nj. Belinda Balluku ka lindur në Tiranë, në 9 tetor 1973. Ajo është nënë e dy fëmijëve, Colin dhe Belen.
Znj. Balluku para emërimit në detyrë si Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë ka mbajtur nga shtatori i vitit 2013 e në vazhdim pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në ALBCONTROL Sh.A., Agjencia Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë. Znj. Balluku është diplomuar me titull nderi nga IATA (International Air Transport Association) për Menaxhimin e Shërbimeve të Lundrimit Ajror (Air Navigation Services Management). Gjithashtu ka përfunduar me arritje të shkëlqyera Diplomën e Përgjithshme të Menaxhimit, pranë IATA, Miami, USA. Ajo mban titullin juriste dhe në vitin 1999 është diplomuar në Institutin Teknologjik të Athinës, në degën Administrim Biznesi. Znj. Balluku ka një sërë kualifikimesh të tjera në fushat e Sigurisë Ajrore, Telekomunikacionit, Burimeve Njerëzore, Menaxhimit të Qeverisjes Vendore dhe Drejtimit të Institucioneve Sociale. Gjatë kryerjes së detyrës së Drejtores së Përgjithshme të ALBCONTROL, Belinda Balluku është përzgjedhur si një nga 12 anëtarët e Bordit të Agjencive të Lundrimit Ajror (ANSB), pranë EUROCONTROL. Ky bord përfaqëson të gjithë grupet e interesit në menaxhimin e trafikut ajror dhe integrimin e tyre në strukturat drejtuese e vendimmarrëse të EUROCONTROL në mbështetje të Qiellit të Vetëm Evropian (SES).
Kontributi i znj. Balluku në fushën e aviacionit shqiptar është vlerësuar në mënyrë të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë, ajo ka nxitur bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë fqinje si dhe integrimin e ALBCONTROL në organizmat evropianë. Ka mundësuar realizimin e ndryshimeve të mëdha në ALBCONTROL duke synuar rritjen e standardeve dhe përafrimin e tyre me ato të Komunitetit Europian përfshirë realizimin e objektivave pan europiane si FRA dhe MLAT. Znj. Balluku ka një eksperiencë të gjerë edhe në fushën e telekomunikacionit e cila ka nisur në nëntor të vitit 2000, menjëherë pas privatizimit të kompanisë më të madhe shtetërore të telefonisë celulare AMC, sot Telecom Albania, pjesë e grupit T- DeutscheTelecom. Znj. Balluku ka mbajtur pozicione të larta drejtuese fillimisht si Drejtore e Kujdesit Ndaj Klientit ku dhe krijoi për herë të parë në Shqipëri shërbimin e Call Center, dhe më pas Drejtore e Marketingut. Gjatë kësaj periudhe dinamike për kompaninë AMC, znj. Balluku ka qenë pjesë e bordit vendimmarrës.
Në vitin 2004, znj. Balluku i është bashkuar stafit të Bashkisë së Tiranës, fillimisht si Këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më vonë si Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka udhëhequr zhvillimin e strategjive të komunikimit me publikun dhe mediat. Ajo ka qenë pjesë aktive për krijimin e ndërfaqes së pritjes së popullit dhe ka menaxhuar më pas me sukses koordinimin mes Kryetarit dhe drejtorive ekzekutive të Bashkisë së Tiranës. Prej vitit 2006, znj. Balluku ka qenë pjesë vitale e Partisë Socialiste. Ajo ka marrë pjesë në shtabet elektorale, ka organizuar evente të rëndësishme politike dhe ka drejtuar Kabinetin e Kryetarit gjatë periudhës janar 2011-janar 2012. Përgjegjësia sociale është një fushë ku znj. Balluku ka dhënë në vazhdimësi kontributin e saj duke qenë e pranishme përmes projekteve dhe nismave komunitare.