“….Suksesi më e i madh për mua është familja…..”
Profili i Merites.
Merita McCormack (Bajraktari nga vajzëria), është autore e veprave letrare dhe njëkohësisht edhe presidente e Degës Rajonale për Uashington DC, të Federatës pan –Shqiptare të Amerikës “VATRA”. Ajo ka ditlindjen këtë muaj dhe duke ju drejtuar me urmin: “Ta gezosh ditëlindjen”, i bëmë edhe disa pyetje, përgjigjet e të cilave dëshirojmë t’i ë ndajmë e lexuesit. Pyetjet ishin për të mësuar diçka nga aktiviteti letrar e kombëtar i Meritës.
E lindur në qytetin e Korçës, rritur dhe shkolluar fillimisht në fshatin Cangonj të Devollit, edukuar nga familja me ndjenjen e dashurisë, mirëkuptimit dhe respektit, Merita është një grua e nënë por edhe një talent i spikatur në letërsi dhe një mike e mirë. Merita është diplomuar në Universitetin Bujqësor në Shqipëri, në Degën Ekonomi ndërsa dilpomimin pasuniversitar e ka Magjistraturë në Biznes dhe Administratë nga Universiteti i Surreit, në Gildford, Angli.
Merita , e cila ka jetuar në disa vende pë shkak të punës, tashmë jeton në Uashington DC, SHBA me bashkëshortin e saj Xhon dhe me tre fëmijët e tyre. Përvec punës në profesionin e saj, Merita jep një kontribut të vyer në letrat shqipe duke integruar këtë kontribut me drejtimin Degës së federates pan-shqiptare te Amerikes Vatra në Uashington DC.
Ne dejet e korcare-devolleshës vlon gjak shqiptari, dhe puna e kontributi i saj radhitet me kontributet e shumë bashkëatdhetarëve në mërim, për të evidentuar, promovuar e rritur vlerat më të mira të Kombit Shqiptar. Biblioteka e Kongresit Amerikan ka koleksionin me të madh të veprave në gjuhën shqipe jashtë teritorit të republikës shqiptare. Aty, Merita, që në fillimet e jetës në Uashington DC, ka insistuar që të ndahej klasifikimi i literaturës shqiptare nga literatura sllave, sepse ishte e klasifikuar në të njejtin division. Me perpjekje e kerkesa të vazhdueshme dhe me mirëkuptim e mirëpritje nga përfaqësuesit e Bibliotekes, aty u be krijimi i Tavolinës Shqiptare , pra letersia shqiptare ka tashmë divizionin e saj brenda divisionit European. Merita ka pasuruar këtë bibliotekë duke sugjeruar vepra letrare shqipe që në kohën e komunizmit ndaloheshin në Shqipëri dhe po ashtu me letersi te re bashkekohore. Aktivitet e komunitetit shqiptar organizuar nga VATRA shpeshherë mbahen në këtë institucion.
Ju lutem ndiqni bashkëbisedimin.
****
-E dashur Merita:Nëse do te ktheheshim ne kohë disa vite te shkuara te jetes tuaj, të kujtonim femijërinë e ëndrrave tuaja ,Familjen tuaj te prinderve ,shkollën ku keni mesuar, kur dhe ku keni lindur , cfare mbresash dhe kujtimesh jane rradhitur ne mëndjen tuaj ne vite?
**
Kam lindur në qytetin e Korçës më 27 janar në një vit që tashmë duket shumë larg, por që për prindrit e mij duket shumë, afër,sikur ishte dje, megjithëse më 27 të këtij muaji, dhentë Zoti të jemi gjallë, unë do të jem fëmija pesëdhjetëvjeçare e prindërve të mij
Familja ime e origjinës nga babai eshte familja Bajraktari nga fshati Cangonj i Devollit, kurse nga nëna është familja Kalaja nga fshati Zëmblak i Korçës.
