Irma Kurti fituese e Çmimit Ndërkombëtar: “Universum Donna” për Letërsinë, ekuivalent i “Gruaja e Vitit” si dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” të vlefshëm për jetë, nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.
Nga Liliana Pere/Interviste/Histori suksesi . Gruaja Shqiptare ne Bote
Poete dhe autore e njohur e teksteve të suksesshme të këngëve të muzikës së lehtë, shkrimtare, përkthyese e gazetare.
Irma Kurti është botuese e shumë librave në poezi e prozë në shqip, italisht dhe anglisht. Ka fituar dhjetra çmime prestigjoze në Konkurse Ndërkombëtare në Itali dhe në Zvicër. E para shqiptare që në vitin 2013 fiton Çmimin Ndërkombëtar: “Universum Donna” për Letërsinë, ekuivalent i “Gruaja e Vitit” si dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” të vlefshëm për jetë, nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.
Irma Kurti jeton në Bergamo, Itali.
Shënime biografike:
Irma Kurti filloi të hedhë hapat e parë në udhën e letërsisë në moshën 10 vjeçare. Në vitin 1980 nderohet me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar me rastin e 35-vjetorit të Revistës “Pionieri”. Në 1989 klasifikohet në vendin e dytë në Konkursin e organizuar nga Radio - Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Poezi të saj botohen ndërkohë në gazetat e revistat "Drita", "Zëri i Rinisë", "Nëntori” dhe “Shqiptarja e re”.
Pas mbarimit të studimeve në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në degën e gjuhëve të huaja-anglisht punon si mësuese dhe më vonë gazetare në disa organe shtypi. “Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta” është libri i saj në publicistikë që përfshin artikuj dhe ese të botuara në faqet e shtypit.
Ka lëvruar poezinë, kryesisht atë lirike. Që në bankat e shkollës së mesme e në vazhdimësi emri i Irma Kurtit do të identifikohet si autore e shumë teksteve të këngëve nëpër Festivale në RTSH e Koncerte Pranvere. Një nga poetet e pakta femra që ka krijuar dhjetra tekste këngësh të suksesshme të cilat kanë merituar duartrokitjet e publikut e janë nderuar me çmime. Përmendim këtu: “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “E njejta ëndërr”, “Një çast në kujtesën tënde”, ”Larg nga vetvetja”, “Trokite tek dera”, “Nuk iu zemërova pranverës”, “Të jem për ty Number 1”, “Imazh i largët”, ”Nën dritën e qirinjve” etj.
Për auditorin e muzikës së lehtë, në maj 1998, Irma Kurti lançoi kasetën e më vonë CD-në me këngë me tekstet e saj më të njohura e në vitin 2013, CD-në e dytë.
Pyetje: L Pere
Keni filluar të shkruani që fëmijë. A ruani ndonjë mbresë të dikurshme që nuk është mbuluar nga pluhuri i harresës?
Pergjigje : I Kurti “E shtuna letrare artistike për fëmijë” në Radio Tirana që e prisja dhe e dëgjoja me emocion të jashtzakonshëm sa herë që në të citoheshin vargjet e mia. Gjithashtu, festivalet në RTSH, kur i ndiqja direkt në sallë; ai emocion i papërshkrueshëm, i rrallë, e rrethuar siç isha nga duartrokitjet e publikut, ndjesia e bukur e të qënurit anonime ndërsa në skenë më shqiptohej emri apo këndoheshin vargjet e mia.
Imazhi më i bukur i atyre viteve ishin prindërit e mi, ndihma e tyre e pakursyer, sidomos e babait tim në fushën e letërsisë. Ai ishte mjek, por mbi të gjitha, lexues i apasionuar. Shpesh trokiste në dyert e redaksive me poezitë e mia në duar, më sugjeronte tema që sot janë shndërruar në poezi e tekste këngësh, ka qenë bashkëbiseduesi dhe kritiku im më i madh, por që nuk më tha kurrë: “të lumtë!”. Në të gjitha librat që botoj, në çfarëdo gjuhe, dedikimi i vetëm është për prindërit e mi të mrekullueshëm: Hasan e Sherife.
Pyetje: L Pere
Si lindi bashkëpunimi me muzikën?
Pergjigje : I Kurti Në vitet e shkollës tetëvjeçare në qytetin e Elbasanit, ku kalova fëmijërinë, kam kënduar në disa festivale per pionierë, bile jam nderuar dhe me çmime. Kur zëri më la, ose më saktë, më braktisi guximi për t’u ngjitur në skenë, u lidha me këngën në një mënyrë tjetër, përmes teksteve.
Pyetje: L Pere
Në një intervistë jeni shprehur se krijimtaria juaj ndahet në para dhe pas ardhjes së demokracisë, në atë para emigrimit në Itali dhe pas. Pse kjo ndarje, çfarë e dallon krijimtarinë tuaj të atëhershme me të tanishmen?
