Intervista / Një pianiste si Syzana Jakupi
NgaGazetar
19:40 | 26/11/2021
Të jesh femër pianiste do të thotë prezenca jote të ketë ndikim që gjërat të ndryshojnë në të mirë të humanitetit dhe njerëzores – tregon Syzana Jakupi si prof. i asocuar në fakultetin e arteve, Universiteti “Haxhi Zeka” – Pejë E lindur dhe rritur në qytetin e Pejës një qytet i rëndësishëm për Kosovën me traditë të mirë të ekonomisë, historike e kombëtare etnike. Peja njihet si qytet i lashtë që nga koha Ilire. Për shkak të luftërave të shumta në këtë rajon, që nga pushtimi Otoman e deri te kjo e fundit me Serbinë, nuk është mundur të ruhet e gjithë karakteristika ilire, ku përveç të tjerash pësoi edhe Kalaja e Pejës. Në kohën Ilire ishte një qendër e madhe vendbanimi. Karakteristika të rëndësishme të saj janë Çarshi-Xhamia e ndërtuar rreth viteve 1600- 1700, Kulla e Haxhi Zekës, pjesëmarrës në Kuvendin e Prizrenit në vitin 1878 dhe organizator i Lidhjes se Pejës në vitin 1899, kur Peja i takonte Mbretërisë së Malit të Zi. Suzana është një mishërim i karakteristikave më të bukura të familjes së saj që i çmon dhe i jep vlerë. Prej saj trashëgon arsimin, edukatën e mirë dhe energjinë për punë. Për prindërit saj rol prioritar kishte edukimi dhe etika njerëzore. Jeta nuk e ka ledhatuar, por ajo është dhe mbetet e bukur. Suzana nje grua pianiste sharmante, mjaft e sjellshme dhe me personalitet, ia del që përkundër gjithë oqeanit të brendshëm turbullues brenda saj, gjen forcë t’ia dale mbanë e të korrë suksese që e rrisin dhe e ndërgjegjësojnë si personalitet dhe karakter. Ajo tejkalon shumëçka përmes botës së muzikës dhe artit të pianos. Suzana ka mbaruar studime master për piano – interpretim në Universitetin e Prishtinës dhe është ndër kuadrot e hershme të edukimit të këtij lloji që krahas aktivitetit koncertal kryen edhe mësimdhënien për ketë lloj arti. Aktiviteti i saj është shtrirë në dy drejtime, atë pedagogjik dhe atë artistik. Të jesh femër pianiste do të thotë mision dhe obligim moral ndaj të bukurës, njerëzores qetësisë dhe gëzimit. Dekadën e fundit Suzana punon në Universitetin “Haxhi Zeka” – Pejë si prof. i asocuar në fakultetin e arteve. Dëshiroj ta fillojmë nga familja, fëmijëria e dashur Zana historinë tuaj. Atje ku lindim, ushqehemi me dashuri, mësojmë të flasim dhe të ecim për herë të parë. Nga biseda mësova se prejardhja juaj familjare është e lidhur fort me dijen. Sa determinant ka qenë modeli dhe edukata e prindërve tuaj? Fillimisht ju falenderoj për përzgjedhjen tuaj që të jem në mesin e atyre qe kemi një histori suksesi për të treguar. Atëherë po fillojmë të shkoqisim radhazi. Familja ime është një mishërim i dy gjërave më të bukura që unë çmoj dhe i jap vlerë. Nga ana e nënës trashëgoj arsimin dhe edukatën e mirë nga koha e gjyshërve. Gjyshi ishte predikues fetar e që ishte një autodidakt por që zotëronte pesë gjuhë botërore (shqipen, turqishten, arabishten, persishten e serbishten), njëkohësisht ishte ndër të paktët intelektual të kohës që i kushtoi rëndësi arsimimit duke u berë një koleksionist i shquar i librave dhe literaturës kombëtare e botërore nga lëmia historike e shkencore e që bibliotekën e tij e frekuentonin edhe qytetarë tjerë të interesuar për librat e jo vetëm familjarët e ngushtë. Nga familja e babait kam trashëguar energjinë për punë. Kishin zotëruar nga shumë kohë përpara toka e pasuri të patundshme por që menaxhoheshin nga të gjithë anëtarët e familjes, kështu ata prej kohësh u ushqyen me energjinë për punë. Me miqësinë e dy familjeve të tilla doemos që do krijohej një familje e re ku do kombinoheshin dy elementët më të rëndësishëm (të paktën për mua) ajo e dijes dhe e punës. Tani familja numëron profesione të ndryshme dhe njerëz intelektual të kohës. Vëllai im ia kushtoi tërë jetën mjekësisë duke u bërë kështu specialisti i parë i orthopedisë në rajonin e Dukagjinit. Dy të tjerë janë inxhinier në lëmitë e tyre përkatëse, motra si doktor i ekonomisë dhe unë si artiste. Ndonëse kushtet e atëhershme ishin shume të vështira, për prindërit e mi rol prioritar ishte edukimi dhe etika njerëzore, arsimimi i të gjithë. Ata ishin dy bashkëudhëtar dhe partner të mirë që përkrahnin njëri-tjetrin në jetë e punë. Duke parë se si bëhej jeta e tyre, kështu krijuam imazhin e mirë dhe sa rëndësi ka marrëdhënia në funksiononin e hallkave të jetës. Kush është qyteti juaj, qyteti ku ju jeni rritur dhe ku vazhdoni të jetoni. Si do ta përshkruani qytetin tuaj të dashur Pejën, nga këndvështrimi i një artisteje intelektuale sikundër jeni ju? Rrëfeni ju lutem, mbresat nga fëmijëria si vazhdon më tej dëshira për t’u bërë pianiste? Jam lindur në qytetin e Pejës. Një qytet tepër i rëndësishëm për Kosovën. Një qytet me traditë të mirë të ekonomisë por edhe asaj intelektuale, historike e kombëtare. Është qyteti i dytë në Kosovë për nga rëndësia universitare, sepse pas kryeqendrës Prishtinës, ky qytet kishte shkollën e lartë komerciale, ndërsa dhjetë vitet e fundit u bë edhe me universitet, i cili me krenari mban emrin e atdhetarit dhe intelektualit të shquar Haxhi Zeka. Këto ditë sapo festuam dhjetë vjetorin e themelimit. Pikërisht në këtë universitet jam e punësuar këto dhjetë vitet e fundit, pranë fakultetit të arteve ku ligjëroj dy lëndë, atë të instrumentit të pianos dhe lexim partiturash. Pejanët përgjithësisht dallojnë me një karakteristikë të veçantë nga të tjerët, e ajo është adaptimi i vështirë në qytetet tjera, kjo karakteristikë më ka ndjekur edhe mua. Në moshë të re u largova (nga mosha 16 vjeç) dhe kalova për shkollimin profesional muzikor në Prishtinë. Aty bëra edhe studimet, u punësova fillimisht në shkollën e ulët të muzikës e pastaj në të mesmen, ku ende pa mbaruar shkollimin e lartë adekuat për piano – interpretim, mu dha besimi që ta udhëheq klasën e pianos, dhe për gjithë ato vite të kaluara në Prishtinë e gjetiu ku punova edhe përkundër asaj që kudo që kam punuar jam ndier si në shtëpinë time dhe kam dhënë kontributin tim profesional. Askund nuk kam gjetur qetësinë shpirtërore më të madhe se sa kthimi në vendlindje. Fëmijëria…duhet të them se ka qene periudha më e mirë e jetës, e mrekullueshme, me plotësim dëshirash fëmijërore, e ledhatuar nga prindërit e familja pasi në familjen e gjerë ishim gjithsej vetëm dy vajza (unë dhe motra) Babai duke parë se kisha filluar të interesohesha shumë për muzikën në mënyrë të pavetëdijshme, vendos të më regjistrojë në shkollën e ultë të muzikës sapo ishte hapur atë kohë ( nëse nuk gabohem viti 1974/75). Aty fillova të mësoj notat e para dhe shumëçka nga bota e muzikës e që nuk ishte e rëndomtë për botën time fëmijërore. Pikërisht kjo më bënte për vete dhe më zgjonte kureshtje dhe nga aty unë fillova ta shoh veten brenda asaj bote. Babai im ishte një vështrues i mirë i rritës sonë dhe duke parë entuziazmin tim dhe nevojën e praktikimit në instrument vendosi që pas dy vitesh të më blinte edhe pianon e parë. Për blerjen e pianinos sime ka një histori të veçantë që sa herë e kujtoj apo e tregoj