Fëmijëria ime ishte si për gjithë brezin tim, e njëjtë në kuptimin e kolektivitetit dhe uniformitetit, aspak e veçantë në fakt nga e përgjithshmja, si shoqëri, për brezin tim, por e veçantë si për këdo, kur vjen puna në vecantinë familjare. Kam përjetuar dashuri nga brezat familjarë në familjen time , nga prindirt, vëllezërit, dhe si çdo kush që krenohet veçanërisht me gjyshërit e vet, unë nuk ndahem nga kjo paradë krenarie shqiptare dhe më vjen keq që fëmijet e mi nuk janë rritur afër me gjyshërit e kushërinjtë. Mbaj mend të qeshura të shumta, shumë të afërm rreth e rrotull dhe komunikim të mrekulueshëm.Prindrit e mij që shumë të dashur me nëri tjetrin dhe harmoni familjare.
Natyrisht edukimin njeriu e merr në familje dhe nuk do të ishte e drejtë të mos e vija në dukje ketë fakt, pasi prindrit, gjyshërit dhe familjarët e tjerë të afërm kanë qenë e mbeten edukuesit primarë, por për t’iu përgigjur pyetjes suaj që ka të bëjë me shkollimin akademik ndoshta, atë edukim fillestar e morra në fshatin Cangonj të Devollit, dhe më vonë në Progër, nga mësues të mrekullueshëm, që ishin nga qyteti i Korçës por edhe ndonjë nga fshatrat përreth por çdo mësues ose mësuese e imja ka qenë e mbetet një person i dashur dhe i respektuar. Kam frikë se po permenda emra do le jashtë dikë por po e shkruaj kështu : çdo mësues a mësuese nga vitet 1971-1984 që ka punuar në Cangonj dhe Progër dhe ka qene mësues/e i im/e imja është një person i dashur dhe i nderuar për mua. Sakrifica e këtij brezi mësuesish është e veçantë dhe duhet vlerësuar e çmuar. Iu jam mirënjohëse te gjithëve! Me disa jam edhe mike në fejsbuk dhe për mua mbeten ngaherë mësues e unë ngaherë do të mbetem nxënësja e tyre.
Diplomimi im professional në Shqipëri ka qenë në fushën e ekonomisë bujqësore, ndërsa ai i fundit ka qenë Magjistratura në Biznes dhe Administratë nga Universiteti i Surreit, në Gildford, Angli.
**
Kur jeni larguar nga Shqipëria,cilat kane qënë arsyet, dhe si ka vazhduar angazhimi juaj për familjen punën, dhe komunitetin?
**
Jam larguar nga Shqiperia herët në vitin 1994, një ditë pas martesës tradicionale shqiptare dhe shtatë ditë para martesës sakramentale në Romë, Itali.
Unë tani jetoj në Uashington DC, SHBA me bashkëshortin tim Xhon dhe me tre fëmijët tanë. Punoj për të ardhura financiare në profesionin tim si ekonomiste ndërsa kontributin vullnetar dëshiroj ta jap kur mundem aty ku kam deshirat e zemrës e natyrisht një prej tyre mbetet kontributi në çështjen shqiptare. Për këte unë jam e angazhuar në komunitet dhe së bashku ne mundohemi të ndihmojmë në avancimin e njohjes së traditës, kulturës dhe gjithçka të mirë shqiptare.
**
-E dashur Merita:Sa i vështirë ka qenë adaptimi aty dhe cilat janë disa nga sukseset tuaja? -Amerika, garanton liri dhe mundesi per gjininë femërore. A e patët të lehtë me familjen që krijuat, cilat ishin vlerat e saj unike dhe ecuria e saj e për në syte tuaja e ‘’shenjte’’, si u përballët me kulturën dhe jetën Amerikane ?
