Sindi Shkodrani, vlonjatja që studion Inteligjencën Artificiale
SHKRUAR NGA SOT.COM.AL25 MAJ 2016
Emri i saj u përmend disa muaj më parë gjatë një aktiviteti në Tiranë pasi ishte një nga studentet që ka përfituar një bursë nga gjiganti Google. Ne kontaktuam me Sindi Shkodranin dhe mësuam më shumë për të dhe jetën e saj studentore. Pesë vite më parë, ajo zgjodhi të largohej nga Vlora për të ndjekur studimet jashtë vendit. Si një nxënëse që nuk njihte notë tjetër veç dhjetës, nuk e kishte shumë të vështirë të fitonte një bursë në një nga universitetet më të mira, jashtë. Zgjodhi të studiojë Shkenca Kompjuterike për të qenë afër asaj çka e donte më shumë; matematikës. E vetëdijshme për potencialin dhe moshën që ka, ajo tregon se është e rëndësishme të japësh maksimumin në vitet e studimit. Pasi janë kohët më me tepër energji dhe mundësi për të zbuluar veten. Sindi duket se këtë e ka shfrytëzuar më së miri. Pasi përfundoi studimet për Shkenca Kompjuterike, zgjodhi t’i hyjë një tjetër sfide për veten, duke studiuar Inteligjencë Artificiale në Amsterdam. Sot ajo është në vitin e parë në këtë degë. Puna sistematike mbi libra, pjesëmarrja në aktivitet, u shpërblyen shumë shpejt. Vitin e kaluar rezultoi fituese e bursës së quajtur “Anita Borg” nga Google dhe jepet për femrat e suksesshme që studiojnë Informatikë ose degë të ngjashme. U përzgjodh midis 40 studenteve nga rreth 8 mijë aplikuese nga gjithë Europa. Në këtë rrëfim për Dita-n kemi njohur më shumë këtë vajzë që bën krenarë jo vetëm prindërit e saj, por këdo. Sindi, je rritur në qytetin e Vlorës, çfarë kujtimesh ke nga ky qytet? Nga Vlora kam shumë kujtime të bukura. Shumë prej tyre kanë të bëjnë me miqësi me njerëz të mrekullueshëm, sidomos nga shoqëria e klasës te gjimnazi Ali Demi, të cilët sado që nuk i shoh shpesh i kam gjithmonë në zemër. Shumë kujtime të tjera janë nga deti dhe nga kohët e bukura që kam kaluar aty. Ke trashëguar gjë nga temperamenti i atyre anëve…? Shumë pak, me kalimin e kohës e kam humbur edhe theksin më duket. Pesë vjet që kur kam lëvizur nga Vlora janë goxha. Megjithatë, një gjë me siguri e kam trashëguar. Krenarinë dhe vetëbesimin tipik të vlonjateve që më ka ndihmuar t’ia dal në shumë situata. Pse vendose të studioje jashtë? Kisha dëshira të mëdha dhe doja te zbuloja të panjohurën. Duke përfshirë këtu një sistem edukimi ndryshe, njerëz të rinj nga e gjithë bota, udhëtimet, shtete te reja. Isha shume kurioze se si do të ishte jeta në një vend tjetër ku duhet të fillosh çdo gjë nga zero dhe nuk ke mbështetjen e familjes. Doja të zbuloja nëse do t’ia dilja me lehtësi. E kishe të qartë se për çfarë do të studioje dhe sa ka ndikuar familja në përzgjedhjen e degës? Në studimet Bachelor zgjodha Shkencat Kompjuterike, kurse në Master Inteligjencë Artificiale, e cila është një degë pak më e specializuar e informatikës. Për shkencat kompjuterike pata pak influencë nga babi. Gjithsesi, dëshira për ta studiuar lindi nga pasioni im për matematikën. Në vitet e gjimnazit dhe 8-vjeçares (9-vjeçares së sotme) u mora goxha me olimpiada e konkurse matematike. Doja të studioja diçka që përdorte logjikën matematike, por më tepër në praktikë sesa teori. Shkencat kompjuterike ishin dega perfekte për këto kushte. Në cilën fazë të studimeve je tani? Tani jam në vitin e parë të studimeve Master për Inteligjencë Artificiale në Universitetin e Amsterdamit në Holandë. Studimet Bachelor i përfundova në Universitetin Amerikan të Bullgarisë. Sindi, çfarë ke mësuar nga jeta studentore? Nga jeta studentore kam mësuar që gjithmonë duhet t’i vlerësosh miqtë që ke rrotull, sepse nuk do të jenë aty për shumë kohë. Shumica e shoqërive që kam bërë gjatë jetës ndodhen të shpërndarë në shtete të ndryshme dhe i takoj rrallë. Gjithashtu, duhet të japësh maksimumin në vitet e studimit. Janë kohët më me tepër energji dhe kohë për të zbuluar veten. Jam marrë me projekte, evente, organizime për të cilat vështirë se do ta gjeja kohën nëse do të isha në punë. Ti ke qenë një nxënëse shumë e mirë, d.m.th nga ato që marrin vetëm dhjeta? Po, kam qenë nga ato që merrnin vetëm dhjeta. Vështirë të më gjeje ndonjë nëntë në dëftesë. Megjithatë, për