Jeta Dedja është Kryeredaktore e gazetës shqiptaro-kanadeze Flas Shqip. Ajo jeton në Toronto, Kanada.
Arsimi:
BA & studime pasuniversitare në Psikologji
BA & Master i së Drejtës Civile
Libra
Psikologjia e Personalite
Kohë për të jetuar - Nga Jeta Dedja
Nga: Jeta Dedja Një mike e mirë po më pyeste se ku e gjej kohën të bëj gjithë gjërat që bëj. Në fakt koha na jepet njëlloj të gjithëve, ne vetëm ndryshojmë nga mënyra se si i xhonglojmë aktivitetet ose detyrat gjatë ditës. Hidh e prit mes momentesh, tund, shkund, spostoj, afroj momente të së tashmes së vazhduar. Nuk jam e vetmja që bëj kështu, apo jo? Shpesh herë mendoj se i bëj qejfin vetes kur mendoj se ia hedh kohës, manipuloj momentet, organizohem perfekt. Urra, paskam kohë për gjithçka! A thua është e vërtetë kjo? Koha është një mike dhe armike që na ndihmon kur punojmë dhe na tërbon kur kalon. Një tik-tak pritjeje është i bekuar po aq sa i mallkuar. Një minutë heshtjeje është e rëndë sa bota, po aq lehtësuese sa fjala e keqe e pathënë. Orë të kaluara në apati, hallakatje pa qëllim, rrethe vicioze dëshpërimi, ose ëndërrime syhapur janë pishmanet e disa prej atyre kur kthejnë kokën pas në të tashmen e djeshme. A ta ndalim kohën e ta kthejmë momentin? A thua koha është një matës si në celular me një start dhe një fund? Gati, fillo! Gati, ndalo! Sikur të ishte kështu sa herë të panumërta startesh do të kërkonim? Njëlloj si provat e teatrove, “Prit se nuk e thashë mirë këtë frazë, ta filloj dhe një herë”? Eh, në jetë edhe pse disa herë momentet e jetës i ngjajnë teatrove, koha është ajo që vetëm ecën në të tashmen e saj të vazhduar. Frika se një moment më kalon pa u ndjerë shpesh më shtyn të kërkoj e bëj sa më shumë në jetë. Ndonjëherë kam frikë se do bëj armiqësi me gjumin që na mposht dhe na merr kohën që na takon. Si në ëndërr dëgjoj veten të thërras “Carpe diem”- jetoje momentin, mos e lër të kalojë pa jetuar. Bëj gjithçka mundesh, ji aktive, mos u zhyt në kolltuk duke menduar sa rehat është të rrish. Jeto me tik-takun që shoqëron qënien tënde qëkur zemra rrahu për herë të parë. Zemra është koha jote, koha ime, koha juaj. Bëje jetën të rrahë si një zemër, pa pushim. Mos ndalo së jetuari çdo moment! ©Jeta Dedja Montreal, 25 Qershor 2021