Alba Prifti – Gazetarja shqiptare e CCN
Gruaja Shqiptare
Histori Suksesi
Jam krenar/e që jam shqiptar/e
Personazhi i Ditës
Alba Priftin prej 15 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa prej 8 vitesh punon te rrjeti gjigant CNN. Ajo u shpërngul me familjen në Amerikë kur ishte 15 vjeçe dhe që në shkollë të mesme kishte ëndërr CNN-in. Pasi u diplomua, ëndrra iu bë realitet. Synimet i kishte të mëdha, por eksperiencën, e cila ishte e domosdoshme për të hyrë në këtë redaksi, e kishte shumë të paktë. Megjithatë, ajo thotë se, “fakti që isha në godinën e CNN ishte avantazh.” Aktualisht, ajo është pjesë e departamentit të quajtur “International Newsgathering”, ku puna e saj është mbledhja e informacioneve, detajeve, fotove, videove për lajmet më të fundit nga bota. Ky departament është pika e parë e kontaktit mes gazetarëve të shpërndarë nëpër botë dhe qendrës së CNN-it në Atlanta.
Kujtimet e bukura
Isha gati 15 vjeçe kur u largova. Shumë gjëra që janë pjesë e themelit të karakterit tim dhe sot e kësaj dite, janë rezultat të ambientit dhe kulturës shqiptare. Kujtimet më të bukura janë ato të shkollës, të të rriturit pranë kushërinjve dhe të afërmve. Muajt e verës që i kaloja në fshat te gjyshi me motrën dhe me kushërinjtë e mi. Të qënurit kaq larg nga të gjithë më ka bërë t’i çmoj akoma më shumë ato kujtime.
Alba Prifti
Vështirësitë që hasi në fillim
Në fillim, kisha dëshirë të bëja shumë, por mundësitë i kisha të pakta. Sepse nuk njihja njeri në sektorët e ndryshme të CNNit dhe nuk kisha si të ecja përpara. Kjo mund të më kishte dekurajuar, por kur e mendoja që kisha një shans të mirë për të ngulur rrënjët në një nga organizatat më të mëdha të medies, më vinin vetë forcat dhe idetë për t’i ndryshuar gjërat. Fillova të pyesja kolegët dhe punonjësit e kafenesë “Starbucks” për referenca. Dhe fillova të kontaktoja gazetarë, drejtorë, redaktorë që punonin në godinën shumëkatëshe të CNN-it, duke e filluar muhabetin me: “Ne nuk njihemi, por ja po prezantohem tani….”. Nuk po përmend këtu vështirësinë e të qënurit 12 orë larg prindërve dhe motrës. Më merrte malli pa fund për ta, dhe akoma më merr, megjithëse i shoh më shpesh tani. Por në ato kohë, rrogën e kisha fare të vogël dhe ëndrrat shumë të mëdha.
Puna
Punën e kam me shumë pasion dhe të bukur. Si redaktore e lajmeve nga bota, përgjegjësia kryesore është mbledhja e informacionit dhe lajmeve, kudo që ndodhin. Thuajse të gjithë kolegët e mi flasin një gjuhë të dytë e të tretë dhe të gjithë bashkë, ne mbledhim dhe përpunojmë lajme të temave të ndryshme. Kjo përfshin dhe redaktimin e materialeve vizuale, si video dhe foto. Për shembull, kur ra termeti në Japoni në 2011-n, ishte sektori im ai që u angazhua me përgatitjen e fotove dhe videove, që më pas u transmetuan në televizion dhe u publikuan në faqen e internetit.
Puna e gazetarit, në këto dy vende
Është e vështirë të krahasosh gazetarinë amerikane me atë shqiptare. Që nga formati, si dhe prezantimi ato ndryshojnë shumë. Por ajo që uroj të vazhdoje t’i shtyjë përpara gazetarët është dëshira për të informuar publikun dhe ruajtja e së vërtetës. Thuhet se, gazetaret kanë sediljet e para teksa zhvillohet historia e botës. Është përgjegjësia jonë të tregojmë të vërtetën siç ndodh. Jam krenare për origjinën time dhe do isha po aq krenare të punoja si gazetare aty.
Burimi:Gazeta Shekulli nga Anxhela Devole – Përgatiti per Alb W W Liliana Pere
Ndaje këtë informacion dhe me miqtë në