mallëngjehem së tepërmi. Prej atëherë mu fiksua në kokën time ideja dhe dëshira që asnjëherë të mos ndahem nga rruga e artit dhe muzikimit në këtë instrument. Nëna asnjëherë nuk e kundërshtoi mendimin e babait që më plotësonte çdo dëshirë , edhe pse ajo nuk e fshehu asnjëherë dëshirën e saj të flaktë që unë të vazhdoja studimet në fakultetin e mjekësisë. Përkrahje e madhe më erdhi edhe nga vëllai i madh tani më i diplomuar dhe i punësuar si mjek i ortopedisë. Sot jetoj dhe kujtoj me krenari dy prindërit e mi dhe falënderoj për përkrahjen, mundin dhe sakrificën që bënë për të rritur, edukuar e arsimuar drejt e mirë të gjashtë fëmijët e tyre që e përbënim familjen. Edhe pse sot ata nuk jetojnë më. A ka pasur dilema Zana ndonjëherë për profesionin? Sa e fortë dhe sfiduese jeni para barrierave që papritur sjell jeta, dhe a ju ka ndihmuar piano, muzika për t’i kapërcyer ato? Nuk e kam provuar asnjëherë të ndahem nga bota e muzikës dhe e artit por gjithsesi nga rrymat dhe sfidat e jetës ka pasur lëkundje në mendimet e mia se nëse vërtet duhet të mbetem në fushën e artit ku gjithçka lidhet me emocionet dhe shprehjet emotive pa të cilat artisti nuk mund të ekzistojë. Kam mbaruar studime master për piano–interpretim në Universitetin e Prishtinës dhe jam ndër kuadrot e hershme të edukimit të këtij lloji por gjithsesi që krahas aktivitetit koncertal shumë herët na është imponuar edhe mësimdhënia për këtë lloj arti, pasi ka një proces të gjatë shkollimi deri në bërjen e një profesionisti të artit të pianos apo cilit do instrument, por ja që unë fola për pianon pasi vetë jam pianiste. Dekadën e fundit jam e punësuar në Universitetin Haxhi Zeka – Pejë si prof. i asociuar në fakultetin e arteve. Ju nuk jeni larguar nga Kosova edhe pse keni përjetuar ngjare te rënda të dhimbshme getoizimit në historinë e luftës ne Kosovë, tregoni arsyet tuaja përse? Jo asnjëherë, kam mbetur gjithnjë e mendimit se duhet të mbetem në Kosovë. Gjenerata jonë ishte gjeneratë e trazirave nga më të ndryshmet. Ishim dëshmitarë dhe viktima të shumë ngjarjeve historike, ishim dëshmitar të rebelimeve kombëtare, e rinisë së përgjakur herët, demonstratave studentore e të minatorëve, getoizimit tonë si popull brenda njësisë federale jugosllave, largimeve masive nga puna, helmimeve të fëmijëve tanë nëpër shkolla, mbylljen e të gjitha institucioneve dhe shkatërrimit të çdo gjëje që frymonte shqip. Duke qenë dëshmitare e të gjitha këtyre ngjarjeve, doemos që në vetëdijen tënde fokusohet ndjenja e hekurt e identitetit tënd kombëtar, mbajtjes gjallë të çdo gjëje që ti identifikohesh me të dhe ai është identiteti yt, prandaj edhe kontributi yt si njeri dhe si pjese e këtij historiku doemos që duhet ti jetë i lidhur me kombin dhe interesat e popullit tënd. Nga këtu vjen si fiksim vendimi se duhet të mbetesh këtu. Kapaciteti intelektual doemos duhet të shërbejë për shtresën shoqërore të paarsimuar dhe jo mirë të kultivuar e cila çdoherë vjen si pasojë e trysnive dhe pengesave që të huajt na i shtruan në rrugën e etur për liri, dije e pavarësi. Sa kanë ndikuar tek ju mësuesit si elementi promotor? Kush ka qenë pedagogu juaj inkurajues për formimin e perfeksionimin tuaj si pianiste? Si e keni menaxhuar rrugën e suksesit, cila është puna dhe vendi ku punoni tani? Mësuesit janë ata që janë cytës të atij kapacitetit që ti e posedon e ata më së miri. Jam me fat se kisha një gamë të gjerë profesorësh të çmueshëm të cilët luajtën rol në ngritjen time profesionale. Megjithëse kishim