cilën kujdesesha unë, dukej sikur po përmirësohej por papritur u përkeqësua e nuk shpëtoi. E përjetova shumë keq. Ja, fëmijëve të saj nuk arrita t’ua jepja lajmin në gjuhën shqipe. Më dukej sikur te italishtja gjeja atë “armaturë” të domosdoshme për të qenë gjakftohtë e për të mos shpërthyer në lot bashkë me ta. U kthyet në heronjtë e komunitetit. Më duhet të falënderoj të gjithë për solidaritetin, mes mjekëve e infermierëve brenda spitalit, e për ngrohtësinë me të cilën qyteti na përqafoi. Shumë shpesh arrinin në Reanimacion e në Ndihmën e Shpejtë piatanca, pica, çokollata e torta nga restorante e pastiçeri të zonës; në supermerkatë apo në rrugë, të njohur e të panjohur të përshëndetnin e të thonin një fjalë të ngrohtë. Gjatë kësaj epidemie u ndiem kaq pranë njëri tjetrit, hodhëm poshtë të gjitha barrierat ndarëse. Por ne nuk donim të ishim heronj, donim vetëm të mos na arrinin më pacientë. Ç’menduat për solidaritetin e mjekëve që erdhën për një muaj nga Shqipëria? U ndieva krenare. Mes tyre ishte edhe një kolegu im nga Tirana me të cilin u lidha shpesh në telefon gjatë muajit që punuan në Brescia. Edhe pse nuk ishin të gjithë të specializimeve për të cilat kishim më shumë nevojë në ato çaste, pavarësisht arsyeve që i shtynë të vinin e megjithë përdorimin politik që mund t’i jetë bërë ardhjes së tyre, duhet vetëm t’i falënderojmë me mirënjohje të gjithë ata mjekë e infermierë. Sepse lanë familjen, shtëpinë e erdhën në vendin e vdekjes për të cilin fliste mbarë bota. Nuk ishte diçka që mund të bëjë kushdo. *** Kalon ora duke folur me doktoreshën, e ëmbël në fjalë e racionale në gjykim. “Kjo epidemi vuri në dukje edhe sa i nevojshëm është solidariteti e sa të pakuptimta e të dëmshme janë barrierat. – thotë mes të tjerash – Këto të fundit ranë të gjitha: ato mes mjekëve e pacientëve, mjekëve e infermierëve, jugut e veriut, vendasve e të huajve. Nuk kishim kohë e mendje për këto. Por kam frikë se mund të mos vazhdojë gjatë kjo frymë, ndaj edhe i trembem një vale të dytë të epidemisë që mund të na gjejë më cinikë. Uroj ta kem gabim”. Kur e pyet në fund nëse mendon se ia hodhëm apo jo, ngre e të tregon maskën mbrojtëse që ka mbi tavolinën e punës e thotë: “Po kthehemi në normalitet por nuk do të jetë normaliteti që njihnim deri tani. Shumë do të varet edhe nga sjellja e cilitdo prej nesh. Duhet të jemi të gjithë më të kujdesshëm në përditshmërinë tonë, për veten e për të tjerët”. Bisedoi Keti Biçoku

Success Story  write   cooperation

Build web apl free for proffes women

Write Publicly success story

Consulting course techn  free

National History Museum

Sheshi Skënderbej 7, Tirana 1001

  • Facebook
  • Twitter
  • YouTube
  • Pinterest
  • Tumblr Social Icon
  • Instagram

Follow

Adress

Call 

Alb Woman World eshte nje website  me karakter informues, inspirues,  kulturor, promovues.

Pasqyrohen vlerat e gruas shqiptare ne te gjitha profesionet dhe ne te gjitha epokat. historike.

 

Alb-woman-world  eshte nje liber i hapur online vlerash, nje kala virtuale,  punuar me perkushtim qysh ne 202 dhe me pas me legalizimin, krijimit te Org AWW  ne  vitin 2015,  dhe pasuruar e update ne vazhdim me investimin personal, shpirteror, intelektual per nje kauz te rendesishme.

 

''Fuqizimin e rolit te gruas  dhe krijimin e nje Sitemi Vlerash''

 Ky vizion dhe fryme inspiruese  eshte realizuar suksesshem ne mbare boten. Eshte nje vlere  qe gjeneron vlera,

 

 Gruaja Shqiptare ne Bote  - Albanian Women World

 

Alb Women World eshte nje website  me karakter,, inspirues,  kulturor, promovues.

Pasqyrohen vlerat e gruas shqiptare ne te gjitha profesionet dhe ne te gjitha epokat. historike.

Alb-women-world  eshte nje liber i hapur online vlerash, nje kala virtuale,  punuar me perkushtim, dhe me pas me legalizimin, krijimit te Org AWW  ne  vitin 2015,  dhe pasuruar e update ne vazhdim me investimin personal, shpirteror, intelektual per nje kauz te rendesishme.

 

''Fuqizimin e rolit te gruas  dhe krijimin e nje Sitemi Vlerash''

 Ky vizion dhe fryme inspiruese  eshte realizuar suksesshem ne mbare boten. Eshte nje vizion dhe mission   qe gjeneron vlera,

 

bottom of page