Histori Suksesi: Arlinda Çausholli
Motoja ime është e thjeshtë: Këmbët në tokë dhe sytë nga yjet.
Nga Liliana Pere
Profil:
Arlinda Çausholli është gazetare, publiciste dhe eksperte komunikimi me influencë me një përvojë 20-vjeçare. Që nga viti 2006, është Drejtoreshë Komunikimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës „Nënë Tereza“. Karrierën e saj e filloi në gazetari në vitin 1993 me Gazetën Shqiptare dhe më pas me agjensinë amerikane të lajmeve, Associated Press, në 1997-2002 duke mbuluar konfliktet që u shënuan asokohe me përmbysjen e skemave piramidale dhe më pas me luftën në Kosovë. Ka punuar për gazetën e njohur Corriere della Sera, duke mbuluar zhvillimet më të rëndësishme në Shqipëri në periudhën e tranzicionit të këtyre viteve. Në vitet 2003-2006 ka qenë Drejtuese Komunikimi në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Projektet e Shërbimeve (UNOPS). Eshtë diplomuar për Gjuhë-Letërsi në Fakultetin“Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe mban Gradën Master për Shkenca Komunikimi në Universitetin Europian të Tiranës (UET) në vitin 2011, duke u nderuar me “Çmimin e Ekselencës”. Njihet si pedagoge dhe anëtare e Bordit Drejtues të UET Alumni dhe mban titullin e Koordinatores Rajonale të Shoqatës Europiane të Drejtorëve të Komunikimit EACD (European Association Communication Directors) për Shqipërinë. Eshtë autore e blogut “Ndër mejtime” që publikohet periodikisht tek e përditshmja Shqiptarja.com, një blog mbi jetën, njerëzit dhe fenomenet sociale që synojnë përparimin e vlerave humane dhe vëmendjen publike ndaj tyre.
Arlinda Çausholli është nderuar me “Çmimin e Mirënjohjes“për kontributin që ka dhënë në jetën shoqërore dhe artistike në qytetin e Shkodrës.
Eshtë themeluese, ideatore dhe drejtuese e Programit të Komunikimit „Fit For Future“ (FFF), një Program që ka për qëllim të promovojë cilësinë e komunikimit profesional dhe njerëzor, të japë nota të mendimit pozitiv dhe të krijojë një frymë bashkëpunimi qytetar.
Çfarë kujton nga fëmijëria?
Kam patur fëmijëri me ngjyra, ndonëse ne jemi brezi që jetuam disi dy regjimet dhe kalimin nga njëri tek tjetri nuk e kishim fort të lehtë. U linda në Tiranë, por jam rritur në Shkodër. Shkodra është dhe qyteti i origjinës së familjes sime dhe mbase origjina e të gjithë dashurisë me të cilën u rrita. Ky qytet ka një mënyrë të vetën të të ushqejë jetën, e jep me pikatore….por është koncentrat vlerash që të hyn ndër deje dhe nuk ikën mëqë aty. Dhe ti gjendesh ndërgjegjshëm përpara elegancës shpirtërore, të komunikimit, të estetikës, të artit, të veshjes dhe të njerëzve që mendojnë e veprojnë njësoj si ty.
Biseda vazhdon...
Pyetje-
Cilat janë fillesat e Arlindës, shpirti krijues, fantazues dhe mediatik në fushën e komunikimit?
Kam krijuar. Krijoja vazhdimisht. Kam qenë shumë e vogël dhe mbaj mend që një pasdite shkrova një skenar për festën që do kishim në klasë. Kujtoj të kem punuar gjithë natën për të shpërndarë të nesërmen pjesët që do të recitonim dhe realizonim gjithësecili. Duhet të kem qenë 12 vjeç. Krijimi formoi kolonën vertebrore të qënies dhe ekzistencës sime dhe mbetet thelbi i jetës në fakt, në çdo gjë që bëjmë dhe në çdo hap që hedhim.
