Kontesha Geraldine studioi në një shkollë angleze në Meton të Francës. Më pas, gjyshërit e saj e dërguan atë në kolegjin “Sacred Heart” në Presbaum, pranë Vjenës, ku u diplomua për Shkenca Sociale dhe Financë.
Kontesha Geraldine ishte një studente e përkushtuar dhe shkëlqente në stenografi, sociologji, histori dhe letërsi. Ajo ishte gjithashtu një lexuese e etur dhe e shfrytëzoi më së miri bibliotekën e familjes, e cila përbëhej nga 30 000 libra
Në moshën 19-vjeçare, Geraldina punoi në Muzeun Kombëtar të Hungarisë. Gjatë gjithë jetës, ajo i kishte pasion gjuhët e huaja dhe fliste rrjedhshëm shqip, frengjisht, gjermanisht, spanjisht, anglisht dhe sigurisht gjuhën hungareze. Ajo e përvetësoi gjuhën shqipe brenda gjashtë muajve
Mbreti Zog dhe Konteshë Geraldine Margit Virginia Olga Maria Apponyi de Nagy- Apponyi u martuan më 27 Prill 1938, në Tiranë, në një shërbesë civile. Mbreti u kujdes që fetë zyrtare ne Shqipëri të ishin të përfaqësuara nga krerët fetarë të cilët gjatë ceremonisë bekuan këtë martesë. Gjithashtu, me kërkesë të familjes Apponyi, për këtë bashkim dha bekimin Shenjtëria e Tij, Papa Piu XI.27 Prilli u zgjodh si datë simbolike pasi përkonte me përvjetorin e martesës së heroit kombëtar të Shqipërisë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe bashkëshortes së tij Donika Arianiti-Muzaka, që ishte mbajtur 487 vjet më parë.
Më 26 Prill, Mbreti Zog shpalli një amnisti të gjerë ndaj të burgosurve të kategorive të ndryshme, përfshirë kundërshtarët politikë. Qeveria sponsorizoi 100 dasma për çifte të reja që u martuan në ato ditë, ndërsa Familja Mbretërore mbështeti 50 dasma të tjera. Këto të rinj u quajtën "çiftet e Skenderbeg" dhe gjithashtu morën nga një dhuratë nga Sovrani i tyre. Këto dasma në të katër anët e Shqipërisë ndihmuan që vendi të bashkohej i gjithi në një atmosferë të gëzueshme festive.
Royal wedding 1983Më 27 Prill, Tirana ishte e përfshirë nga entuziazmi dhe çdo hotel ishte tejmbushur me të ftuar e vizitorë nga e gjithë bota. 79 reporterë dhe fotografë ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të mediave nga Afrika e Jugut, Japonia dhe Argjentina, ishin të pranishëm në festime.
Nga Hungaria morën pjesë Kontët Esterházy dhe Festetich, Apponyis, Károlyis, Szapárys, Berchtolds dhe Edelsheim, Inkeys Baronial dhe Urbáns. E gjithë aristokracia hungareze kishte ardhur posaçërisht për këtë bashkim. Nga vendet e tjera vinin Princesha Borghese dhe Radziwill, Konti Seeherr-Thoss, Trautenberg dhe shumë përfaqësues të aristokracisë së Evropës qëndrore. Familja mbretërore italiane përfaqësohej nga Duka i Bergamos.
Dasma u mbajt në sallën kryesore të Pallatit Mbretëror në Tiranë dhe ishte një kombinim i zakoneve oksidentale dhe orientale. Një breshëri prej 101 të shtënash, jehonat e këmbanave të Kishave dhe thirrjet e muezinëve muhamedanë, që luteshin nga minaretë, sinjalizuan martesën.
Dëshmitarët e Mbretit ishin Konti Ciano dhe kunati turk i Mbretit Zog, Princi Abid.
Përfaqësues i Mbretëreshës ishte kujdestari dhe xhaxhai i saj Konti Charles Apponyi, si edhe Baroni Frederick Vilany, Ministri Hungarez në Itali.
Ata u deklaruan burrë e grua nga Hiqmet Delvina, nënkryetar i parlamentit, pasi ai kishte lexuar kërkesat e Kodit Civil për martesën para 200 të ftuarve dhe anëtarëve të Familjes Mbretërore. Pas ceremonisë civile u zhvilluan një numër ngjarjesh në Tiranë për nder të Çiftit Mbretëror.
