Shumëkush prej nesh që jemi në këtë zanat, padyshim që kanë kaluar në duart e Iris Luarasit, zyshës së tmerrshme, ndër të vetmet që të linte në klase edhe pse në fakultet. Megjithatë llojit të saj në dukje të egër, ia shfuqizonte potencën, mënyra e butë e të sjellurit me njerëzit. I njëjti vlerësim, bëhet edhe kur ajo shfaqet jo rrallë nëpër debate televizive... Po si ka qenë jeta e saj, tashmë nënë e dy fëmijëve, marrëdhënia me ta dhe, ish-kolegun që sot ndajnë të ardhmen bashkë.... Si ka qenë fëmijëria juaj? Fëmijëria ime si e të gjithë fëmijëve të asaj kohe, me mësimet si gjëja më e rëndësishme e jetës, me mungesat në veshje e ushqimet me tallon, por me shumë dashuri nga prindërit e të afërmit. Ka qenë një fëmijëri e qetë dhe e lumtur duke marrë në konsideratë lumturinë e asaj kohe. Si të gjithë fëmijët, mezi prisnim që mami e babi të bënin vizita tek të afërmit e unë me Ketin (time motër) të bënim kek apo biskota e t'i hanim me fëmijët e tjerë të lagjes, duke u përpjekur që mami mos ta kuptonte atë çfarë kishim bërë (qesh). Ndryshe nga fëmijët e sotëm, mbaj mend se fëmijëria jonë ka qenë e mbushur plot me libra që zinin një pjesë të rëndësishme të kohës sonë të lirë, e ishin argëtimi më i madh pas lojërave "topa luftash" apo me peta te oborri i pallatit. Pa dyshim që atëherë nuk kishim as IPad, as Ëee madje edhe televizori punonte me orë të kufizuar e programet për fëmijë ishin vetëm 30 minuta pasdite e, një teatër kukullash të dielave paradite që, mezi e prisnim. Megjithatë pavarësisht gjithë kufizimeve e mungesave që kishte ajo kohë, unë fëmijërinë time e mbaj mend si një gjë të bukur, e rrethuar me shumë dashuri nga familja e me kërkesë shumë të lartë llogarie për sa i përket mësimeve. Ndryshe nga ime motër që "e urrente" kopshtin, unë i provova edhe çerdhen e kopshtin e, kjo besoj se më ka bërë shumë mirë. Përgjithësisht kam qenë e preferuara e zyshave në çerdhe, por veçanërisht në kopsht isha favorit numër 1. Zysh Frederika në kopsht më donte aq shumë sa, jo vetëm që më kish marrë disa herë të flija në shtëpinë e saj të bukur, por edhe te mamaja e saj në Durrës ku loja ime më e preferuar me të birin, ishte t'u hidhnim ujë në kokë njerëzve nga ballkoni i gjyshes me një rosak plastik që ujiteshin lulet…. Të qenit favorit Ii zyshave nuk ia dedikoj aspak pamjes por aftësisë për të folur e për t'i bërë njerëzit pas vetes… Marrëdhëniet me vëllain më të vogël dhe detyrat si vajza e madhe e shtëpisë? Ne jemi dy motra me një diferencë shumë të vogël moshore (vetëm 19 muaj diferencë), por gjithmonë unë jam sjellë me Ketin sikur isha 10 vjet më e madhe. Kur ishim të vogla ziheshim çdo minutë, e kur filluam shkollën unë, me shumë dëshirë mora përsipër mbarëvajtjen e Ketit në shkollë dhe, me shumë zell i kontrolloja çdo natë asaj detyrat e mësimet. Kur Keti s'kish mësuar, ndëshkimet mund të shkonin deri tek ndalimi i filmit të mbrëmjes. Por një nga gjërat që binim të dyja totalisht dakord, ishte që mami të na bënte një vëlla të vogël. E kishim lutur pa fund mamin për këtë e sigurisht edhe gjyshja jonë që kishte hallin e mbiemrit nuk e linte pas dore këtë muhabet, deri sa mësuam se mami ishte shtatzënë e të dyja me Ketin ishim totalisht të bindura se do bëheshim me