SHEJNAZE JUKA - Heroinë e Popullit
Shejnaze Juka, qytetare e Shkodës, u lind në një familje me tradita atdhetare. Ajo, që kur ishte studente në Institutin Femëror “Donika Kastrioti” të Shkodrës, u ndikua nga ide revolucionare ngaqë njihej me Qemal Stafën, kishin lidhje familjare.
Shejnaze shkon në Itali, në Firence, për të vazhduar studimet, por i ndërpreu pas okupimit të vendit nag fashistët.
Erdhi përsëri në Shkodër dhe vazhdoi studimet në Institutin Fëmëror të Shkodrës, mori pjesë në disa demonstrata që u zhvilluan kundër okupatorëve fashistë.
Në vitin 1941 shkon në Tiranë, atje u bashkua me shoqe të tjera revolucuionare. Mori pjesë në shumë mbledhje, në shpërndarje komunikatash etj. Veprimtaria e saj u zbulua dhe shkoi në Elbasan te dajat e saj. Në Elbasan “Lumja” zhvilloi një veprimtari të gjithanshme.
Më 1 maj 1943 bashkë me 100 të rinj e të reja të shkollës Normale të Elbasanit dalin partizanë. Shejnaze Juka do të shquhej në disa luftime. Ra heroikisht më 18 shkurt 1944 në Zgosht të Çermenikës.
Shejnaze Jukës i është dhënë dekorta më e lartë – Hero i Popullit.
Mësuesja jonë e parë
Nga anët tona vinin vazhdimisht partizanë të çetës së Çermenikës prandaj ishim mësuar me ta, por partizania e re Lumja sikur na bëri për vete që në ditët e para. Vonë mësuam se emri i saj ishte Shejnaze Juka, kurse Lume ishte pseudonimi i saj i luftës. Mësuam dhe për veprimtarinë e saj revolucionare në Tiranë, Shkodër dhe në Elbasan. Ajo vishej herë si studente, herë me çarçaf të zi, herë si çobane apo fshatare…
Lumja ishte e gjallë, gazmore dhe shumë e përzemërt. Hynte në familjet tona si bijë e shtëpisë dhe niste e bisedonte me të gjithë, me të moshuarit, me gratë, të vegjëlit dhe sa bukur fliste! Sikur je rritur me neve, moj Lume, i buzëqeshnin nënat e gjyshet tona. Na dil përsëri se të duam si vajzën tonë, i thonin kur e përcillnin. Do të vij, mirë ju gjetsha, përgjigjej partizania gazmore. Më shumë i pëlqente të rrinte e të bisedonte me gratë, të rinjtë e të rejat, sidomos me fëmijët. Shejnazja lëvizte bashkë me efektivin e batalionit partizan nëpër fshatrat Orenjë, Zdrajsh dhe Gurakuq. Edhe kur nuk bëheshin veprime luftarake nuk qëndronte papunë. Ia fillonte punës si mësuese, siç kishte ëndërruar dikur kur ishte nxënëse në shkollën Femërore të Shkodrës dhe atë të Tiranës.
Në Orenjë ajo grumbulloi një tufë pionierësh, vajza e djem dhe nisi të na mësonte shkrim e këndim. U bë kështu mësuesja jonë e parë, hapi shkollën në Orenjë dhe njerëzit tundnin kokën me habi:
- Shkollë këtu në malësi, në këto ditë kur kërcet pushka?
- Po, do ta hapim shkollën, fëmijët do të mësojnë shkrim e këndim që të bëhen të ditur. Me lirinë do të fitojmë edhe diturinë, fliste entusiazte partizania e re.
Kur e bënim mësimin? Herë në një shtëpi e herë në një tjetër, ku të gjenim ndonjë dhomë disi të lirë. Kur filloi e u ngroh moti, mësimin e zhvillonim jashtë, në hijet e pemëve. Me se mësonim? Të pakët ishin ata që kishin gjetur ndonjë copë laps, disa fletë të bardha e copa letre. Me sa kursim i përdornim këto, se ku do të gjenim të tjera! Dikush se nga kishte siguruar një pllakë gjysëm të thyer e një copë plumçe. Mjeti kryesor për mësimet tona ishte sofra, merrnim një sofër të rrumbullakët nga ato që shtronim ne fshatarët për të ngrënë bukë, e mbështesnim përpara në mur ose në trungun e pemës dhe shkruanim mbi të me thëngjill të shuar. Sofra ishte “dërrasa jonë e zezë” dhe thëngjijtë ishin “shkumësat”.
