Artistët shqitarë shkëlqyen në edicionin e 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, “Actor of Europe”, i zhvilluar nën siglën “Liqen pa Kufij” në Prespë të Maqedonise së Veriut. Aktorja e madhe Margarita Xhepa rrëmbeu çmimin kryesor “Aktori i Europës 2021” me interpretimin e jashtëzakonshëm të Zonjës Mëmë në shfaqjen ”Kush e solli Doruntinën” me regji të Laert Vasilit. Vetë Vasili u shpall regjisori më i mirë.
Në tërësi, pjesa e realizuar në bashkëpunim me Teatrin ”Aleksandër Moisiu” mori edhe çmimin për shfaqjen më të mirë në tërësi. Ajo bazohet në novelën me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë. Çmimet u ndanë nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga: prof. Meto Jovanovski (president), prof. Mimoza Rail dhe prof. Jani Bojadzi. “Kush e solli Doruntinën” mori pjesë si shfaqje përshëndetëse edhe në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit Online “Moisiu On”, si homazh për mjeshtrin e skenës dhe ekranit, të ndjerin Bujar Lako, i cili në këtë rol të fundit të tij në skenë u vlerësua ne Festivalin “Talia e Flakës” ( Gjilan) me kupën e “Aktorit më të mirë”.