Gjergj Kastrioti-Skenderbeu Hero Kombëtar i shqiptarëve
17 Janar, 2018 Njoftime, QSAGjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-17 janar 1468) personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë. Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre.
Figura e tij paraqet një nga ato raste, jo të shpeshta në histori, kur shtresat e ndryshme shoqërore të një kombi takohen me një personalitet të shquar, në të cilën gjejnë shprehjen e vet aspiratat e vetitë e tyre më të mira dhe që për këtë arsye bëhet simbol i bashkimit kombëtar dhe i luftës së tyre të përbashkët.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai e kuptoi, më qartë se kushdo tjetër, detyrën që shtronte çasti historik: nevojën e bashkimit politik si kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e interesave të të gjitha shtresave shoqërore, të pasura e të varfra, të kërcënuara tashmë prej pushtuesve osmanë në çështjet jetike.
Njohja e thellë e jetës, e botëkuptimit, e traditës dhe e luftës së shqiptarëve kundër pushtimit të huaj si dhe e organizimit të shtetit e të ushtrisë osmane, i dhanë mundësi Skënderbeut të ndërtonte me efektivitet të lartë gjithë veprimtarinë e tij si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak i shquar. Ai arriti në përfundimin se, përballë një pushtuesi të fuqishëm, siç ishte Perandoria Osmane, shqiptarët nuk mund të arrinin në fitore, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh, pa një bazë organizative të qëndrueshme, pa bashkërendimin e mjeteve dhe të burimeve njerëzore, ekonomike, ushtarake e materiale, pa bashkërendimin e të gjitha veprimeve që zhvilloheshin në rrafsh të brendshëm e të këtyre me veprimet e ndërmarra në rrafsh ndërkombëtar. Një nga hapat e parë në këtë drejtim qe themelimi, me nismën e nën drejtimin e tij, i Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës, që përbënte të parin bashkim të gjerë politik të shqiptarëve.
Duke njohur zhvillimin e ngjarjeve e perspektivën e tyre, Skënderbeu e kuptoi me kohë se nuk mund të mbrohej vendi, të çliroheshin viset e pushtuara dhe të zhdukej përfundimisht rreziku i pushtimit osman, duke qëndruar mbi bazën e Besëlidhjes Shqiptare si aleancë politike vullnetare, karakteristikë që ajo e kishte pasur në fazën e saj fillestare. Prandaj në gjirin e koalicionit të fisnikëve shqiptarë u krye dora-dorës një zhvendosje në raportin e forcave (që karakterizon etapën e dytë të veprimtarisë së Skënderbeut si burrë shteti), dhe që çoi në fund të viteve 50 në krijimin e një pushteti të vetëm shtetëror për të gjitha viset e lira shqiptare. Ai u bë themeluesi i shtetit të pavarur shqiptar.
Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, mbi të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug të viseve të lira, ai u dha mundësi nënshtetasve të tij të zhvillonin një veprimtari ekonomike e tregtare deri diku normale. Prandaj, ashtu si më parë, edhe në këto vite vazhduan të eksportoheshin nga portet e Adriatikut drithëra e prodhime të tjera.
Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu u kushtoi vëmendje viseve të pushtuara. U mbajtën kështu të gjalla dhe u forcuan më tej lidhjet me banorët e këtyre viseve, gjë që ndikoi në forcimin e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve dhe në konsolidimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, duke i dhënë mundësi të mbijetojë e të zhvillohet më pas në kuadrin e Perandorisë Osmane.
Procesin e bashkimit të shqiptarëve e favorizoi shumë edhe toleranca e lartë fetare e Skënderbeut. Si i krishterë i rritur në ambientin mysliman, ai qëndroi mbi dallimet fetare. Ai bashkëpunoi ngushtë dhe pa asnjë paragjykim me klerin e riteve të ndryshme dhe dërgoi si ambasadorë të tij në vendet e huaja priftërinj katolikë dhe ortodoksë. Respektimi i besimeve e riteve fetare ndikoi pozitivisht në procesin e bashkimit të shqiptarëve.
Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.
Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Ai e vlerësoi drejt rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, si kusht i nevojshëm për të përballuar agresionin osman. Duke patur të qartë se rrezikut osman mund t’i bëhej ballë me sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu iu drejtua pareshtur shteteve evropiane dhe kërkoi pjesëmarrjen e tyre në luftën kundër armikut të përbashkët, si dhe përkrahje materiale për luftën e popullit shqiptar.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti është i pandarë nga veprimtaria e tij si udhëheqës ushtarak i talentuar. Në kushtet e pabarazisë, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Këtë parim, të ndjekur prej tij, e shprehin me vërtetësi edhe fjalët që Barleci ka vënë në gojë të Skënderbeut, se “kush nuk është në gjendje ta mundë armikun me një ushtri prej 8 deri 12 mijë vetash, nuk do të mund ta bënte këtë edhe me një ushtri shumë më të madhe”.