një vëlla të vogël. Në ato kohëra deri sa të lindje, nuk kishe si ta mësoje gjininë e bebit, por ne ndikuar edhe nga fjalët e plakave të kohës që bënin supozime mbi nurin që i kishte rënë mamit, apo forma e saj e barkut e dinim që shumë shpejt do bëheshim me vëlla. Dhe në fakt kështu ishte. Unë sapo kisha mbushur 10 vjeç ndërsa Keti 8 vjet e gjysmë e u bëmë me një vëlla të vogël, shumë bukurosh që e përkëdhelnin të gjithë kalimtarët kur e shëtisnim me karrocë. Kjo ishte një kohë kur mora edhe më shumë përgjegjësi, pas një operacioni të vështirë që bëri mami në heqjen e një kisti të madh në mëlçi. Ishte dëshirë e madhe, por edhe detyrim të kujdeseshim për Enon e vogël. Ushqimin që i bënte gjyshja ia jepnim ne të dyja, shpesh e ndërronim dhe shëtitjet me të në karrocë ishin pjesa më e bukur e ditës. Pasi vdiq gjyshja që jetonte me ne, padyshim që detyrat e mia u shtuan me babin që për shkak të detyrës si ushtarak mungonte shumë nga shtëpia e me mamin që si punonjëse e Radio Tiranës ishte me 3 turne. Kështu mësuam pak nga pak si të gatuanim sipas porosive të mamit kur kjo e kishte të pamundur e si të kujdeseshim për shtëpinë. Mami na i ndante punët me dhoma e secila nga ne duhej të bënte pjesën e saj në shtëpi. "Partizonse", si i kujton vitet e gjimnazit, ndonjë çmenduri? Vitet e gjimnazit kanë qenë perfekte. Shkollën e kisha larg por për fat një grup moshatarësh të lagjes time kishin zgjedhur pikërisht "Partizanin". Kështu që nga rruga e Elbasanit e deri tek shkolla mëngjesi e dreka në rrugën e kthimit ishin pjesët më të bukura të ditës me Mirën, Andin e Altinin me shumë humor e qyfyre rrugëve të Tiranës. Por pa dyshim që kjo nuk ishte gjithshka, sepse nga ajo kohë ruaj shumë të shtrenjtë miqësinë me dy shoqet e mia të ngushta Irisin e Gjylen (emri që i kisha vënë si shkurtim Evis Gjylametit). Zyshat e mia më të preferuara ishin Havari e letërsisë (siç e thërrisnin të gjithë zysh Afërditën), dhe Dona Shupo, zysha ime kujdestare. Ishte e çuditshme se të gjithë e kishin tmerr Havarin kurse për mua ishte ora më zbavitëse dhe e dashur. Me zysh Donën ishte një gjysmë raporti shoqëror për shkak të moshës dhe mentalitetit të saj të avancuar për atë kohë. Periudhën më të tmerrshme e kam kaluar me Bukuroshen e fizikës, që më ngrinte në mësim vetëm pasi kishte ngritur gjithë klasën për herë të tretë e padyshim unë që prisja të ngrihesha në çdo orë fizike kjo më ishte kthyer në një makth. Megjithatë nga ana tjetër kjo më bënte që mos të lija pamësuar asnjë mësim të fizikës edhe pse nuk më është dashur ndonjëherë të përdor njohuritë e mia në këtë fushë (qeah) Çmenduritë e asaj kohe ishin festat në shtëpinë e një shoku apo shoqeje, pjesë shumë e bukur e kohës së gjimnazit dhe lëniet e orëve të mësimit. Ngaqë isha personi që nxirrja mungesat nga regjistri nuk më interesonte që të bëja shumë mungesa individuale e për këtë përpiqesha që të organizoja gjithë klasën në lënien e orëve të mësimit sepse edhe përgjegjësia ishte më e vështirë të dilte nga një grup i madh, kështu që luftën më të madhe aso kohe e kisha me ata që nuk donin të bëheshin pjesë e grupit të ikjes. T'u desh shumë për të qenë profesoreshë në universitet? Shumë. Unë mbarova universitetin me medalje ari e kjo ishte