Marie Logoreci, simboli i nënës shqiptare SHKRUAR NGA SOT.COM.A
Marie Logoreci është një nga emrat ikonë të kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Në jetën e saj artistike ajo shkëlqeu në çdo rol, duke merituar kështu një vend nderi në filmin dhe teatrin shqiptar. Me dhjetëra role në kinematografi dhe në skenën teatrore kanë mbetur të pavdekshëm për publikun shqiptar, i cili dhe sot e kujton si një nga emrat që solli personazhe dhe role nga më të ndryshmet në skenën teatrore dhe filmin shqiptar. Maria Logoreci ishte një nga shtyllat e rëndësishme të zhvillimit të teatrit dhe pati fatin e madh të shkëlqente në kohët e mëkëmbjes së Teatrit Kombëtar. Vitet ‘50-‘60-‘70 janë padyshim më të ndriturat, ato përbëjnë një epokë më vete, nga e cila dolën gjigandë të vërtetë të artit. Ndërkaq që paraqitja për herë të parë në film ishte tek “Skënderbeu”, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj”, dhe më pas në filmin e parë shqiptar “Tana”, “Toka jonë” etj. Emra të njohur të teatrit pohojnë se Marie Logoreci ka mbetur si një nga aktoret më të mëdha të Shqipërisë. Sipas tyre, ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të nënës shqiptare. Nuk mund të harrohet kurrë Marie Logoreci në rolin e Alisa Lengton te "Rrënjët e thella". Alisa e Maries është një vajzë kapriçoze, mondane, që ka vetëm një lustër të jashtme, që vetëm sa shqipton fjalët "barazi", "vllazëri", kurse në thellësi të shpirtit të saj është konservatore, e mbytur nga paragjykimet. Një sërë rolesh të tjerë të suksesshëm janë: Gertruda te "Hamleti", Ledi Milford te "Intrigë dhe dashuri", Zabelina te "Orët e Kremlinit", Mara te "Përkolgjinajt", Prenda te "Cuca e maleve", Tringa te "Shtatë shaljanët", Manushaqja te "Drita", Fatimja te "Halili dhe Hajria" etj.
Ad by Valueimpression
Për aktoren e madhe të filmit dhe teatrit shqiptar, Margarita Xhepa, nuk mund të vjetërohen kurrësesi fuqia dhe madhështia e grave, që ajo aq hijshëm diti t’i lartësonte në skenë. “Loket e saj shqiptare janë të pashoqe, të papërsëritshme. Teatri ynë duhet ta quajë veten fatlum që pati një aktore si ajo. Dashuria për teatrin, vullneti, përkushtimi, zëri i saj melodioz, gjykimi i saj çudibërës janë mishëruar në një varg rolesh përmendore. S’ka pluhur t’i mbulojë ato, s’ka kohë dhe sistem t’i venitë. Kur ke thënë Marie, ke pohuar krijuesin dhe njeriun bashkë. Është e vërtetë që këto nuk shquhen te kushdo, veçse ajo dinte t’u shërbente që të dyve, dinte t’i shkrinte mjeshtërisht ato, duke i skalitur nga roli në rol”, shprehet Margarita Xhepa, një tjetër ikonë e filmit dhe teatrit. Marie Logoreci (Çurcija) lindi më 23 Shtator të vitit 1920 në Shkodër. E filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndojë në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit Përgjithshëm të Shtetit.
Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë në skenën e teatrit ishte Elmira në komedinë “Tartufi” të Molierit. Sa i takon kinematografisë, ajo ka interpretuar në filmat “Dollia e dasmës sime” (1978), “Operacioni Zjarri” (1973), “Njësiti gueril” (1969)- Nëna, “Oshëtimë në bregdet” (1966)-Nëna, “Toka jonë” (1964), “Detyrë e posaçme” (1963), “Tana” (1958) - Nëna e Stefanit, “Fëmijët e saj” (1957)-Fatimeja, etj. Aktorja e mirënjohur Marie Logoreci ndërroi jetë në 19 qershor të vitit 1988 në Tiranë nga një atak kardiak, duke lënë pas një karrierë 40 vjeçare. Në vitin 1995 nderohet me çmimin e "Karrierës" në Festivalin e Filmit Artistik. Në vitin 1997 dekorohet me çmimin e Madh të Nderit.