Rea Papajani (Polena)
Është vajza e parë, doktoresha e parë dhe krenaria e parë e doktor Polenës që, gjithashtu, eci në hapat e të atit të saj të nderuar, ashtu si edhe 5 fëmijët e tjerë. Rea ka lindur në Korçë më 2 mars 1933. Rea Papajani (Polena) ka mbaruar gjimnazin me medalje të artë në vitin 1951 dhe pastaj vazhdon studimet në Universitetin e Tiranës në degën e mjekësisë. Ajo është brezi i parë i studentëve 1952-1957 ku përfundon studimet me rezultate shkëlqyeshëm. Më pas specializohet pranë maternitetit të Tiranës “Mbretëresha Geraldinë”, në Obstetrikë-Gjinekologji nga viti 1957 deri më 1959.
Gjatë viteve të studimeve njihet me doktor Kol Papajanin, djalë i një familjeje të njohur të lagjes Kala në Elbasan. Në vitin 1959, ajo fillon punën si mjekja e parë obstetre-gjinekologe pranë maternitetit të Elbasanit, edhe si mjekja e parë për Elbasanin në këtë fushë, ku dhe emërohet drejtoreshë e këtij institucioni. Në këtë periudhë materniteti i Elbasanit mbulonte nevojat e gjithë qarkut të Elbasanit që përfshinte qytetet: Elbasan, Gramsh, Librazhd, Peqin, Cërrik, si dhe zonat me gjithë fshatrat e tyre. Nga viti 1959 e deri më 1967 ajo ka qenë mjekja e vetme në këtë maternitet dhe puna në këto vite ishte 24 orë pa pushim. Në këto vite, Rea Papajani thirrej për urgjencat e maternitetit në çdo orë të ditës apo natës, ditë jave apo ditë feste apo pushimi. Siç kujtojnë fëmijët e saj, Ingridi dhe Feliksi, shpeshherë edhe ata vetë gjendeshin në ambientet e maternitetit, pasi ambulanca vinte dhe i merrte në kinema, vizita familjare apo edhe në lokale. Rea gjithmonë ka qenë në gatishmëri për çdo pacient jo vetëm në ambientet e maternitetit, por edhe në shtëpinë ku banonte. Ajo ka qenë gjithmonë e mbështetur dhe e ndihmuar nga një ekip mamish njëlloj të përkushtuara si ajo, si Sofie Tollumi, Irini Xhajanka, Liri Gjeçka Marie Gjergji, etj. Ngjashmëritë e kësaj doktoreshe të përkushtuar dhe të nderuar njëkohësisht ishin si tiparet e veçanta që kishte po në Elbasan edhe Doktor Nosi, ashtu si edhe babai i saj, Doktor Polena, tamam ashtu siç e kërkon profesioni i doktorit, që duhet thënë se sot lë shumë për të dëshiruar.
Duhet të them se në këto vite, përveç mungesës së personelit të nevojshëm për një qark me kaq shumë nevoja, e vështirësonte mjaft punën edhe mungesa e mjeteve të domosdoshme për ndërhyrjet si operacionet apo abortet, mungesa e serumit dhe e rezervave te gjakut. Por që të gjitha këto mbuloheshin, në një farë mënyre, me aftësitë e doktoreshë Rea, me përkushtimin dhe gatishmërinë e kësaj gruaje që fati i kishte caktuar të ecte në gjurmët e të atit të saj, Sotir Polena. Nga ana tjetër, në këto vite pacientet që i drejtoheshin maternitetit, vinin në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore për mungesë transporti, mungesë personeli mami në zonat e thella, mentaliteti i prapambetur.