Pergjigje : I Kurti Për mua kjo ndarje ka më tepër kuptim kohor, simbolik. Poezitë e tekstet e këngëve që kam krijuar përpara viteve 90-të janë lirika dashurie, të tilla mbeten dhe sot e nuk do t’u ndryshoja asnjë presje. Kur mendërisht krijimtarinë time e ndaj kështu, nuk kam se si të mos mendoj vështirësitë e shumta me të cilën duhej të përballej një vajzë e re, e papërvojë në një botë të egër e cinike ku askush nuk ia hapte dyert. Atëhere botimi i një libri ishte utopi dhe po kështu e paperceptueshme pjesëmarrja në Festivalin e vetëm të këngës në RTSH. Jam e lumtur që megjithë brishtësinë time, munda ta shkel atë kështjellë e të lë një gjurmë.
Lidhur me pjesën e dytë të pyetjes, tematika e krijimtarisë sime në emigrim ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme. Duke jetuar larg, unë e shoh realitetin shqiptar nga një tjetër këndvështrim, poezia e proza ime përmbajnë nostalgji, po dhe mllef e zemëratë.
Pyetje: : L Pere Nga buron zemërimi juaj?
Pergjigje : I Kurti Në kthimet e mia në Tiranë nuk mund ta mohoj që zemërohem e trishtohem kur takoj sërish ato fenomene e dukuri që më detyruan të largohem përfundimisht gati 10 vjet më parë: politikanë pa skrupuj, zyrtarë të korruptuar dhe të pasjellshëm, mosrespekt ndaj gruas, mentaliteti i mbyllur e gjëra të vogla banale të së përditshmes si autobuzët e mbushur përplot, zvarritja e tyre nëpër rrugë, tymi i cigareve në lokale, thirrjet e bisedat me zë të lartë, etj.
Pyetje: :L Pere Jeni fituese e dhjetra çmimeve të rëndësishme në Konkurse Ndërkombëtare. Si kanë influencuar këto në proçesin tuaj krijues?
Pergjigje : I Kurti Çmimet kanë luajtur një rol të rëndësishëm, së pari, në planin personal. Ato më shtuan besimin tek vetvetja dhe tek talenti im per të shkruar, më ndihmuan të ringrihem në këmbë dhe të rilind. Të gjitha ato ndjesi që vendi im m’i zbehu, m’i shtypi e m’i ndrydhi duke më kthyer në një qënie të dobët dhe të pasigurtë, duke e shndërruar ekzistencën time në hije. Por çmimet kanë rëndësi dhe më gjërë, sepse në çdo fitore unë përfaqësoj Shqipërinë dhe kontribuoj sadopak në kapërcimin e barrierave që ngrejnë paragjykimet.
Pyetje: : L Pere
Aktualisht, cila është lidhja juaj me Shqipërinë?
Pergjigje : I Kurti
Shqipëria është pjesë e pandarë e krijimtarisë sime. Në Tiranë më kthen botimi i librave dhe lidhja që kam me lexuesin shqiptar; kjo lidhje është e fortë dhe nuk mund të këputet. Por e tashmja dhe e ardhmja ime janë në Itali. Nuk jetoj e dyzuar dhe nostalgjia e malli per vendin tim nuk janë shkatërruese.
Unë i jam mirënjohëse Italisë, mbi të gjitha, sepse më zgjoi nga gjumi letargjik ku kisha rënë në apartamentin tim të vogël në Tiranë, e mënjanuar nga klanet, hatërllëqet, makinacionet dhe hipokrizitë e botës së artit, pjesë e të cilave nuk mund të bëhesha dot.
Pyetje: : L Pere A ka qenë e lehtë rruga e suksesit per Irmen?
Të shkruash për mua është jo vetëm pasion por dhe një disiplinë. Si e tillë ajo kërkon punë të vazhdueshme, këmbëngulje dhe sakrifica. Kam bërë një rrugëtim të gjatë dhe të vështirë, shpesh jam rrëzuar, jam zhgënjyer, jam vrarë në shpirt. Por kur emocionet i ndaj me lexuesit, kur marr prej tyre mesazhe falenderimi dhe vlerësime, kur pas gati 30 vjetësh vargjet e këngëve të mia këndohen ende me nostalgji, fjalët nuk mund të shprehin gëzimin e mirënjohjen. E megjithatë kam qindra mijra kilometra të tjerë për të përshkuar dhe plot objektiva që më presin per t’u realizuar.
Ju falederoj Irma per intervisten e bukur te nje z me krrimtari te bukur dhe te vleresuar. Mirenjohje dhe urime nga zemra e dashur Irma, je krenari e grave te vendit tend dhe e e gjithe Shqiperise me krijimtarine tuaj te suksesshme.