Më tej kam qenë shumë e përfshirë në drejtime spektaklesh dhe koncertesh. Punova dy vjet në Radio Shkodra krahas gjimnazit që frekuentoja. Ishin emisionet e para radiofonike të drejtpërdrejta dhe pata fatin të bashkëpunoja me profesionistë në atë kohë. Di që nuk jam ndalur asnjëherë…
Ju keni mbaruar Fakultetin Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në qytetin e kulturës dhe artit. E keni patur pasion të ëndërruar?
Kam pasion gjuhën e pasur, të shkruarin mirë dhe librat, por fakulteti nuk më jepte ngazëllimin që doja. Ishtë një zgjedhje e diktuar nga një kohë jo fort e qëndrueshme që po kalonte Shqipëria – flasim pas viteve 1990 - dhe prindërit e mi e kishin shqetësim të më largonin nga vetja. Por nuk zgjati shumë. Në vitin 1993, kur po themelohej Gazeta Shqiptare, Carlo Bollino, gazetar dhe profesionist shumë i njohur, rastisi të lexonte një reportazh timin mbi kopshtet e fëmijëve të zëna nga të pastrehët. E pëlqeu, dhe më ftoi t’i bashkohesha ekipit të Gazetës Shqiptare të asaj kohe, që realisht ishte i paktë në numër, por me etje të madhe për të mësuar. Gazeta Shqiptare krijoi një etikë të jashtëzakonshme profesionalizimi në ato vite dhe ka qenë shkollë e mrekullueshme e terrenit. I jam shumë mirënjohëse për këtë. Gazeta shtypej në Bari dhe ne punonim për të pasnesërmen e lajmit. Sfidë e madhe, por kënaqësia ishte edhe më e madhe. Kështu erdha në Tiranë, ndërkohë që vazhdoja universitetin.
Ju kujtohet dhe nëse po, mund të na e sillni në kujtesën e lexuesve, cili ka qenë artikulli i parë që u publikua nga ju?
Sigurisht që më kujtohet. Gazeta doli më 25 Mars 1993 dhe numri i parë u hap me vizitën e Papës në Shkodër, Papa Gjon Pali II dhe kryeartikulli mbante emrin tim. Pra zanafilla, siç duket ka qenë e mbarë dhe besoj vazhdoi e tillë. Rasti e solli që unë të takoja Papa Françeskun më 21 Shtator të 2014-ës dhe më duhet të shtoj se butësinë e asaj dite shqiptare e kam ndërmend akoma.
Kam lexuar shumë artikuj, ju kam ndjekur edhe në intervista dhe më kanë kanë lënë një ndjesi pozitive shkrimet e tua. Jam një lexuese e rregullt e tyre, sidomos një shkrim për nënën më ka lënë mbresë. Ku e gjen frymëzimin Arlinda?
Frymëzohem nga e mira dhe nga kërkimi i vazhdueshëm i saj. Frymëzohem nga çdo gjë që më rrethon. Frymëzohem nga njerëzit. Më frymëzojnë gjërat e vogla të ditës që në realitet kanë rëndësi të madhe, por që ne i harrojmë duke u endur në rutinë dhe pa impuls. Frymëzohem nga ngjarje të ndryshme të miat e tonat bashkë, dhe shkruaj me qëllimin që të sjell në vëmendje– me sa mundem - disa ndjesi dhe përgjegjësi njerëzore që na duhet t’i ushtrojmë çdo ditë, që të jetojmë mirë. Uroj t’ja arrij sadopak.
E dashur Arlinda;
Karriera juaj ka qenë e larmishme, me disa eksperienca dhe te gjitha cilësore e të suksesshme. Si ka qenë rruga e karrierës, ka patur vështirësi?
Sigurisht që kam patur, por tani që i kujtoj, vështirësitë nuk kanë lënë aspak gjurmë të errëta. Pengesat i kam parë si sfida dhe mundësi për t’i zgjidhur dhe unë për t’u pasuruar. Mbase kjo është forca e njeriut dhe kjo është forcë e trashëgueshme, sepse i përcillet me vlerë të paçmuar fëmijëve tanë. Në fund të fundit, ky është dhe qëndrimi ndaj jetës. Figurativisht të duket sikur përgatitesh me dy armë, me njërën mbron atë çka ke arritur dhe me tjetrën ec përpara duke çarë ajrin….. Të paktën kështu e imagjinoj veten.