mungesë kuadri profesional sepse ishim fakultet i ri shpesh ishim pa mbikëqyrjen e pedagogeve në lëndët kryesore dhe kjo na krijonte vërtet një handikap, por me kohën edhe ato viheshin në vendin e vet. Kishim pedagog që Jugosllavia e atëhershme siguronte nga ish- republikat tjera Jugosllave, profesor që vinin për lëndët kryesore por gjithsesi për një kohë të shkurtër ata shkonin e me pastaj zëvendësoheshin me profesor të tjerë. Kështu krahasonim shkolla të ndryshme pianistike, metoda nga më të ndryshmet të cilat na shërbyen për një punë të mirë në të ardhmen. Në rrugëtimin e perfeksionimit të interpretimit në instrumentin e pianos kisha rastin të njihja shumë pedagogë nga vendi dhe jashtë. Do veçoja dy nga më të rëndësishmet që më përcollën, prof. Valbona Pula – Petrovci në shkollën e mesme dhe padyshim prof. Lejla Haxhiu Pula në ciklin e lartë të studimeve universitare dhe ato pasuniversitare. I çmoj për vendosmërinë dhe shfrytëzoj rastin e intervistës këtu që t’i falenderoj publikisht për punën e bërë me ne dhe vënien e një themeli stabil të shkollës pianistike kosovare. Gjithashtu çmoj dhe vlerësoj shumë punën e disa pedagogëve të ardhur siç ishin Igor Lasko dhe Arbo Valdma, dy pedagogë që padyshim ishin dhe mbeten emrat e më të preferuarve të mi, nga të cilët megjithëse për një periudhë të shkurtër kohore mësova shumë nga ata. Fillon karriera profesionale me punën pedagogjike duke qenë e vetëdijshme përgjegjësitë që do më rëndonin, por gjithsesi falë nxënësve që kisha, kreativitetit dhe dijes që kisha kultivuar gjatë gjithë procesit të edukimit dhe zhvillimit tim profesional. Pas lufte u ktheva në vendin tim të përhershëm të punës dhe pas lufta hapi dyer të reja për aktivitet dhe fusha të reja veprimi. Bashkë me nxënësit e mi jam fituese e shumë garave, çmimeve, mirënjohjeve kombëtare e ndërkombëtare, por shumë shpejt kalova në ciklin universitar ku gjendem edhe sot. Nga aspekti artistik interpretues jam e kyçur në atë nivel sa nuk e ngarkoj veten me ndonjë arritje të lartë si karrieriste. Dua dhe kam dëshirë të koncertoj lirshëm, të ndjej se jam në nivel të theksuar artistik, të prezantohem mirë profesionalisht aty ku paraqitem dhe mundohem që publiku të më pranojë mirë, dhe mendoj se edhe nga ky aspekt ia kam dalë, megjithëse për artistin kurrë nuk është mjaft sepse vetë natyra e tij është për mendimin tim pak egoiste dhe gjithnjë shkon nga kërkimi për perfeksionim të gjërave. Jo rastësisht edhe thënia për artin se është i pakufishëm. Kam pasur paraqitje të shumta koncertale si brenda ashtu edhe jashtë vendit, me koncerte solistike por edhe të përbashkëta me kolegët tjerë artist ku jam pritur mjaft mirë dhe jam duartrokitur. Mendoj se do vazhdoj për aq sa ndjej se kam çfarë të jap nga vetja si artiste. Ashtu sikurse kultura është diametralisht e kundërt, dhe ambicia pozitive ne art egziston në raport me artistë të tjerë. Si i kapërceni kompleksitetet dhe imagjinatat në rrugën që duhet të hapet, duke u përpjekur çdo ditë të pasurohesh me këtë kulturë? Kush janë veprat dhe kompozitorët tuaj të preferuar? Saktë, secilin artist e shtyn ambicia për punë, për prezantim të mirë, pa marrë parasysh nivelin e ngritjes së vet artistike, por nëse do jetë ambicie e tillë që gjatë rrugëtimit individual artistik të mos pengojë punën artistike edhe të të tjerëve apo edhe më mirë nëse rezultati i ambicieve individuale bëhet shkas për nxitjen e arritjeve edhe të artisteve të tjerë do ishte diçka madhështore. Ngritja e vetëdijes dhe