Besa Imami u lind në Gjakovë, më 8 gusht të vitit 1928. Mbetet ndër aktoret më të mira që kanë njohur shqiptarët. Në kinematografi ajo u bë e njohur për publikun e gjerë me rolin e Donika Kastriotit në filmin “Skëndërbeu”, të realizuar në vitin 1953. Më pas do të vijonin role të tjera, si te“Ndërgjegja”, roli i Martës në filmin “Brazdat”, në vitin 1973, roli i Nënë Tanës në filmin “Në fillim të verës”, në vitin 1975, e shumë role të jera.
Ndonëse në Shqipëri erdhi fëmijë trevjeçar, Besa kurrë nuk e harroi Gjakovën e saj, ku u lind, së cilës “ia ktheu” shpinën kur babai i saj Ferid Imami, arsimtar, arratiset më 1931, e lë të shoqen Behixhen, me tre fëmijë në Gjakova dhe kalon në Shqipëri, në Kukës.
Ndërkohë, Behixhja kërkon ta vizitojë të shoqin, jep gisht, del e nuk kthehet më. Familja Imami kalon të jetojë në Tiranë, mirëpo babai i Besës vdes i ri, e lë të shoqen 31 vjeçare me pesë fëmijë, dy vajza e tre dje.
Shtigjet e aktrimit ia përcakton paraqitja e saj e parë në një shfaqje amatore, më 1945, kur Besa ishte vetëm 17 vjeçe, kjo I lë mbresa regjisorit Pandi Stillu, kshtu që pas një viti e angazhojnë në Teatrin Popullor të Tiranës.
Që nga mosha 18-vjeçare e deri në pension, në vitin 1990, Besa Imami i përkushtohet tërësisht aktrimit. Në saje të roleve të realizuara shquhet për mjeshtërinë madhe të interpretimit, luan Klabara Gaberin, Natashën në “Portreti”, Tatjanën në “Mikroborgjezi”, nënë Zyranë në “Bashkë me agimin”.
U shfaq rishtaz në vitet e 2000-ta me “Women without wings” (2002), e roli i saj më i fundit është ai i gruas myslimane në filmin “Eduart”, në vitin 2006.
Besa Imami, për meritat e saj artistike, do të vlerësohej me titullin “Artiste e Merituar”. Që nga shtatori i vitit 1946 e deri në 1 shtator të vitit 1988, kur del në pension, i ka dhënë publikut gati 80 role. Me propozim të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, aktorja është nderuar nga Gjakova, vendlindja e saj, me titullin “Nderi i skenës shqiptare”.
Besa Imami vdiq më 21 shtator të vitit 2014 në shtëpinë e saj në Tiranë, në moshën 86-vjeçare.