Të porsamartuarit morën një sërë dhuratash. Admirali Harko, Regjent i Hungarisë, i dërgoi Mbretëreshës Geraldine një komplet kine për dyzet e tetë persona që u krijua nga fabrika e mirënjohur hungareze Herend. Baroni Villány, Ambasadori Hungarez në Romë, i dhuroi çiftit një pajton të kompletuar me dy kuaj të Lipizzaner të pastër të cilët mbanin parzmore hungareze. Gjithashtu në dhuratë përfshihej edhe një trainer i cili do të qëndronte si pjesë e stafit të Mbretëreshës Geraldine. Kancelari gjerman i dërgoi çiftit një Mercedes të kuq 540K. Qeveria turke dërgoi njëzet e katër qilima Orientalë. Presidenti Lebrun i Francës dhuroi një servis porcelani të bardhë të Sèvres. Kryeministri Musolini premtoi një dhuratë ekstravagante, një jaht i cili nuk ishte ndërtuar me kohë për dasmën mbretërore. Së fundmi, Mbreti Zog i dhuroi gruas së tij një komplet stolish dhe parfumesh.
Gjatë qëndrimit të saj të shkurtër në Shqipëri, Lartmadhëria e Saj, Mbretëresha Geraldine, u angazhua plotësisht në forcimin e mirëqenies së popullit shqiptar, veçanërisht të njerëzve në nevojë. Madhëria e Saj kontribuoi në ngritjen e institucioneve, si spitale, azile dhe jetimore.
Mbretëresha Geraldine ishte e angazhuar plotësisht në promovimin e të drejtave dhe emancipimin e grave. Ajo punoi fuqishëm, në mënyrë që të mbështeste shërbimet spitalore në Shqipëri dhe kontribuoi në funksionimin e Spitalit Ushtarak në Tiranë. Ajo luajti një rol të rëndësishëm edhe në ngritjen e maternitetit të parë. Në prill të vitit 1938 Mbreti Zog i akordoi Mbretëreshës Geraldine Kordonin e Madh të Urdhrit Besa.
Royal Family in London
Mbretëresha Geraldinë qëndroi aktive gjatë 63 viteve të mërgimit, duke mbajtur marrëdhënie të forta me Familjet Mbretërore europiane. Ajo shërbeu si këshilltare për bashkëshortin dhe djalin e saj përgjatë viteve të mërgatës. Mbretëresha Geraldine, pas pushtimit fashist, së bashku me Familjen Mbretërore, jetoi në Greqi, Turqi, Francë, Angli, Egjipt, Spanjë dhe Afrikë të Jugut, deri sa u kthyen përfundimisht në Shqipëri në vitin 2002.
Lartmadhëria e saj do të mbahet mend gjithmonë për devotshmërinë e saj kundrejt kombit që e priti në gjirin e tij. Edhe në mërgim, ajo qëndroi aktive në krah të të birit duke iu përkushtuar çështjes shqiptare dhe diasporës. Rikthimi i saj në atdhe më vitin 2002 u shoqërua me entuziazëm masiv të popullit shqiptar, i cili e priti Mbretëreshën me aq shumë ngazëllim, sikur ajo të kishte mbretëruar në Shqipëri gjatë gjithë jetës së saj. Mbretëresha Geraldine kishte një imazh aq pozitiv, sa edhe makineria e pamëshirshme e propagandës komuniste nuk mundi asnjëherë të baltosë figurën e saj.
Një seri librash të botuar dhe biografish janë frymëzuar nga jeta e saj e jashtëzakonshme. Në vitin 1986, Mbretëresha autorizoi një biografi nga autorja amerikane Gwen Robynes, të titulluar “Geraldine of the Albanians” (Geraldina e Shqiptarëve). Më vonë u shkrua një tjetër biografi e autorizuar nga autorja franceze Josephine Dedet, e titulluar “Geraldine, Reine des Albanais” (Geraldina, Mbretëresha e Shqiptarëve). Që të dy librat janë një thesar me informacione mbi jetën frymëzuese të Mbretëreshës Geraldine.
Queen Geraldine Foundation
Në nder të trashëgimisë së Mbretëreshës Geraldine, në prill 2004 Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T Z. Alfred Moisiu, i akordoi, pas vdekjes, medaljen “Nënë Tereza”. Në vitin 2013, Princesha Elia, në kujtim të saj krijoi Fondacionin “Mbretëresha Geraldinë” i cili i vjen në ndihmë fëmijëve dhe shtresave në nevojë.
Në qershor 2002, me ftesë të Parlamentit të Shqipërisë, Mbretëresha Geraldine dhe Familja Mbretërore u kthyen nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri. Mbretëresha u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare. Pasi u trajtua nga mushkëritë, ajo vuajti tri infarkte dhe i fundit, më 22 tetor 2002, ishte fatal për të. Homazhet për përcjelljen e Saj u zhvilluan më 26 tetor 2002 në Shtëpinë Qendrore të Ushtarakëve, ndërsa në katedralen “Shën Pali” u mbajt një meshë mortore. Mbretëresha Geraldine prehet në Mauzoleun Mbretëror në Tiranë (2012).
