Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga ka përfunduar studimet në fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2000. Në vitet 2006-2007 ka ndjekur programe pasuniversitare për Menaxhim Policor dhe Ligjin Penal në Universitetin e Leicester-it në Mbretërinë e Bashkuar. Po ashtu ka ndjekur programin pasuniversitar për Shkencën mbi Krimin, në Universitetin e Virginia-s në Shtetet e Bashkuara në vitin 2007. Presidentja Jahjaga ka ndjekur gjithashtu programe profesionale dhe hulumtuese në Qendrën Evropiane për studime të sigurisë “George C. Marshall” në Gjermani, Akademinë Kombëtare të FBI-së në SHBA dhe Ministrinë e Drejtësisë të SHBA.
Karriera në Polici
Zonjusha Jahjaga ka mbajtur postin e Zëvendës-Drejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Kosovës që nga muaji shkurt i vitit 2009. Për një kohë të shkurtër ajo ushtroi edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Ajo ka qenë zyrtare e Policisë së Kosovës që nga themelimi në vitin 2000 dhe ka mbajtur poste me përgjegjësi, fillimisht në nivel rajonal e pastaj edhe në drejtorinë qendrore. Presidentja Jahjaga ka shërbyer në pozita të ndryshme në zbatimin e rendit dhe ligjit, në mes tjerash në njësinë e standardeve profesionale, atë të burimeve njerëzore, atë të personelit dhe departamentit të trajnimit, atë të administrimit dhe të policisë kufitare.
Presidente e Kosovës
Më 6 prill 2011, ajo u shpall si kandidate konsensuale për Presidente të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, me mbështetjen edhe të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara Christopher Dell. Më 07 prill 2011 në ora 19:20 pas votimit të parë në Parlamentin e Kosovës Atifete Jahjaga fitoi kundër kandidates Syzan Novobërdaliu dhe u zgjodhë si Femër e para Presidente e Kosovës duke tejkaluar ngërçin politik në të cilin kishte qenë politika kosovare pas zgjedhjes antikushtetuese të Presidentit Pacolli.
Përmirësimi i imazhit ndërkombëtar
Që prej marrjes së detyrës, Presidentja Jahjaga është fokusuar për të forcuar institucionet demokratike të vendit dhe për të siguruar njohje më të madhe ndërkombëtare për Kosovën. Jahjaga ka kontribuar në ndryshimin e imazhit të Kosovës jashtë vendit, promovimin e agjendës evropiane dhe euroatlantike, bashkëjetesës dhe tolerancës, normalizimin e marrëdhënieve me vendet fqinje dhe tërheqjen e investimeve të jashtme. Gjatë katër viteve në zyrë, ajo ka ridefinuar rolin e Presidentit në ndërtimin e jetës pluraliste dhe institucionale të Republikës së Kosovës, duke jetësuar parimet kushtetuese që përbëjnë bazën e demokracisë dhe garantojnë qëndrueshmërinë e një shteti.