Aneta Rama e vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare”, nëna e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ishte një prej mjekeve të para stomatologe në Shqipëri. Ky çmim iu dha në 2018-n nga Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë, që këtë të shtunë në një reagim për ndarjen nga jeta të zonjës Aneta Rama, përveç ngushëllimeve për familjen përcjell edhe një biografi më të plotë të doktoreshës, e cila përgjatë karrierës së saj u dekorua me çmime të ndryshme për punë shumë të mirë e rezultate shkencore në shërbimin ndaj qytetarit.
“Sot u nda nga jeta mjekja stomatologe “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare” Dr.Aneta Rama. Dr.Aneta lindi në qytetin e Vlorës më 1 shtator 1939. Shkollën dhe arsimin e mesëm e mbaroi në qytetin e lindjes me rezultate ekselente. Dr.Aneta ishte dhe një sportiste e talentuar në katër lloje sportesh. Në vitin 1955 filloi studimet në një nga Universitet më me emër të Polonisë dhe i mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1961. Pasi u diplomua si mjeke stomatologe filloi punë në poliklinikën e qytetit të Vlorës. Dr.Aneta më vonë ka punuar në kryeqytet duke drejtuar poliklinikën dentare, e Specializuar ne Radiologji e Fizioterapi Stomatologjike. Dr.Aneta është dekoruar me çmime të ndryshme për punë shumë të mirë e rezultate shkencore në shërbimin ndaj qytetarit. Me rastin e 100 vjetorit të Stomatologjisë Vlonjate, Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë i akordoi titullin më të lartë: “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare“ në një atmosferë të jashtëzakonshme festive të mbarë dentistrisë”.
Sot stomatologjia shqiptare humbi një nga ikonat e para të themelimit të këtij shërbimi elitar në vendin tonë. Familja humbi njeriun e saj të dashur: nënën, gjyshen e njeriun që do ta kujtojë tërë jetën. Në emër të Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë i shpreh ngushëllime familjes, miqve e kolegëve të Dr.Anetës. U prehsh në paqe Dr.Aneta!”, thuhet në reagimin e Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë./Aneta Rama u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare.tvklan.al