40 Datat historike të familjes Mbretërore dhe M
Familja Appony daton që në periudhën e Mesjetës, kur Hungaria ishte pushtuar nga arpadianët në vitin 894 të erës sonë. Familja Appony mori pjesë në ngritjen e Mbretërisë hungareze nën dinastinë Arpadian. Titulli “Chevalier d’Appony” (Kalorës i Aponisë) shfaqet për herë të parë në arkivat e një pallati shumë të madh, “Nagy Appony”, i cili deri në Luftën I Botërore mbeti në pronësi të familjes. Sot ky pallat ndodhet në territorin e Sllovakisë në qytezën Oponice. Traktati i Trianonit i vitit 1920 ndau një pjesë të gjerë të territoreve të Hungarisë, përfshirë edhe pronat e familjes Appony, të cilat u aneksuan.
Të gjithë paraardhësit e familjes Apponi kishin një karrierë politike të suksesshme, duke arritur poste të larta në Perandorinë Austro-Hungareze.
Vëllai i gjyshit të Geraldinës, Konti Albert Appony, drejtonte delegacionin hungarez në Konferencën e Paqes dhe të Versajës. Ai më pas, përfaqësoi Hungarinë në Ligën e Kombeve.
Gjyshi i Mbretëreshës Geraldine nga ana e babait, Konti Lajosh Appony, ishte këshilltar personal, shambellan dhe mareshall i madh i Oborrit Perandorak të Franc Jozefit. Gjyshja e saj, Kontesha Margarite, ishte një aristokrate prusiane dhe vajza e Kontit Herman Roger de Seherr-Tho B, pasardhës i Princit Ernest-Joakimd'Anhalt, pseudonimi i të cilit ishte “Babai i mbretërve”.
Gjyshi nga ana e nënës së mbretëreshës Geraldinë ishte John Henry Stewart. Familja Stewart emigroi nga Skocia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u vendosur në shtetin Maryland në shekullin XVII. Në vitin 1880, pas një karriere të suksesshme në biznes, John Stewart u bë diplomat dhe u emërua Konsull i Përgjithshëm në Anvers. Në vitin 1890, ai u martua me Virginia Ramsey Harding, gjyshja e Mbretëreshës Geraldinë. Familja Ramsey vinte nga Karolina e Jugut, ndërsa Hardings ishin pronarë të mëdhenj tokash në Karolinën e Veriut, me origjinë irlandeze. Nëna e Geraldinës, Gladys Virginia Stewart, lindi më 18 korrik 1891. Babai i saj, John Stewart u sëmur dhe vdiq të njëjtin vit që u emërua ministër i plotfuqishëm i SHBA-së në Londër, në fund të vitit 1891.
Në vitin 1902, Virginia Ramsey Harding u martua përsëri me Gustave de Strale d’Ekna, ministër dhe shambellan i Mbretit Oskar II i Suedisë. Ata jetuan në Paris ku Gustavi u bë si një baba i dytë për Geraldinën që në moshë të hershme.
Gladys Virginia Stewart njohu bashkëshortin e saj të ardhshëm dhe të atin e Mbretëreshës Geraldine më 3 qershor 1914 në Paris. Konti Gyla Apponyi ishte një baba i jashtëzakonshëm për geraldinën dhe njeri mjaft zemërmirë. Në gusht 1914, Konti Gyla ishte oficer ndërlidhës në ushtrinë austro-hungareze. Ai u godit dhe u plagos ndërsa luftonte në Serbi. Më pas ai u kthye në Austri ku shërbeu në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë. Për shkak të komplikacioneve që u shkaktuan nga plagët e marra në luftë kundër ushtrisë serbe, ai ndërroi jetë disa vite më pas, në 1924.
Geraldina së bashku me motrën e saj më të vogël Virginia dhe vëllanë Gyla, jetuan me gjyshen nga babai, Konteshën Margarite. Kontesha Gladys vite më pas u martua me admiralin francez, Gontran Girault, me të cilin patën tre fëmijë, Sylviane Girault Muselier, Guy Girault dhe Patricia Girault.
Pas vdekjes së gjyshes, halla e tyre, Kontesha Fanny Karolyi, u kujdes për Geraldinën, Virginian dhe Gylan. Kontesha Fanny kishte kështjellën e famshme “Zebegeny”, ku Geraldina kalonte zakonisht verën. Gjatë sezonit veror, Geraldina merrte pjesë gjithashtu në programet VEZ në Zebegeny, ku merrej me kopshtari, aktivitete sportive dhe organizimin e shfaqjeve teatrale për fëmijë.
Që në fëmijëri, për shkak të bukurisë dhe ngjyrës së bardhë të lëkurës, Geraldina mori pseudonimin “Trëndafili i bardhë”.
Pergatiti Liliana Pere