Alma Cani merr titullin "Qytetare Nderi"
Në një ditë të zakonshme, kaq shumë VIP-a nuk do të mblidheshin në qytetin e Bulqizës. Por meqë e konsiderojnë “jetë të dytë” këtë jetë që jetojnë pas kalimit të sëmundjes Covid-19 gjatë vitit të kaluar, kanë një mirënjohje të madhe për të shprehur, për shefen e reanimacionit të Spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, doktoreshë Alma Canin, raporton Newsbomb Albania.
Ditën e djeshme, në 20 qershor, doktoresha që ishte në frontin e parë të luftës ndaj covid-19, në një ceremoni në sallën e mbushur plot e përplot me njerëz në pallatin e Kulturës së Bulqizës, në qytetin ku ajo u lind e u rrit, mori titullin “Qytetare Nderi”, një titull, mëse I merituar për mjeken në rreshtin e parë të luftës ndaj covid-19. Madje për këtë fakt, njerëz të njohur, jeta e të cilëve kaloi nnga duart e saj, e vlerësuan jo vetëm me prezencën e tyre, por edhe nëpërmjet video-mesazheve, për ata që e kishin të pamundur të ishin present.
Agron Llakaj kaloi një covid të veshtirë, ndaj u ngjit në plate dhe foli fjalët më të mira për doktoreshën; I ndjerë ishte rrëfimi edhe i Fatmir Toçit që gjithë historinë dhe luftën e tij me sëmundjen e ka shkruar në një libër; politikani Adriatik Alimadhi po ashtu tregoi eksperiencën e tij dhe përkushtimin e doktoreshë Almës; deputeti Ulsi Manja vlerësoi kontributin e doktoreshës, raporton Neësbomb Albania.
Nëpërmjet video-mesazheve, të tjerë emra të njohur, dhanë përshëndetjet e tyre: Tritan Shehu e Ardit Gjebrea që u kuruan me këshillat e doktoreshës; Zana Çela e Manjola Nallbani dhanë eksperiencat e tyre.
Vetë Dr.Alma Cani e vlerësoi titullin “Qytetar Nderi” si më të rëndësishmin që ka marrë gjatë gjithë karrierës së saj. Teksa falënderoi Këshillin Bashkiak Bulqizë, Kryebashkiakun Alla dhe të gjithë të pranishmit për emocionet që përcollën gjatë ceremonisë, Dr.Cani u shpreh se ky titull do të shërbejë si një burim motivimi për t’iu përkushtuar edhe më shumë profesionit të saj, në përpjekje për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish.