Të gjithë e njohin si ish-nënkryetare të KQZ-së, por janë të pakët ata që e dinë se ajo ka qenë edhe një qitëse e spikatur në vendin tonë, madje duke fituar edhe një vend në kombëtare.
Dëshira Subashi, pas një rezultati në një garë ndërkombëtare, është dekoruar edhe me titullin Naim Frashëri.
“Isha në gjimnaz dhe siç bëhej në atë kohë lënda e stërvitjes ushtarake, një ditë ishim në një poligon për qitje. Spikata në qitje, që bëhej si pjesë e programit mësimor. U interesua Klubi Sportiv Partizani,që të bëhesha pjesë e ekipit sportiv. E fillova. Shkoja çdo ditë në stërvitje dhe pata rezultate të larta. Shpejt u bëra pjesë e ekipeve kombëtare, e ndeshjeve ndërkombëtare me rezultate të mira. Me gjithë kohën me sportin, mësimi ishte më i pari. Rezultate të mira në shkollë, rezultate të mira në sport. Kjo ma ka bërë rininë aktive dhe të bukur. Krenari, pas një rezultati në një garë ndërkombëtare, dekorohem me titullin Naim Frashëri.
Pas përfundimit të studimeve të larta dhe fillova punë në Ministrinë e Tregtisë, më duhej të zgjidhja midis sportit dhe karrierës së punës. Ishte e dhimbshme të lija sportin,por isha e detyruar, për shkak se shkëputjet nga puna për aktivitetin sportiv nuk më mundësonin detyrën që mora. Kjo ndodhi në vitin 1980,duke lënë pas një investim timin sportiv prej 12 vitesh. Edhe sot e ndjek këtë sport fisnik, që kalit vullnet, durim e përqendrim maksimal”, do të shprehej disa vite më parë Subashi. Dëshira Subashi është një anëtare e Komisionit Qendror Zgjedhor të Shqipërisë për Partinë Socialiste të Shqipërisë
Dëshira Subashi ish anëtare e Komisionit Qendror Zgjedhor të Shqipërisë për Partinë Socialiste të Shqipërisë