Pyetje-
Motoja juaj mësova nga biseda është e thjeshtë: Këmbët në tokë dhe sytë nga yjet. Është nje thënie shume e bukur frymëzuese, këtë veti ta trashëguan edhe ty Arlinda?
Unë kam patur prindër të mrekullueshëm të cilët na edukuan me ndjenjën e respektit ndaj vetes dhe thjeshtësisë ndaj të tjerëve, na dhanë entuziazmin që është thelbësor për të jetuar shëndetshëm, optimizmin dhe sensin e realitetit në të njëjtën kohë. Është edukimi më i vështirë sepse kërkon energji të pashtershme, ekuilibër akrobati dhe mendje shumë të hapur, por kur bëhet pjesë e jotja vjen natyrshëm dhe mundohesh ta përcjellësh tek ata që nuk e kanë. E konsideroj fat të jashtëzakonshëm që im bir e ka në inde, këtë ndjesi të mrekullueshme.
Sa e ndjen dhe konsideron veten të suksesshme Arlinda, që natyra i ka falur bukurinë dhe pozitivitet me shumicë në personalitetin e saj ?
E dashur Liliana, suksesi është gjithmonë relativ dhe në varësi të diçkaje. Mundohem të kem qëllime dhe t’i realizoj në mënyrën më të mirë të mundshme me dinjitetin që të falin vlerat me të cilat realizohesh. Ky fakt më jep një qetësi të papërshkruar. Ndjehem mirë kur marr komente pozitive nga lexuesit për shkrimet e mia dhe i falenderoj pa fund ata. Ndjehem mirë kur përmbush me profesionalizëm pozicionin që kam në aeroport dhe mendoj se jam në realizim të përditshëm si njeri, si grua, si nënë dhe si mike.Ndjehem mirë kur njerëzit më dëgjojnë teksa rrëfej këndvështrimin tim në përpjekjet për një komunikimi të mirë. Në garë me veten… Gjithmonë. Gara më e vështirë, por më e bukura.
Pyetje
Thelbi I Programit të Komunikimit Fit For Future më është dukur mjaft interesant dhe i dobishëm per kohën që jetojmë që është e domosdoshme të rrënjosim rregulla të qëndrueshme në komunikim, mund të na flisni pak?
Idenë e këtij programi dhe realizimin e tij, e nisa në vitin 2013 në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe më pas arritja ta zgjeroj muaj pas muaji. Më se 350 persona janë bërë pjesë e Fit For Future në dy vjet. Programin e kam zhvilluar disa herë dhe vullnetarisht, me dëshirën për të kontribuar në mënyrë modeste për një cilësi komunikimi të mirë dhe qasje pozitive ndaj jetës. U përqafua së fundmi edhe nga Banka Raiffeisen, punonjësit e së cilës e përcollën suksesshëm dhe jam shumë e lumtur për këtë. Ndërkohë FFF vazhdon.... Na duhet të përparojmë. Përparimi nuk vjen nga paraja. Përparimi vjen vetëm nga puna. Çdo gjë fillon nga vetja jonë dhe zhvillimi shoqëror merr hov po aty. Ky është mendimi im të paktën.
Sa lë për të dëshiruar sot me mangësitë dhe dobësitë e veta komunikimi dhe shoqëria jonë?
Shoqëria jonë dhe komunikimi ynë janë ende në kahe të kundërta. Megjithë përpjekjet e kolegëve të mi apo njerëzve si ty Liliana, mënyra se si komunikojmë me njëri-tjetrin është akoma e mangët. Komunikimi është cilësi jete. Mjafton shumë pak kujdes të ndjehemi afër me njerëzit që takojmë çdo ditë, të njohur dhe të panjohur. Kjo ishte arsyeja që ndërmora edhe nismën e Programit të Komunikimit Fit For Future. Thellë brenda nesh, e dimë te gjithë që kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa na ndajnë, por format me të cilat i kërkojmë dhe i komunikojmë, ndoshta nuk janë më të të duhurat. Programi FFF në harkun e një ditë jep këndvështrim tjetër për qasjen ndaj jetës dhe ndaj njëri-tjetrit, në mënyrën si komunikojmë. Unë nuk pretendoj të rregulloj botën, por rezultatet janë mahnitëse, më duhet ta lë mënjanë modestinë e të kërkoj ndjesë për këtë. Por nuk është merita ime. Eshtë merita e atyre që marrin pjesë dhe thjesht një dëshirë e imja që mbase është shumë energjike dhe sjell frymëzim në FFF.