**
Adaptimi jashtë Shqipërisë ka qenë si të thuash sinonim i vështirësisë së rritjes, që paralelisht sjell edhe kënaqësi, sepse gjithçka që arrihet me mund , djersë e vështirësi ka vlerën e saj unike. Suksesi im më i madh gjer më këtë ditë e derisa të marr frymën e fundit eshtë e do mbetet martesa ime me Xhonin , krijimi i familjes sonë dhe qëndrueshmëria martesore e familjare. Në rrethanat në të cilat emigranti ndodhet, kur je jashtë territorit të njohur, kur je larg familjes e të afërmeve dhe në një vend të panjohur, mes njerëzve që kanë komplet tjetër kulturë e traditë, është e vështirë të fillosh nga e para. Vështirësitë janë nga më të nryshme, që nga gjetja e punvs, shtëpisë, skomunikimi, njohja me regullat traditat, komunitetet, sepse bota jashtë shqipërisë është një mjedis I amdh me minimjedise Brenda saj. Vares se në cilin mjedis gjendesh.Kështu që qëndrueshmëria familjare dhe ecuria e saj është e shenjtë. Nëse ke familjen çdo gjë tjetër që nuk ka rëndësinë e martesës apo familjes, s’ka atë rëndësi,sepse ke bazën të forte. Shumë gjëra , pavarësisht nga parametrat e botës, ku ca duken të mëdha e ca të vogla, por krahasuar me familjen, s’janë asgjë tjetër përveç se një “minisukses” e instrument ndihmues duhen konsideruar si të tilla dhe duhet bërë seleksionimi se c’farë ka rëndësi reale dhe kujt i shërben. Parimi ynë familjar është që cfarëdo që ne bëjmë duhet t’i jape lavdi Zotit, nëse ajoqë palnifikojmë të bëjmë nuk e përmbush atë parameter ne nuk e nisim.
**
Në fushën e krijimtarisë aq shumë tëëndërruar nga fëmijeria, pas largimit nga Shqipëria ju keni krijuar letërsi dhe keni marrë kritika të mira ndër vite. Vlen të theksohen kritikat letrare të të ndjerit profesor Peter Priftit ndër to. Keni shkruar edhe në Anglisht dhe jeni botuar edhe në rumanisht. Mund të sillni në vemendjen e lexuesit disa vepra letrare?
**
Krijimtaria ime, e realizuar pas largimit nga Shqipëria për arësye që I kam treguar në intervista e raste të tjera, ka qenë e fokusuar në temat letrare, kryesisht poezi dhe prozë dhe kolumne me tema sociale për shtypin e Diasporës më së shumti..
Vëllimi i parë poetik ka qenë kushtuar krejt ndjenjës së amësisë. Eshtë kaq bukur të jesh Nënë!!! Titulli është “ Me Zërin e Zemres” dhe është si të thuash një seri këngësh amësore, të dala prej zemre , lidhur në vargje poetike .
Vëllimi i dytë poetik në fakt ka poezi të shkruara në vite të ndryshme dhe ka një tematikë më të gjerë se sa të qenit prind.
Shumica e poezive i kushtohet vendlindjes dhe njërëzve të vendit tim. Ai titullohet “Tinguj malli”. Të dyja ballinat e këtyre vëllimeve janë dezinjuar e pikturuar nga vajza ime.
Vëllimi me tregime në shqip, “Lulet e jargavanit “, ka histori autobiografike dhe disa janë thjesht fantazi krijuese bazuar nga jeta në Shqipëri.
Tregimet e përfshira në botimin në Anglisht. “The Lilac Flowers” janë shkruar ë gjuhën e huaj sepse pershkruajnë dhimbje e fate njerëzish që në gjuhën shqipe e kisha shumë të vështirë t’i shkruaja. Ishte process emociounes.
Pra ishte, si të thuash një eksperiment të shkruaja në një gjuhë të huaj por edhe të çlodhja pak trurin e shpirtin. Ishte disi më lehtë kur e shkruaja në Anglisht se fokusohesha në percjellje ngjarjeje se sa në efektin e tyre tek unë.
Kurse botimi rumanisht ishte me dëshirën e bashkëpatriotëve tanë në Rumani të cilëve ju jam mirënjohëse. Ai vëllim perfshin poezi të ndryshme që janë botuar më parë në shqip. Botimet e tjera si dy antologjitë letrare me autore vajza e gra shqiptare “Mozaikë të nj portreti” dhe “Nënës” kanë qenë frut i një kontributi të përbashkët me miket bashkëautore me të cilat komunikonim virtualisht në forumet elektronike të para një dekade ose më herët.
**
-E dashurMerita. sillni në vëmëndjen e lexuesve disa eksperienca të bukura te ne lidhje me projektin me vlere te perkthimit te librit Liza ne Boten e Cudirave ne gjuhën shqipe , për të cilën kanë folur dhe media prestigjioze si “Zeri Amerikës” etj? Veprimtarisë kushtuar 150 vjetorit të Lizës në Botën e Çudirave ju kushtua vemendje nga Gazeta Dielli, e vetmja media shqiptaro-amerikane me një moshë mbi shekullore.
Liliana.Po citojmë materialin nga Zëri i Amerikës:
Në hartën e përbotshme që ka pushtuar Liza në botën e Çudirave, gjiëthsesi është dhe Shqipëria. Dhe ne shqiptarët që jemi aty duartrokasim sapo në ekran shfaqet harta e Globit dhe me një pikë të kuq është shënuar “Albania”, ku aventuarat e Lizës kanë qenë tepër të vecanta….. Dy shkrimtaret shqiptare, Merita Bajraktari McCormack dhe Lindita Komani, kanë meritën që në këtë përvjetor të 150-të të jetë e përfaqësuar edhe Shqipëria dhe ato janë pjesë edhe të punimeve që shfaqen në ekranin e madh.
**
E dashur Merita;Në fakt ky vit ka qenë viti i “Lizës në Botën e Çudirave në të gjithë Botën, por veprimtaritë për Amerikën e Veriut kulmuan këtu në New York - deri në fund e Tetorit 2015. Kryevepra e Lewis Carroll”Alice in Wonderland”, është nderuar në Nju Jork në mënyrë madhështore, me ekspozita, panaire, promovime, eskursione, si në Centarl Park, shfaqje filmash etj.. Pak më shumë , edhe për lexuesin e kësaj interviste?
**
Ah, po, ky ka qenë projekt shumë interesant.
Lindita Komani nga Tirana dhe unë, ndihmuar e mbështetur nga një grup i gjerë bashkëatdhetarësh, dua të vecoj e falenderoj Z.Van Christo këtu përe rekomandimin tim, por edhe të tjerë, si botues shquptarë, lexues, perkthyes, kërkues, historianë etj, punuam për pesë vite për të studjuar këtë vepër botërore njëqind e pesëdhjetëvjeçare në gjuhën shqipe dhe ecuritë e cilësitë letrare të botimeve. Ajo që e bën këtë projekt me shumë vlerë është jo vetëm zbulimi i cilësisë gjuhësore e letrare së vëllimit të parë nga Beqir Cela dhe Hysjen Cela, vepër e botuar në dialektin e bukur gegrisht, por edhe fakti që një studim i kësaj vepre në gjuhën shqipe për herë të parë përfshihet në studimet dhe aktivitetet botërore që bëhen për çdo pesëdhjetë vjet për nder të këtij botimi me famë. Ky projekt konkludoi me një botim tre voluminoz ku botohet bibliografia dhe eseja me rastin e ketij studimi. Lexuesit janë të mirëpritur të lexojnë materialet në Gazetën “Dielli” apo të dëgjojnë programin e plotë tek Zëri i Amerikës që pasqyroi aktivitetin më datën 11 tetor, 2015. Ishte vërtet njëpunë e mundshme por shpërblyese në kuptimin shpirtëror J
**
-E dashur Merita; C’fare mbështetjesh keni pasur që krahas të qenurit grua e nënë, punës tuaj ju jeni edhe autore dhe përkthyese e publikuar; Sa vështiresi keni patur në këtë rrugë suksesi e angazhimesh ?
**
Angazhimet e mia prioritare mbeten të qenurit bashkëshorte dhe nënë. Natyrisht mbështetja e shtylla ime mbetet bashkëshorti im dhe fëmijët tanë. Sa për punën dhe angazhimet e tjera, le të themi se puna mbetet punë, është tetë orëshe, mundohem mos i hyj në borxh punës por as mos më hyjë puna në borxh kur shkruaj apo flas shqip J. Pra priortizimi i gjërave, kush vjen më parë…Angazhimet e mia si shqiptare kanë qenë e mbeten ato me komunitet shqiptare jashtë Shqipërisë, pasi kështu mbaj jo vetëm komunikimin hapur me vendin e origjinës e njerëzit e gjakut, por edhe identitetin e trashëgiminë time gjallë. Në çdo vend ku kam jetuar, unë jam munduar të komunikoj me vëllezërit e motrat e gjakut, dhe kudo ku kam gjetur komunitete shqipfolëse, gjithmonë kam gjetur ngrohtësinë e shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve amtare dhe në fakt shpirti im kështu është ndihmuar e plotësuar me shqiptari! Prej një periudhe të gjatë tashmë jam e përfshirë me komunitetin shqiptaro-Amerikan dhe me federatën pan-Shqiptare të Amerikës VATRA dhe falenderoj të gjithë vatranët për sakrificat vetmohuese për të ndihmuar çështjen kombëtare shqiptare. Unë nuk jam aspak e denjë të jem mes tyre, I falenderoj për besimin dhe miqësinë vëllazvrore që më japin. Krijimtaria letrare është hobi, të cilën e zhvilloj duke hedhur shpesh mendimet në letër, kur gjej pak kohë! Vështirësitë janë nga më të ndryshmet, por po nuk kalove nëpër vështirësi, nuk prodhon gjëra të mira J Mund të theksoj se koha dhe financat janë dy vështirësi madhore, por Zoti ngaherë siguron e jep! Jo m kot ai ka thënë “ Kërko e do të marrësh, trokit e dera do të të hapet, kërko e do të gjesh!” (cituar nga Mateu 7 :7)
**
Sa nostalgike eshte Merita per vëndin e vet, dhe si është komunikimi me Shqipërinë dhe komunitetin aty ku jeton ?
**
Mos më pyet!! Shumë!!! Kur dëgjoj muzikë shqipe më r tërë dita mendja aty e këndoj me vete disa here e pastaj prekem e ndjehme keq… Eshtë shumë e vështirrë të jetosh larg asaj tradite me të cilën je rritur… Kjo është edhe një arësye që ne e mbajmë zjarrin e dashurisë për vendlindjen ndezur dhe festojmë por edhe vajtojmë sa herë që vëllezërit e motrat tona në trojet amtare bëjnë të njëjtën gjë. Këtu ne mundohemi të mos e vemë partishmërinë politike në plan të parë, ne mundohemi të nisemi nga pikëvështrimi i dobisë ndaj shqiptarizmit, natyrisht duke pasur parasysh faktin që VATRA dhe organizatat e tjera janë amerikane dhe parimet e demokracisë së këtij vendi janë udhëheqëse dhe fatmirësisht Amerika është miku më i madh i shqiptarëve!
**
Cfarë mendimi keni për pozicionin dhe rolin e Gruas shqiptare në Shqipëri dhe aty ku jetoni , sa e integruar eshte gruaja dhe a ndjehet familja kompakte?
**
E vërteta universale : “Eduko një femër dhe ke edukuar një nënë, eduko një nënë , ke edukuar një familje. Kij një familje të shëndoshë dhe kështu do kesh një shoqëri të shëndoshë” është për gjithkënd, për kudo e për cdo kohë.
Nëse kjo e vërtetë perqafohet dhe aplikohet , ke zgjidhur problemin. Në familje nëna është zamka që mban familjen bashkë dhe së bashku me atin e fëmijën, janë foleja ku fillon zanafilla e shoqërisë. Ashtu siç mëkon mëma me ushqim e me ëmbëlsi amësore, ashtu edhe edukon një fëmijë të virtytshëm sot, që do të bëhet nesër një prind në familje , një prind shpirtëror apo një udhëheqës komunitar. Por nëse nëna nuk e ka atë mundësi apo nuk e zotëron atë virtyt , ajo nuk mund t’ia japë fëmijës, sepse ai që nuk e ka një diçka nuk ka se si e jep atë diçka. E njëjta gjë eshtë edhe për atin, por ndërsa ati edukon me prezencë dhe shembull akti, pa shume fjalë, mëma është ajo që meret me detajet e mëkon fëmijën…Po të vesh re nga eksperiencat apo lajmet, mëson se shumë njerëz , duan të bëjnë vepra madhore dhe çmimi fatkeqësisht është dëmi kundrejt familjes. Po humbi familja, ka humbur shoqëria. Familja është filli që bën pëlhurën…e pëlhura është shoqëria…..po nuk ke fillin endës , atëhere çfarë pëlhure do të endësh? Bota sot vuan nga shthurrja familjare dhe le të shpresojmë që familja shqiptare mos marrë atë udhë të dhimbshme…
Uroj e dëshiroj që femra shqiptare kudo ku ndodhet mos harrojë rolin dhe dinjitetin e saj në familje së pari, e kur ky rol në familje plotësohet të tjerat rrjedhin prej fortësisë së atij pozicioni. Shoqëria shqiptare e meshkujt shqiptarë, sidomos ata në pozicione udhëheqese, mos harrojnë se femra që shtypet e dhunohet eshtë nëna dhe motra e tyre…. Barazia gjinore nuk është një koncept shoqëror apo politik, por është një e drejtë e lindur por e keqinterpetuar duke u nisur nga natyra fizike. Ne të gjithë jemi krijuar të ndryshëm nga natyra fizike me njëri tjetrin, kjo për të plotësuar rolet komplementuese mes burrit e gruas si nënë e at, por ama Zoti na ka krijuar të barabartë me njëri-tjetrin në dinjitet dhe është e domosdoshme qe ne duhet t’ia respektojmë dinjitetin njëri-tjetrit. Kjo është universale për në trojet etnike apo për kudo.
**
-E dashur Merita. Ne Bibliotekën e Kongresit Amerikan ekziston sot ajo që quhet “Tavolina Shqiptare- Albanian Desk” ku ju keni dhënë kontribut për krijimin e pasurimin e saj. Po librat tuaj a gjenden aty?
**
Po është e vërtetë dhe informacioni është i saktë lidhur me Tavolinën Shqiptare. Aty unë, -VATRA më mire të themi- kemi insistuar që të ndahej literatura shqiptare nga literatura sllave, sepse ishte e rreshtuar në të njëjtin division me literature slave, meqë Shqipëria konsiderohej satelit i Rusisë Sovjetike….. Me perpjekje e kërkesa të njëpasnjëshme, dhe me dashamirësinë e mirëkuptimin e Amerikanëve, aty u bë krijimi i Tavolinës Shqiptare, e varur direct nga Divizioni European. Aty ne jo vetem bëjmë aktivitete por kemi cuar edhe libra që gjatë kohës së komunizmit ndaloheshin në Shqipëri dhe kjo bibliotekë ka koleksionin më të madh në gjuhën shqipe jashtë trojeve shqiptare. Ndër librat e tjerë , që janë të shumtë, janë dhe disa nga librat e mij.
Faleminderit per bisedën e sinqertë,e dashur Merita, pozitivitetin qe ju karakterizon,keni nje personalitet pa lekundje,natyrë dashamirës. Plot suksese si nënë, profesioniste, shkrimtare e spikatur, dhe një Atdhetare model i shkëlqyer. Ju uroj nga zemra shume suksese!
Faleminderit Liliana, për uriemt, për bisedën dhe dëshiroj të falenderoj organizaten tuaj që punon për nxjerrjen në pah të vlerave, dhe evidentimin e kontributeve pozitive të bijave shqiptare dhe që mbështet femrën shqiptare për të ecur ashtu si duhet e aty ku duhet. Shpresoj se do t’i qëndroni besnike qëllimit dhe udhëtimit. Ju uroj suksese.
Intervistoi:
Liliana Pere
Ing. Informatike Presidente: “Organizata Ndërkombtare “ Gruaja Shqiptare në Botë”
International Organization. '' Albanian Woman in the World