një mund i madh, po t'i shtosh kësaj periudhe edhe punën time në Radio Tirana fillimisht me emisionin "Radiorevista Letraro-Artistike" e më pas me emisionet direkte të mëngjesit. Dhjetat e bënë shumë të lehtë qëndrimin tim si asistent pedagoge, kurse puna si gazetare për 4 vjet në Radio Tirana e bëri më të thjeshtë zgjedhjen time për në katedrën e gazetarisë pas diplomimit për gjuhë e letërsi shqipe. Megjithatë pavarësisht meritave e punës time, mendoj se i detyrohem edhe dashamirësisë së dy njerëzve, Bashkim Gjergjit dhe Valentina Dukës që më pranuan me shumë dashuri dhe e bënë punën time shumë të thjeshtë. Mbahesh si profesoreshë e egër, ndërkaq edhe mbetësit që ke lënë të duan sërish, si e shpjegon? Vjen ndoshta me kohë e reflektim. Edhe unë në pozitën e studentit s'i kam dashur pedagogët e rreptë. Më pas kur kalojnë vitet ti arrin të analizosh që nga disa prej këtyre të "egërve" ke mësuar shumë më tepër se nga disa të tjerë e, unë mendoj se kjo është. Me studentët përpiqem të jem e paanshme dhe e drejtë duke i dhënë gjithkujt atë që meriton e shpesh edhe pak më shumë. E vetmja pjesë ku nuk fal janë mungesat duke mos dashur të fyej ata studentë që përpiqen aq shumë të mos lënë orë mësimi pa ardhur. Por për studentët jap gjithshka që di nga profesioni e, studentët inteligjentë padyshim që besoj se e çmojnë këtë. Sot të ndodh që të vjen studenti për herë të katërt apo të pestë në provim pa lexuar asnjë rresht e mendon se ti do lodhesh e më në fund do t'ia japësh provimin. Këtu unë jam e palodhur e në fakt mendoj se kjo është detyra e çdo pedagogu. Një shkrim i keq e i papërgjegjshëm në gazetë, një emision i dobët në radio apo një lajm i keq në televizion, mban edhe pak përgjegjësinë tonë. Një mjek që të ekzaminon e të jep ilaçet e gabuara, një gjykatës që të gjykon e të jep dënimin e gabuar, një elektricist që më shumë të ka ngatërruar punë se të ka rregulluar është pjesë e problemit të sistemit tonë arsimor, si dhe çështje korrupsioni padyshim. Ne kemi një shprehje kur merresh me shumë njëkohësisht "Ceni me 40 zanate", ndërkohë që ju keni një shoqatë për gra, punën në fakultet dhe Radio Ime...Si e menaxhoni kohën? Koha ime është e ndarë mes Linjës së Këshillimit për gratë e dhunuara, mes fakultetit, trajnimeve për gazetarët dhe familjes time. "Radio Ime" është më shumë përgjegjësi e Ennos. (qesh) Më pëlqyeka shumë kjo e Cenit me 40 zanate e do filloj ta përdor si shprehje, po zanatet e mia janë shumë mirë të lidhura bashkë. Puna si drejtuese në Linjën e Këshillimit kërkon menaxhim të mirë, njohje me shumë njerëz e marrëdhënie të shkëlqyera me median për shkak të publicitetit dhe imazhit të qendrës e unë mendoj se i kam këto cilësi dhe fatin për të punuar me një staf shumë profesional e me shumë eksperiencë në mbështetjen që i japin viktimave të dhunës në familje. Ndërkohë që kjo eksperiencë pune më vlen shumë edhe në mësimdhënie e gazetari, pasi mund të shpjegoj me raste konkrete se si duhet të mbulohen në media çështje që kanë lidhje me dhunën në familje, trafikimin, të drejtat e njeriut, etj. Familja është një pjesë shumë rëndësishme e imja por për fat të pasurit e bashkëshortit edhe koleg, e lehtëson edhe më shumë menaxhimin. Enno, bashkëshorti im dhe ime