mua notat ishin një sfidë me veten. Besoj se nuk janë gjëja me e rëndësishme gjatë studimeve. Të rëndësishme janë dëshira për dije, pasioni për degën e preferuar dhe të shijosh studimin sepse po bën diçka për veten, jo thjesht për të pasur një diplomë. Në lëndën e matematikës i përqendroje të gjitha energjitë? Në matematikë dilja gjithmonë më mirë. Megjithatë më pëlqenin shume njohuritë e Biologjisë dhe e gjëja gjithmonë veten në Letërsi. Në praktikë, çfarë ke mësuar nga shkolla, ku mendon ta ushtrosh profesionin tënd? Kam mësuar shumë gjëra në 5 vjet. Të programoj robotë, të krijoj aplikacione, të ndërtoj sisteme online. Më pëlqen të ushtroj dijet në inovacion. Aplikimi i njohurive më të reja të shkencës në funksion të teknologjive që ndihmojnë njerëzit me frymëzon shumë. Mendon të kthehesh në Shqipëri një ditë? Patjetër që po, të paktën për disa vite. Do të doja shumë të kisha mundësi të investoja disi. Ndoshta një kompani Software, ndoshta me një platformë aplikacionesh për turizmin. Dua të kem një arsye që të kem kontakte të vazhdueshme me Shqipërinë, e jo thjesht për pushimet e verës. Nuk e di me siguri nëse do të udhëtoj aty për disa vjet sa të krijoj diçka të bukur, nëse do të qëndroj derisa t’ia dal apo nëse do të shpërngulem përgjithmonë aty, por koha do ta tregojë. Ka shumë të rinj sot në Shqipëri që po humbasin shpresën, duan punë, duan të largohen, apo edhe shkollohen jashtë. Çfarë do u thoshe atyre? Udhëtoni, shikoni botën, njihni njerëz të rinj, merrni pjesë në shkëmbime kulturore, aktivitete vullnetare. Do ndiheni goxha më mirë si me veten, edhe me qëndrimin në Shqipëri. Kthehuni, kontribuoni për sado pak kohë. Zhvilloni ide, hapni bizneset tuaja sado të vogla në Shqipëri, krijoni diçka me vlerë, një produkt, një event. Aty ka potencial dhe një të ardhme të bukur përpara sepse shqiptarët janë të zgjuar dhe e duan zhvillimin. Duhet që çdokush të krijojë zhvillimin e vet, pastaj të presë nga vendlindja t’i ofrojë më tepër. Me pak punë dhe vullnet, gjëra të bukura arrihen edhe në Shqipëri. Tani që je zhvendosur në Amsterdam, si është jeta aty dhe si janë reagimet kur tregon se je nga Shqipëria? Është kryeqytet, por i vogël dhe i bukur. Ka shumë të rinj dhe njerëzit janë shumë të ngrohtë e të hapur. Kur u them që jam nga Shqipëria me pyesin nëse do të ishte një vend i bukur për t’u vizituar. Të jesh i huaj këtu është më se normale dhe e mirëpritur, pasi shumica e popullsisë në Amsterdam është me njerëz nga e gjithë bota. Sa të ka mbështetur familja? Familja më ka mbështetur goxha. Ata ishin të parët që më jepnin guxim edhe për gjërat që dukeshin të vështira. Studimi në Amsterdam ishte një sfidë e madhe financiare për mua dhe ndërkohë që shumë njerëz më sugjeruan të zgjidhja një rrugë më të thjeshtë, prindërit ishin të vetmit që më nxitën t’i shkoja deri në fund dëshirave. Je vajza e vetme e familjes? Jo, kam një vëlla, i cili po studion për Shkenca Politike dhe Administrim Biznesi në Universitetin Amerikan të Bullgarisë. Jam shumë krenare për të, pasi ka ndjekur sugjerimet e mia në lidhje me shkollimin dhe ia ka dalë të jetë shumë i suksesshëm në universitet. Për momentin ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një program shkëmbimi kulturor gjatë verës. Sindi, ke fituar edhe një bursë nga Google apo jo, na trego diçka më shumë për të? Bursa e Google quhet Anita Borg dhe jepet për femrat e suksesshme që studiojnë Informatikë ose degë të ngjashme. U përzgjodha midis 40 studenteve nga rreth 8 mijë aplikuese nga gjithë Europa. Një tjetër shqiptare që studion në La Sapienza, Erisa Terolli e fitoi këtë burse në të njëjtin vit. Prej rezultateve në mësime në universitet dhe pjesëmarrjen në evente të ndryshme u zgjodha për këtë bursë, e cila jo vetëm më mundësoi vazhdimin e studimeve Master, por ishte edhe një mënyrë e mirë kontakti me shumë femra të tjera të mrekullueshme rreth botës. Pas bursës, me tre vajza të tjera jemi duke krijuar një projekt të mbështetur nga Google për të inspiruar studentet femra në gjimnaz të cilat duan të dinë më tepër për Informatikën. Projekti është i përkthyer edhe ne shqip dhe mund të gjendet në www.mecodeprogram.com.