Në kushtet e epërsisë së theksuar të ushtrive osmane në luftëtarë e në armatime, Skënderbeu për t’i mposhtur ato i mbante në alarm të përhershëm, i shqetësonte me sulme të vogla e të papritura. U priste rrugët e furnizimit dhe, pasi i kishte futur në kurth, i godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe i shkatërronte përfundimisht. Skënderbeu zbatoi një strategji të mbrojtjes aktive sipas parimit “mbrohu duke sulmuar”. Në betejat e ndryshme ai ndërthuri mjeshtërisht operacione të mëdha taktike-strategjike me tërheqje e sulme, me pusi e befasi të luftës guerile.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princët evropianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Edhe ai vetë luftonte i pangarkuar me armatime të rënda e me krah të shpërvjelur si një ushtar i zakonshëm. Në betejë ai ishte, në të njëjtën kohë, komandant i talentuar dhe ushtar i guximshëm, që me shembullin e tij bëhej burim frymëzimi për luftëtarët shqiptarë. Edhe në jetën e përditshme Skënderbeu ishte i thjeshtë dhe kohën e kalonte kryesisht me bashkëluftëtarët e tij, duke bërë jetë ushtari.
Skënderbeu gëzonte dashurinë nga bashkëkombësit e vet, jo vetëm sa qe gjallë, por edhe pas vdekjes. Figura e tij mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i asaj lufte që habiti botën me fitoret e saj legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin ta përsërisnin. Këngët që shqiptarët i thurën Skënderbeut, të cilat i këndonin me krenari edhe përpara pushtuesve, gojëdhënat e lidhura me vendet ku veproi e luftoi ai dhe me vise të tjera të banuara prej tyre, i dhanë atij tiparet e një luftëtari me forca vigane, të pajisur me trimëri të pashoqe, i cili i kalonte caqet e realitetit dhe merrte cilësitë e një figure që mishëronte aspiratat e një populli të tërë për liri e pavarësi.
Kujtimi i Skënderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi. Ai pati një shtrirje që kalonte kufijtë e Gadishullit të Ballkanit, kishte një rëndësi evropiane. Skënderbeu i detyroi të gjitha kohërat të flisnin për të.
Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj. Këtu e ka burimin ajo literaturë e shumëllojtë dhe shumëgjuhëshe, që i është kushtuar figurës së këtij Heroi, në të katër anët e botës. Kur vërshimi osman qëndronte si një shpatë mbi Evropën Qendrore, kur në Gadishullin e Ballkanit shpërthyen lëvizjet për çlirimin kombëtar etj., historianët, shkrimtarët e poetët e përdornin figurën e Heroit shqiptar si flamur frymëzues për mobilizimin e popujve të tyre në luftë për liri. Dëshmi e përhershme e vlerësimit dhe e respektit të thellë që kanë popujt e tjerë për Skënderbeun, krahas botimeve të shumta për të, janë sheshet dhe rrugët e Romës, të Parisit, të Brukselit, të Gjenevës dhe të qyteteve të tjera të vendeve të ndryshme, ku janë vendosur monumente e buste të tij ose që mbajnë emrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
NJOFTIMET E FUNDIT
Takimi i kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij me rektorët e universiteteve publike 29/06/2021
Takimi i rektorit të ASA-së dhe drejtorit të Institutit të Historisë me titullarët e Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Universitetit të Tetovës 29/06/2021
Konferenca mbarëkombëtare me temë: “Dramaturgu Etëhem Haxhiademi në fokusin e trajtimeve letrare e gjuhësore” 28/06/2021
Konferenca shkencore “DRAMATURGU-POET ETËHEM HAXHIADEMI NË FOKUSIN E TRAJTIMEVE LETRARE DHE GJUHËSORE” 22/06/2021
Konferenca shkencore “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë” 14/06/2021
Konferenca shkencore “Parlamentarizmi shqiptar ndër vite” 14/06/2021
Konferenca shkencore “Ramiz Abdyli, profesori dhe studiuesi model i historiografisë shqiptare” 14/06/2021
Vizitë e Ambasadorit Austriak në ASA 04/06/2021
Marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e Atlasit Etnografik të Fshatit në Shqipëri e Kosovë 27/05/2021
Mëngjes pune i rektorëve me Kryeministrin 26/05/2021
2017 © AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA.