Aktorja Liza Vorfi u lind më 29 nëntor të vitit 1924, në Gjakovë. Është pionere e skenës shqiptare, ku veç talentit dhe pasionit të saj për artin, solli edhe një frymë emancipuese për kohën. Ka interpretuar në rreth 90 role në teatër dhe kinema.
Në 1932 familja e saj shpërngulet në Tiranë. Aktivitetin artistik e ka filluar qysh në vitin 1939 si këngëtare në Radio “Tirana”.
Gjatë viteve 1939-1943 vazhdoi studimet në Itali në konservatorin e Romës dhe më pas në Pizaro.
Në vitin 1940, Liza kishte fituar bursë nga shteti për studime në Itali për kanto, fillimisht në konservatorin e Romës, ku fitoi të drejtën për kanto, si dhe për balet. Menjëherë më pas, ajo studioi edhe për dy vite të tjera në konservatorin “Giaccomo Rossini” në Pesaro, me bursë nga shteti shqiptar.
Pas kthimit nga Italia, drejtori i Radio Tiranës, Gjergj Bubani, e fton Lizën të punojë në radio, tani me statusin e një këngëtareje profesioniste.
Sot nga inçizimet e Lizës në Radio Tirana nuk ka mbetur asgjë, e megjithatë Liza renditet me dinjitet krahas figurave shumë të shquara që interpretuan me profesionalizëm këngën popullore në atë kohë, si Jorgjie Truja, Tefta Tashko Koço, Marie Kraja, etj.
Pas çlirimit, në vitin 1945, me krijimin e Teatrit Profesionist të Shtetit, drejtori i teatrit Xhemal Broja e ftoi Lizën të punojë si aktore e parë.
Pa frikë mund të thuhet se Liza është pionierja e parë që vuri gurin themeltar në interpretimin e grave në mbarë kombin. Roli i saj i parë vjen në vitin 1945 me pjesën “Xhido”, vënë në skenë nga regjisori jugosllav Bozha Nikoliç, një personalitet i artit serb të kohës.
Gjatë karrierës së saj ka zhvilluar mbi 60 role, si: Elmira tek “Tartufi”, Dezdemona tek “Otello”, Dorina tek “Borgjezi fisnik”, Beatriçja tek “Shërbëtori i dy zotnive”, Dona Luçia tek “Karnavalet e Korçës”, Marta tek “Cuca e maleve”, Mara tek “Përmbytja e madhe” etj. Ka interpretuar me sukses edhe në filmin artistik.
Vuajtjet e Lizës filluan që kur të fejuarin e saj, Emil Shirokën, e futën në burg në vitin 1947. Ata ishin njohur dhe dashuruar, ndaj Liza kishte vendosur ta priste duke besuar në pafajsinë e tij. Ndërkohë, Liza pushohet nga puna për herë të parë. Pas rreth një viti i shoqi del nga burgu, pa as asnjë motivacion, por i paralizuar dhe i shkatërruar nga sistemi nervor. Megjithë presionet e shumta për ta lënë, pasi ai i përkiste një shtrese tjetër shoqërore (rridhte nga një prej familjeve nga më të vjetrat dhe aristokratike të Shkodrës), ajo vendosi të martohej me të.
Liza ende s’e kish kuptuar se ai nuk do të ishte më njeriu që kishte njohur ajo. Ai doli nga burgu i transformuar, i tjetërsuar, njeri i ashpër, i egër dhe i dhunshëm. Në vitin 1951 jeta e Lizës e lidhur me familjen e të shoqit, do të tronditej përsëri.
Ngjarjet e ambasadës sovjetike (ku u pushaktua Pjerin Guraziu me 22 të tjerë), bënë që Liza të pushohej nga puna për herë të dytë. Si rrjedhojë edhe martesa nuk shkoi gjatë. Pas shtatë vitesh durim dhe përballje me një jetë jo të rregullt, Liza kërkoi divorcin.
Liza Vorfi vdiq në Tiranë, më 30 janar të vitit 2011.
ALBFEM,