më, kanë ndihmuar shumë në këtë proces e, padyshim edhe orët e mia të munguara të gjumit. Tashmë më është bërë pjesë e ritmit të jetës kjo endje mes punësh e orët e stërzgjatura para kompjuterit në mbrëmje pasi flenë fëmijët e nuk mund ta imagjinoj një ritëm tjetër. Ndonjëherë mendoj se kjo punë është ndarë kështu. Disa njerëz që ju bëhen gjërat duke ndenjur, e disa të tjerë duke u shqyer sa nga një punë tek tjetra. Unë i përkas padyshim llojit të dytë e në fakt kjo më pëlqen. Është natyra ime ose mënyra se si jam mësuar, por ky ritëm me 4-5 orë gjumë në natë e me një ditë plotësisht intensive është jeta ime. Enno Alimerko pronari i "Radio Ime" dhe ju, si nisi relacioni mes jush? Lidhjen me Ennon e kam falë Radio Tiranës, e për këtë mban një vend të veçantë në zemrën time ky vend. Enno erdhi tre vite pas meje ne Radio Tirana si formulues muzike e regjisor i emisioneve të paradites. Miqësia jonë filloi me të vërtetë kur menduam të bënim një seri emisionesh për SIDA-n, dhunën seksuale dhe drogën, tema absolutisht tabu për të cilat nuk ishte folur pothuajse fare në fillim të viteve '90 në media. Puna na bashkoi shumë e praktikisht gjithë ditën e kalonim bashkë në një punë intensive që zgjaste deri në 10 të mbrëmjes shpesh herë. Duket e çuditshme, po u desh plot një vit pune intensive për të realizuar një cikël me 6 programe, duke marrë parasysh edhe vështirësitë e asaj kohe. P.sh. gjatë asaj periudhe fjalët HIV dhe SIDA ishin të padëgjuara e, njerëzit totalisht të painformuar. Në Shqipëri kishte vetëm 7 raste zyrtare me virusin e HIV e të gjeje një të infektuar për ta intervistuar në ato kohë ishtë një kalvar I vërtetë. Po kështu edhe intervista e dhimbshme që i morëm një vajze të përdhunuar nga 5 djem e, intervista me një prej përdhunuesve në burg. Ato kohë padyshim që na bënë të ndajmë shumë gjëra e, të kuptonim se përveç punës na lidhte shumë edhe një miqësi e madhe që rritej çdo ditë e më shumë deri sa një ditë unë e kuptova se kjo ishte më shumë se kaq e, në fakt hapin e parë e bëra unë, kundër parimeve të Ennos që shoqja është vetëm shoqe e ndihem shumë mirë për këtë e shpesh e ngacmoj dhe Ennon "se po të mos kisha qenë unë e para, sot ndoshta s'do të ishim bashkë". Tani keni dy fëmijë, sa kohë kaloni me ta? Me fëmijët përpiqem të kaloj kohë cilësore edhe pse jo shumë në kohë. Gjatë vitit të parë të jetës së tyre pavarësisht gjithë angazhimeve, i kam pasur të dy me gji. Noah dhe Ashli kanë pirë qumësht në seminare, në mbledhje, në makinë te oborri i fakultetit, nëpër kafe e restorante, në aeroplan kudo. Noah djali ynë i parë udhëtonte me ne gjatë asaj kohe 1 herë deri në 2 herë në muaj jashtë shtetit nëpër mbledhje ku duhej të ishim bashkë me Ennon. Gjatë asaj kohe kisha lexuar se nuk ka rëndësi se ku është fëmija, ai ndihet mirë kudo mjaft të jetë në praninë e prindërve. Me Ashlin udhëtuam për t'u kthyer nga Amerika (ku lindi Ashli) kur ajo ishte vetëm dy javëshe, e nuk patëm asnjë problem. Unë e kam aksiomë në tru, se besimi se i ke afër, i ndihmon edhe ata të rrisin besimin tek vetja e tyre. Me fëmijët e vegjël kemi vazhduar të bëjmë çdo gjë që bënim edhe kur ishim çift. I kemi marrë me vete në dasmë ku kërcet muzika e ata kanë ndenjur me tampon në vesh e kanë