intelektit, bashkëpunimi dhe raportet e mira ndërkolegiale dhe në radhë të parë ato humane bëjnë që njerëzit të afrohen, resurs që besoj shumë që secili nga ne e posedon dhe rregullon marrëdhënie të shkëlqyeshme. Duhet vëmendje, përkrahje nga shteti dhe strukturat, ngritja e kapaciteteve të mira infrastrukturore për kultivimin dhe zhvillimin e artit përgjithësisht, si shkollat, sallat, galeritë, institucione që kanë të bëjnë me punë arti, janë të një rëndësie të veçantë për gjeneratat e reja. Ka një gamë të gjerë kompozitorësh dhe veprash që do ti mbaj përherë si pjesë e imja programore si Mozart, Bethoven, Schubert, Schumann, Chopin, Liszt. Ka edhe të tillë që më pëlqejnë së tepërmi por që mua si artiste nuk më flejnë apo thjesht nuk përkojnë me natyrën e kërkesave të mia koncertale. Kohëve të fundit jam e fokusuar në interpretimin e veprave të kompozitorëve tanë si: Cesk Zadeja, Rauf Dhomi, Tonin Harapi, etj. Mendoj se arti shqiptar duhet dhe ka nevojë për promovimin e vlerave të saj përmes prezantimit të kompozitorëve, veprave dhe instrumentistëve të ndryshëm dhe çdo lloj tjetër arti. Çfarë sadisfaksioni, vlerësime keni në punën tuaj ? Cili është raporti që ju keni me veten, profesionin dhe artin në botë? Aktiviteti im është shtrirë në dy drejtime, atë pedagogjik dhe atë artistik. Puna në universitet më jep kënaqësi të veçantë kur shoh dhe ndjej se tek të rinjtë je ti ajo që zgjon ndjenjën për të bukurën tek ata. Ndjej ngazëllimin e tyre kur arrijnë të bëjnë atë që në fillim u është dukur e vështirë apo e pa arritshme dhe kjo për mua është një sadisfaksion. Jam e dëshiruar tek studentët si pedagoge, dhe nëse e ke arritur këtë besoj se secili nga pedagogët do ndjehet i lumtur dhe krenar. Gjithashtu puna artistike brenda universitetit është mjaft emocionuese dhe me interes reciprok, si institucional ashtu edhe individual. E them kështu sepse konsideroj është një interaktivitet. Nga njëra anë se nga institucioni përkatës pranon avancime në tituj e grada më të larta për aktivitetin dhe punën tënde artistike ndërsa interesi individual rrjedh nga ajo se ke më shumë shanse për paraqitje, ftesa, seminare, konferenca, koncerte që doemos do e kesh më të thjeshtësuar anën organizative, duke llogaritur këtu edhe shumë faktor shtesë të domosdoshëm për në paraqitje koncertale, e që është tejet e vështirë të realizohet në baza vetanake e që këta faktor janë të domosdoshëm për punën e një artisti. Bota lidhet në mënyrë universale me botën emocionale të artit pa ndërhyrje, totalisht e pavarur. Eksperienca juaj në Universitetin e Arteve është vërtet një pasuri për artin dhe muzikën e një kombi, një eksperiencë jetësore. Çfarë do të thotë të jesh një Profesor dhe grua pianiste, artist në nivele të larta, për fushën akademike dhe atë studentore? Do të thotë, punë me orare të gjata, përgjegjshmëri e lartë si për studentët ashtu edhe për skenën, angazhim i dyfishtë, mbi të gjitha super organizim dhe disiplinë të lartë në gjithë çka bën. Mendoj se edukimi, kultura, profesioni im si profesoreshë universiteti dhe si artiste, dhe jeta ime në përgjithësi është e admirueshme jo vetëm nga rrethi im i ngushtë shoqëror por edhe më gjerë. Kjo të jep ndjenjë krenarie dhe sadisfaksioni për veten por thënë sinqerisht asgjë e arritur gjer më tani nuk ka qenë e lehtë. Të jesh femër pianiste është gjëja që më ka dhënë sadisfaksion të madh në jetë. Kur e them ketë, kam parasysh se bota e qytetëruar e që ne si popull konsideroj se i takojmë kësaj bote, çmon