Lili Tafaj është një ndër pianistet e para dhe nga më të shquarat e vendit tonë, me një kontribut shumë të çmuar si pianiste koncertiste, koncertmaestër e këngëtarëve lirikë, instrumentistëve të ndryshëm dhe solistëve të baletit.
Karriera e saj 40-vjeçare pranë TKOB-it, që nga themelimi i tij, flet për një artiste të madhe që jetën dhe dashurinë e saj ia kushtoi pianos dhe e bëri atë të dashur për publikun anembanë vendit.
Shumë vepra pianistike të gjinive të ndryshme, që nga më të thjeshtat e deri te më madhoret, kanë njohur interpretimin nëpërmjet duarve të Lili Tafajt.
Repertori i saj artistik është i gjerë dhe i larmishëm, duke filluar nga miniaturat e albumet për fëmijë, deri te veprat e mëdha pianistike, sonatat, koncertet e autorëve tanë si Harapi, Zadeja, Ibrahimi, Dizdari dhe të autorëve të huaj si Bach, Hendel, Haydn, Mozart, Liszt, Ravel, etj.
Ajo ka interpretuar me shumë sukses edhe në skenat e huaja si në Kinë, Francë, Rumani, Hungari, Finlandë, Norvegji, Holandë, Turqi, etj.
Nuk mund të mos përmendim me qindra koncerte të ndryshme që ka dhënë kjo pianiste para publikut shqiptar, koncerte recitale, vokale, simfonike, instrumentale, por dhe incizimet në Radio Tirana, Televizionin Shqiptar apo regjistrimin e kolonave zanore të filmave.
Lili Tafaj pianiste me kontribute në fushën e muzikës. U lind më 1933. Vdiq në moshën 70 vjeçare, më 30.04.2003Eshte ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare pianistja e njohur Lili Tafaj.
Lindur në një familje intelektualësh, Lili Tafaj spikati për talentin e saj që në moshë të vogël.
Pasi përfundon shkëlqyer liceun "Jordan Misja", ajo vazhdon Institutin e Lartë të Arteve.
Më pas specializohet nën drejtimin e dy pianistëve të shquar, Cen Pin Gan dhe Ana Iftinki.
Në vitin 1950 nis punë në Estradën e Shtetit dhe me formimin e Teatrit të Operës emërohet pianiste e këtij institucioni, ku punon deri në vitin 1990, kur del dhe në pension.
Ajo është shquar për një vullnet te jashtëzakonshëm, teknikë të lartë dhe pasion të rrallë. Lili Tafaj nuk luajti vetëm në skenat shqiptare, por dhe në ato të botës si: në Kinë, Rumani, Francë, Finlandë, Norvegji, Turqi etj.
Ajo luajti që nga miniaturat, albumet për fëmijë e deri te veprat e mëdha pianistike, sonatat, koncertet etj.
Ajo ishte e para pinaiste që mori dorëshkrimet e kompozitorëve tanë e u dha jetë, duke i incizuar në radio. Për meritat e saj, Lili Tafaj është vlerësuar me "Medaljen e Punës", "Urdhrin Naim Frashëri", titullin Artiste e merituar. Lili Tafaj ka hyrë në fondin e historisë së muzikës sonë si një ndër pionieret e pianistikës shqiptare.