fjetur për qejfin e tyre, i kemi marrë në udhëtime të gjata me makinë (Shqipëri-Danimarkë-Suedi) kur Ashli ishte vetëm 1 vjec e Noah 4, jemi futur në pub-e në Angli me karrocë në mbrëmje kur ata flinin e jemi përpjekur që të mos ndërrojmë ritmin tonë të jetës, por t'i bëjmë edhe ata të dy pjesë të ritmit tonë. Mendoj se kjo ju ka bërë shumë mirë të dyve. Janë mësuar më shumë gjëra të reja e të panjohura e kanë kaluar kohë kualitative. Mundohem shumë që fundjavat të jenë të fëmijëve e të bëjmë plane së bashku, edhe pse jo gjithmonë arrij me shumë sukses… Si janë marrëdhëniet, kush bën më shumë pas jush? Marrëdhëniet janë të veçanta, secila në llojin e tyre. Gjithmonë kam pasur dëshirë të kisha një djalë e kjo gjë mu realizua me Noah. Kisha dëshirë që fëmija e dytë të ishte vajzë, më shumë për t'u realizuar edhe dëshira e Ennos që donte vajzë që në fillim. Noah ka qenë një fëmijë shumë i butë e i ëmbël e unë mendoja se s'mund të kishte më shumë ëmbëlsi se aq. Por jo, ardhja e Ashlit më bëri të kuptoj se janë dy dashuri të mëdha e shumë të veçanta nga njëra-tjetra ku secili ka vendin e tij të madh. Të dy fëmijët bëjnë shumë pas meje, por megjithatë Noah më duket se ka një ndjenjë më të veçantë, ndjenjë që e ka Ashli për Ennon. E kjo është shumë e qartë që pasi më përkëdhel mua nuk harron të bëjë të njëjtën gjë edhe me të atin. Megjithatë nuk di të ndaj se janë dashuri shumë të veçanta e të ndryshme në llojin e tyre. Keni zgjedhur dy emra izraelit për fëmijët tuaj, kush i zgjodhi e pse? Emrat izraelitë janë rastësi. Nipi i Ennos, na dhuroi një libër emrash nga i cili u instruktuam se fillimisht duhej të bënim një listë me emrat tanë të preferuar e ti skarconim pak nga pak. Pamë edhe në internet se kush ishin emrat më në modë të fëmijëve dhe arritëm në 3 emra finalë: Noah, Ethan dhe Alan. Këtë të fundit e hoqëm nga lista se do na thërrisnin djalin Lani, e hodhëm short me letra ku kishim shkruar dy emrat tanë të preferuar: Ethan ishte i preferuari im e Noah i preferuari i Ennos. Letrën e zgjodha unë e kështu është e kuptueshme që kur e hapa gjeta Noah. Ashli meqë ka lindur në Amerikë ka dy emra: Ashli Abigail e në fakt emri i saj i dytë Abigail, është emër çifut e do të thotë "Gëzimi i babait", siç është ajo në të vërtetë (qesh). Por menduam se kjo do ia bënte të vështirë jetën në Shqipëri e vendosëm që emri i parë të ishte Ashli, një emër me origjinë angleze e shumë i preferuar për mua. Shpesh ju jeni pjesë e debateve televizive dhe dominoni në biseda, kur ju kritikon bashkëshorti juaj? Më kritikon kur unë e teproj ndonjëherë e them gjëra që mund të thuhen edhe pak më butë, e padyshim që shpesh ka të drejtë. Megjithatë unë shpesh mendoj se të qenit pjesë e një debati televiziv është detyrë qytetare e gjërat duhen thënë ashtu siç i ndien e i mendon e duhet hapur krahu kur bashkëbiseduesi ka argumente për të kundërshtuar atë që t'i thua. Cili është meraku juaj në jetë? Meraku im në jetë është koha që duhet të shpenzoj më shumë me fëmijët. Është e vërtet që e gjithë kjo punë e lodhje ka padyshim lidhje me të ardhmen e tyre, po njeriu duhet të kuptojë se kush është në të vërtetë raporti i dashurisë dhe të mirave materiale, e ankthi se mos e kaloj këtë linjë është meraku