Kjo ishte shkolla jonë në ato vite. Po me sa dëshirë mësonim. Në orën e caktuar mblidheshim të gjithë, asnjë nuk mungonte dhe prisnim mësuesen që vinte e armatosur dhe me yllin e kuq të partizanes.
Njëherë më kujtohet që erdhën te neve partizanët Fehmi Kotherja e Bardhyl Popa, ishim duke bërë mësim. Pasi biseduan me mësuesen, ata erdhën të na shikonin neve. Kush mund të shkruajë fjalën “Parti”, pyeti Fehmiu. Unë, u hodh i pari Shyqyri Balla dhe u çua, mori një copë thëngjill dhe shkroi me kujdes në sofër: “Partia”.
Atë ditë pasi ikën dy partizanët, ajo na foli me zjarr e dashuri për PKSH. Në fjalët e saj ne shikonim luftën e madhe çlirimtare që ishte ndezur kudo nëpër qytete e fshatra, ëndërronim të ardhmen tonë të lirë e të lumtur.
Lumja bënte me neve biseda të ndryshme, na tregonte ngjarje të shumta nga historia e popullit tonë, na fliste për Skënderbeun, Naim Frashërin, Vaso Pashën, Mihal Gramenon, Çerçiz Topullin, Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin etj. Plot zjarr na recitonte e na mësonte edhe neve vjersha të Naimit e të Çajupit, Fan Nolit e të Migjenit. Kur fliste mësuesja jonë partizane ne dëgjonim tërë sy e veshë, sepse ajo fliste thjesht, rrjedhshëm dhe të rrëmbente fjala e saj. Pas këtyre bisedave e tregimeve, zakonisht ajo na thoshte duke buzëqeshur:
- Tani të këndojmë. E mbani mend të gjithë këngën e re që mësuam këto ditë, dhe e niste vetë e para. Këndonim të gjithë bashkë me të dhe këndonim megjithë zemër. Sa këngë partizane e atdhetare mësuam ato ditë!
Dhe ne pionierët ndihmonim me ndonjë detyrë të vogël. Shikonim e vëzhgonim lëvizjet e armikut, sa ishin, nga vinin, nga shkonin, çfarë armësh kishin me vete dhe lajmëronim partizanët. Shëprndanim komunikata, se në Çermenikë ishte vendosur në atë kohë një shtypshkronjë, “shtypshkronja e Partisë” si e quanim ne malësorët. Herëpasherë mësuesja na mungonte, ne e dinim se do të kishte shkuar në ndonjë aksion dhe kur kthehej nuk na fliste për veten, por partizanët e tjerë na tregonin se sa trime ishte treguar Lumja kur çeta sulmoi autokolonën italiane në Qafën e Krrabës, kur goditi postën fashiste në Lunik dhe në aksionet e tjera.
Do të mbeten të paharruara ditët e para të gushtit 1943. Partizanët e Çermenikës kishin shkuar në aksion. Me ta sigurisht shkoi dhe Lumja dhe kur u kthyen partizanët, thanë me tërë dhimbje: “Na mbetën të vrarë partizani Shefqet Muço dhe Lumja”. Ky lajm i rëndë neve na ra në kokë, na u vra mësuesja. E kush mund t’i mbante lotët…!” E çfarë mund të na zbuste dhimbjen, jo vetëm neve nxënësve, por të gjithëve u erdhi shumë keq. Por në luftë ka ngjarje që duken si mrekulli, një mrekulli e tillë ndodhi dhe te ne atëherë, sepse pas tri ditësh Lumja ishte midis nesh, ç’kishte ndodhur? Kur partizanët sulmuan, Lumja ishte hedhur në radhët e para. Në të gdhirë aksioni mbaroi dhe partizanët u tërhoqën, por ajo mbeti atje, s’pati sesi të tërhiqej prandaj shokët e quajtën të vrarë. Mbeti gjithë ditën dhe vetëm në mbrëmje përfitoi nga errësira dhe arriti të shpëtonte. A mund të përshkruhet gëzimi ynë kur na erdhi përsëri mësuesja në fshat pas atij lajmi të kobshëm! Ajo, sikur të mos kishte ndodhur asgjë tronditëse, filloi përsëri të na jepte mësim, të na ngarkonte me detyra për luftën, të bënte mbledhje me gratë, fëmijët, të rinjtë e të rejat.
Gjatë Operacionit armik të Dimrit (1943-1944) mësuesja jonë partizane shkonte dendur në luftimet që bëheshin në rreth. Dhe një ditë nuk u kthye më se ra në fushën e betejës, aty ku sot ngrihet lapidari në kujtim të saj në Zdrajsh…