Prej sa kohësh punoni në Departamentin e Komunikimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe çfarë ka të veçantë ky pozicion?
I jam bashkuar kompanisë së Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës në vitin 2006. Mbuloj çdo gjë që ka lidhje me fushën e komunikimit, përgjigjem për imazhin e kompanisë në publik, marrëdhëniet me median, këshillimet strategjike për reputacionin e kompanisë, publikimet, ngjarjet që shënojnë zhvillimet e aeroportit, komunikimin në raste krizash, përgjegjshmërinë sociale dhe gjëra të tjera që nuk po i radhis më tutje. Me bashkëpunëtorët e mi, kam pasur fatin ta ndërtoj këtë departament që në fillimet e aeroportit, bashkë me imazhin e tij. Ka qenë dhe një sfidë e bukur, me rezultate konkrete, besoj. Vazhdon e tillë.
Si ta përfytyrojmë Arlindën në kohën e lirë, sportive, enegjike, apo gjithmonë në meditim dhe aktivitet?
Udhëtimet janë pasuri më vete. Mendoj se udhëtimet janë dritare zhvillimi dhe ridimensionim i gjithçkaje qëështë pjesë e jona. Eshtë rigjetje me njerëzit, me miqtë, me idetë, me progresin personal dhe këndvështrimet. Hulumtoj pa fund kur udhëtoj dhe jepem në detaje të pafundme qëmë rrethojnë.
Arlinda e dashur; Di që jeni pjesëmarrëse në maratona noti. Kjo gjë e bën personin tuaj akoma më interesant, më fol pak të lutem?
Nuk besoj të ketë gjë më të dobishme dhe më të rëndësishme se të jetuarit shëndetshëm. Sporti duhet të promovohet në mënyrë sistematike dhe të krijohen kushte për informim publik masiv, sepse të mirat vetjake që sjell ai, janë dhe të mira shoqërore. Unë ushtrohem si çdo dashamirës sporti, kam marrë pjesë në dy maratona noti 1500 metra stil i lirë, të dyja të suksesshme. Njëra maratonë u zhvillua në Liqenin e Shkodrës, në të cilin u krodha pas 25 vitesh për herë të parë. Uji i liqenit është pak i rëndë dhe jo fort i rehatshëm për notime të gjata, por jo i pamundur. Noti është sport karakteri dhe çdo herë që hedh krahët në ujë, aq herë forcohet kjo ide. E këshilloj shumë tek njerëzit që kam afër.
Cili do të ishte mesazhi juaj për gruan?
Zemra është krijuar për t’u hapur. Mendja po ashtu. Janë dy thesare të pamatshme që krijojnë respektin për veten dhe të qënit unike përballë të tjerëve. Dhe buzëqesh pa fund. Ndodhin të papritura të këndshme. Në fakt, kjo vlen për të dyja gjinitë.
Çfarë mund të thoni për Organizatën e Gruas Shqiptare nëpër botë?
E dashur Liliana, unë dua të të falenderoj thellësisht për bashkëbisedimin tonë të ngrohtë, për punën dhe pasionin që transmeton. Eshtë e pashembullt, përpjekja që bën për t’i dhënë zë dhe mbështetje grave kudo ku ndodhen dhe unë të vlerësoj shumë për këtë. Nga ana tjetër urime Organizatës dhe çdo gruaje që bën pjesë në të dhe jo vetëm. Përzemërsisht suksese.
Ju faleminderit e dashur Arlinda, gruaja e suksesshme në karrierë, e mbushur plot pozitivitet dhe inovacion në profesionalizmin e saj te shkëlqyer, e adhuruar per mirësjelljen tuaj. Suksese nga zemra.
Liliana Pere
Presidente Organizimit Internacional
Gruaja shqiptare në Botë