lart artin duke ditur se përmes artit bota lidhet në mënyrë universale duke kuptuar dhe shijuar botën emocionale pa ndërhyrje e sforcime, dmth totalisht të pavarur. Të jesh femër pianiste do të thotë se në saje të investimit tënd profesional, të depërtosh në qarqet më të larta shoqërore të të gjitha kulturave dhe të kesh admirimin dhe respektin më të madh për një qenie njerëzore, do të thotë mision dhe obligim moral ndaj të bukurës. Të jesh femër pianiste do të thotë prezenca jote të ketë ndikim që gjërat të ndryshojnë në të mirë të humanitetit dhe njerëzores, të tejkalosh shumë sfida duke filluar nga paragjykimet, mentaliteti, rrethanat jetësore por megjithatë kur ia del të tejkalosh shumë nga këto, në një mënyrë rritesh dhe bëhesh më e pjekur për kohën në të cilën jeton dhe vetë jetën. Përgjatë këtyre proceseve doemos se kalitesh në një frymë më luftarake, merr energji të pafund dhe krijon një jetë shumë të pavarur, si femër do dish të luftosh të gjithë mbeturinat e një primitivizmi intelektual, do ndërtosh ura suksesi dhe roli yt si femër bëhet më i dinjitetshëm dhe me vlerë jo vetëm për familjen por edhe për një rreth më të gjerë shoqëror. Dhe kështu gradualisht zëri yt si femër sa vjen e bëhet më i fuqishëm për çështje madhore në të gjitha sferat e jetës ku vepron. Cili është mendimi juaj për stadin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare në të gjitha këndvështrimet duke përfshirë këtë faktorin e rëndësishëm grua, për të përmbushur të drejtat e saj në shoqëri dhe në zhvillimin ekonomik të vendit? Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm artistësh dhe intelektualësh në botë a mendoni se gjithçka duhet të përparoje me hapa më të shpejtë? Nga lëvizjet e mia të shpeshta në të dy anët e kufirit dhe shoqërisë së krijuar, tani më kam krijuar opinionin tim se nga të dy anët ka një kapacitet të madh intelektualësh, artistësh e kuadrosh tjera që përveç se po bëjnë, do mund të bënin ende më shumë për vendin e tyre. Jemi të vetëdijshëm se gjërat mund të ndryshojnë në të mirë me një lëvizje të një shkopi magjik, por gjithsesi kapaciteti njerëzor është i pranishëm, popullsia e re në moshë dhe elani i tyre për punë, mësim e dije lë për të shpresuar në një zhvillim të hovshëm e dinamik dhe doemos që duhen krijuar një infrastrukturë të mirë shoqërore dhe kushte më të mira e të favorshme shkollimi e punësimi. Kosova tani më e ka dëshmuar se është tokë ku njerëzit e mëdhenj mbijnë si lulet Dëshmojmë se është duke e ndërtuar të ardhmen e saj në mënyrën më të dinjitetshme duke i treguar botës se kush jemi dhe çfarë përfaqësojmë ne si komb. Artistët tanë po pushtojnë skenat botërore, sportistët po ashtu, shumë nga të rinjtë Kosovar dëshmojnë punën e mirë intelektuale në shtetet tjera që ata kanë zgjedhur të jetojnë dhe janë ambasador të denjë të vendit të tyre dhe përmes tyre po ndërron bindshëm opinion i botës ndaj shqiptareve. Shumica e këtyre nga sa u përmendën më lart vijnë nga gjinia e bukur apo bota femërore, kjo do të thotë se e ardhmja jonë është e ndritur, sepse femra është shtyllë e familjes dhe e shoqërisë duke kontribuar në edukim, arsimim dhe në çdo fushë të jetës. Shpresojmë që shteti të dije të krijoje kushte të mira dhe hapësirë të mjaftueshme për të gjithë ato dhe ata që duan dhe dijnë të japin kontributin e tyre . Ju faleminderit Znj. Liliana Faleminderit ju, e dashur pianistja, artistja simpatike Suzana. Ju uroj suksese të mëtejshme në rrugën e bukur të artit. Përgatiti Liliana Pere