Lola Gjoka u lind në Sevastopol (Krime-Rusi), më 22 Maj 1910, dhe vdiq në Tiranë më 6 tetor të vitit 1985. Shkollën e përgjithshme e kreu në qytetin e lindjes, ku studioi për piano dhe për dance, në klasën e Karallova-s. Kthehet në atdhe (në Korçë) në vitin 1932, ku së bashku me Jorgjia Filçe (Truja),
Pianistja Lola Gjoka, personalitet i kulturës korçare dhe kombëtare
Artistja e madhe shqiptare, Lola Gjoka, një nga figurat shumëdimensionale në historinë e artit tonë muzikor për vetë rolin e madh që ka luajtur në konsolidimin e institucioneve të para artistike shqiptare si dhe për përkushtimin në formimin e artistëve të rinj, u nderua sot nga Bashkia e Korçës me titullin “Qytetare Nderi”.
Përmes një aktiviteti të organizuar nga Bashkia e Korçës, ku ishin të pranishëm miq, të afërm dhe artistë, pianistja e parë shqiptare, Lola Gjoka, mori këtë vlerësim si një personalitet i kulturës korçare dhe kombëtare.
Për këtë pianiste është thënë pothuajse gjithçka. Janë botuar të plota partiturat e 52 këngëve të saj, të mbledhura dhe përshtatura nga vetë pianistja, që konsiderohet një almanak kulturor për këngëtarët e rinj. Përmbledhja e partiturave e njohu vonë botimin, në raport me vitin kur u nda nga jeta, 1985-ën, por nën kujdesjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dolën në dritë disa këngë të njohura për publikun si “Dashnor t’u bana”, “Dola n’penxhere”, “Karajfilat që ka Shkodra”, “Kënga e Emines”, “Kënga e Rexhës”, “Kjo dashnia qoft mallkue”, “Kroi i fshatit ton”, “Pranvera filloi me ardh”, “Shamia e beqarit”, etj.
Kush është Lola Gjoka
Lola Gjoka u lind në Sevastopol (Krime-Rusi), më 22 Maj 1910, dhe vdiq në Tiranë më 6 tetor të vitit 1985. Shkollën e përgjithshme e kreu në qytetin e lindjes, ku studioi për piano dhe për dance, në klasën e Karallova-s. Kthehet në atdhe (në Korçë) në vitin 1932, ku së bashku me Jorgjia Filçe (Truja), Thoma Bezhanin e Llambi Turtullin debuton në koncertin e parë profesionist në kinema “Majestik” në Korçë.
Në vitet 1933-1934 jep një sërë koncertesh si soliste e koncertmaestre e këngëtarëve Tefta Tashko Koço, K. Antoniu, Marie Kraja, K.Koço e Mihal Ciko. Vlerësohet me fletë nderi në konkursin pianistik në Vjenë të Austrisë në vitin 1933, ku shquhet për debutimin e saj, dhe po atë vit emërohet nga Hil Mosi mësuese e pianos dhe e valles në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë.
Përfundon me pikët më të larta studimet e larta si pianiste koncertiste në Athinë. Së bashku me Tefta Tashko Koçon, Jorgjie Trujën dhe Marie Krajën, merr pjesë në Fiera-n e Firences, si përfaqësuese të artit shqiptar në vitin 1938. Jep koncertin e parë pas çlirimit nga okupatorët nazi-fashistë në vitin 1945. Lola Gjoka është një ndër të parat mësuese të pianos të shkollës së parë muzikore shqiptare, Liceut Artistik. Në vitin 1953 emërohet koncermaestre e grupit lirik në Filarmoninë Shqiptare të sapokrijuar, ku kontribuon për vënien në skenë të mjaft veprave të kulturës botërore, edhe si as/regjisore. Pas hapjes së Teatrit të Operës luan një rol të rëndësishëm artistik në repertorin e gjerë operistik të asaj kohe.
Me hapjen e Konservatorit të Tiranës, në vitin 1962 emërohet pedagoge e pianos dhe koncertmaestre e klasave të specialitetit të kantos, duke mos iu ndarë aktivitetit koncertor edhe jashtë vendit si: në Rusi, Kinë, Hungari, Kubë etj. Merr titullin “Artiste e Merituar” për merita si artiste e veprimtare artistike më 1966, dhe titullin “Artiste e Popullit” në vitin 1978 për veprimtari të shquara si pedagoge pianiste dhe përpunuese e këngës popullore. Ka dhënë ndihmesë të vyer edhe në përkthimin e dy operave të para, “Rusalka” dhe “Ivani Susanjin”. Pasuria dhe dashuria për muzikën vokale, e në veçanti për këngën popullore, ka ushqyer gjithmonë shpirtin e saj krijues. Me elegancën edhe temperamentin që e karakterizonte, ajo krijoi dhe interpretoi Suitën për piano e orkestër harqesh për Koncertet e Majit 1978.