Kujtime të veçanta të doktoreshë Reas
Në kujtimet e saj, doktoreshë Rea përmend një të diel kur në maternitet paraqiten rreth 5 raste tepër urgjente (me anemi të theksuar dhe në gjendje shoku) dhe rezervat e serumit ishin vetëm 5 litra, dhe gjak nuk kishte asnjë pikë. Në këto kushte ekstreme, doktoreshë Rea mori vendimin të thërrasë një nga donatoret e përhershme, zonjën Tipa Blida, për të dhuruar gjak dhe kështu shpëtoi jeta e një zonje. Një moment tjetër që ajo do ta kujtojë gjithmonë: gjatë një operacioni, në momentin që mjekja nxjerr fëmijën ndërpritet energjia elektrike. Ky ishte një moment tepër deçiziv për jetën e gruas, por ajo, si gjithmonë, gjakftohtë dhe e shpejtë në veprime, e zgjidhi këtë situatë me mjete rrethanore, gjë që sot nuk mund ta imagjinojnë mjekët e rinj. Gjatë viteve të punës pranë maternitetit të Elbasanit ka kryer ndërhyrje nga më të ndryshmet, si të urgjencës dhe të planifikuara. Në vitin 1967, në kuadrin e qarkullimit që bënte pushteti i asaj kohe, doktoreshë Rea largohet nga materniteti dhe emërohet drejtoreshë e Drejtorisë së higjienës rrethi Elbasan, ku dhe punon deri në fund. Gjatë këtyre viteve, nën drejtimin e saj, drejtoria e higjienës së Elbasanit vlerësohet mjaft pozitivisht disa herë në rang republike.
Për doktoreshë Rean, Elbasani u bë qyteti i saj i dytë pas Korçës, qytetit të vendlindjes mjaft i dashur dhe i rëndësishëm. Në Elbasan ajo ndërtoi një familje të shëndetshme dhe gjatë gjithë jetës ajo pati në krah jo vetëm si bashkëshort, por edhe si koleg Doktor Kol Papajanin. Ajo kujton me shumë mall e respekt vitet e vështira kur ajo së bashku me kolegët e vetë si: dr. Ali Deliallisi, dr. Rreshat Kapshtica, dr. Esat Bordi, dr. Bedri Xhomo, farmacistin e talentuar Kiço Shqau, dr. Emil Mborja, Dhimitër Bardhin, bënin konsulta për rastet vështira dhe mbështesnin fuqimisht njëri-tjetrin për zgjidhjet e tyre të vështira. Përveç punës së saj si mjeke, Doktoreshë Rea ka qenë dhe një aktiviste e shquar dhe aktive për emancipimin e gruas dhe rinisë me temat që ka mbajtur në konferenca të ndryshme me bisedat, këshillimet pranë rinisë gjatë viteve kur ndërtohej hekurudha Elbasan – Pogradec, apo në zonat e thella të qarkut të Elbasanit.
Në vend të epilogut
Emrat e nderuar të mjekësisë shqiptare janë të skalitura në kujtesën e njerëzve në të gjithë Shqipërinë. Jo vetëm Korça me doktor Polenën dhe doktor Mborjen, jo vetëm Elbasani me Doktor Nosin e të tjerët e sipërcituar, por edhe doktor Koço Glozhenit në Tiranë dhe shumë e shumë emrave të tjerë që janë absolutisht të mirënjohurit e doktoraturave në specialitete të ndryshme, janë bashkësia e një mozaiku të bukur që ndrisin në kujtesën tonë qytetare. Ajo që është më e rëndësishme është fakti se ata përbëjnë edhe shembullin e doktorit të çdo kohe që të priret nga përkushtimi dhe humanizmi, nga respekti për njeriun dhe ndershmëria. Kjo më kujton këshillën që Grigorit, babait të doktor Nosit kur i tha të birit që dashuronte mjekësinë se “në këtë profesion biri im, nuk ka ditë e nuk ka natë, nuk ka të bardh apo të zi, nuk ka të pasur apo të varfër, të gjitha duhet të kesh njëlloj, ndaj vare vath në vesh këtë gjë”.
Përgatiti:
Hyqmet ZANE