im në jetë. Momenti më i vështirë që keni kaluar? Momenti më i vështirë që kam kaluar ka qenë aksidenti ynë me makinë. Noah ishte vetëm 8 muajsh e gjatë kohës që makina jonë rrotullohej në autostradë, mendoja vetëm për Noah që kishim nga mbrapa. Për fat i lidhur shumë mirë në karrigen e tij të makinës nuk pësoi gjë, por derisa e kuptova këtë nuk kishte ankth më të madh. Si janë marrëdhëniet e tua me politikën? Marrëdhëniet e mia me politikën janë ato që ka një gazetar me politikën. Gjithmonë kritik me pushtetin pamvarësisht se kush e mban atë. Politika për fat të keq, është pjesë e rëndësishme e jetëve tona e do apo nuk do ti, ajo hyn në jetën tënde. Mendoj se jemi nga të rrallat vende ku çdokush merret kaq shumë me politikë, aq më shumë kur jemi vendi i tretë më i varfër në Evropën Juglindore pas Moldavisë e Ukrainës e rrjedhimisht me kaq shumë probleme të mprehta sociale që vijnë si pjesë e varfërisë e mentalitetit. Nëse nuk do të kishe këto që ke, çfarë profesioni tjetër do e bënit më mirë? Mendoj se profesioni im i dytë mund të kishte qenë jurist, edhe pse kur isha në gjimnaz ëndërroja të bëhesha mjeke e të shpëtoja jetë njerëzish. Si janë sot studentët e gazetarisë, sepse vite më parë kam përshtypjen që edhe shkolla ka qenë më e fortë? Pa asnjë dyshim, një gjimnaz i fortë sjell student cilësorë. Mendoj se kjo cilësi në shkollat e mesme ka rënë e, studentët e tanishëm edhe për shkak të përzgjedhjes që nuk ju takon më atyre shpesh vijnë nëpër fakultete ku ata nuk kanë asnjë dhunti edhe si pjesë e presionit të prindërve që sa të rijnë rrugëve kot më mirë të bëjnë një shkollë. Shumë nxënës të mirë të shkollave të mesme zgjedhin të shkojnë e të studiojnë jashtë e prindërit e tyre me lekë ose me borxhe preferojnë t'i japin fëmijës së tyre më të mirën, gjë që nuk ishte e thjeshtë disa vite më parë. Për këto e për arsye të tjera mendoj se cilësia e tanishme ndryshon nga ajo e disa viteve më parë. Tani të ndodh që në një klasë me 80 studentë vetëm tre prej tyre ndjekin CNN, BBC apo lajmet në Euroneës, një e dhënë që flet për interesin e tyre për profesionin. Megjithatë mungon sasia por jo cilësia. Ka padyshim të rinj të talentuar që të impresionojnë me përgatitjen e talentin e tyre, që të tronditin me punët e tyre cilësore e që do bëhen gazetarë me emër në Shqipëri. Ndjeheni më mirë mes studentëve apo mes specialisteve që merren me çështjet e grave të dhunuara? Nuk di të ndaj mes këtyre të dyjave. Më pëlqen shumë e ndihem shkëlqyeshëm mes studentëve që të mbajnë gjithmonë të përditësuar me të renë e të rinojnë edhe ty, ndihem po kaq mirë dhe e realizuar kur ndan eksperienca me specialistë që i kanë dedikuar jetën të drejtave të grave. Cila është gjëja që urren më shumë? Gënjeshtra. Bëhem bishë kur shoh dikë që mundohet të më gënjejë e mendoj se kjo ka lidhje me fyerjen që i bëhet inteligjencës time e mënyrës së gabuar e afatshkurtër që zgjedh njeriu për të ecur përpara. Po ajo që vlerëson më shumë? Mirësia dhe zemra e pastër është ajo që vlerësoj më shumë. Pa dyshim që Zoti s'na ka dhënë të gjithëve të njëjtën familje, arsim, shkollë, para. Por na ka dhënë mundësinë që me aq sa kemi të kemi mundësinë të bëjmë mirë e të japim sa më shumë dashuri. (s.g/GSH/Balkanweb)