Në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Presidenti Ilir Meta vlerësoi dirigjenten e njohur Suzana Turku me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Meta e akordoi këtë vlerësim me motivacionin “në vlerësim të veprës artistike shumëvjeçare për krijimin dhe pasurimin e vlerave artistike në gjininë e muzikës operistike shqiptare; për realizimin me sukses, njohjen dhe vlerësimin e muzikës korale shqiptare, si krijimtari dhe interpretime, duke vënë në skenë brenda dhe jashtë vendit, vepra nga më të njohurat nga fondi i zgjedhur i krijimtarisë sonë dhe asaj botërore. Me mirënjohje institucionale për kontributet e saj të vyera si artiste e spikatur, si dirigjente e talentuar e korit të Universitetit të Arteve dhe njëkohësisht pedagoge frymëzuese e edukimit, krijimit dhe aktivizimit të talenteve të reja ndër breza”.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar dirigjentes Turku, familjarëve dhe kolegëve të saj, si dhe personaliteteve të artit e të kulturës, të pranishëm në ceremoninë solemne, Presidenti Meta tha se, “është privilegj për mua, që sot në 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Grave, të vlerësoj një nga personalitetet më të shquara të kulturës, të artit dhe muzikës sonë, zonjës Suzana Turku”.
“Një zonjë, që me vullnet të hekurt dhe me punë këmbëngulëse e plot pasion është bërë një shembull për të gjitha gratë shqiptare, duke thyer tabu e stereotipe dhe duke merituar një vend shumë të vlerësuar në shoqërinë tonë. Lidhjet e dirigjentes Turku me profesionin, dashuria e saj për punën dhe artin kanë qenë lidhje të forta shpirtërore”, – nënvizoi Meta.
Kreu i shtetit u shpreh se, “të jesh një grua dirigjente është e rrallë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende më të zhvilluara. Por zonja Turku e zgjodhi këtë profesion, duke iu përkushtuar atij me dashuri, duke besuar fort, se me punë dhe pasion arrihet gjithçka”.
“Në rrugëtimin e saj të gjatë në fushën e artit ka punuar pa bërë kompromise me profesionin dhe duke u frymëzuar nga shembulli i zonjave të shquara, paraardhëse të saj, drejtuese të korit si Jorgjia Truja apo Rozmari Jorganxhi.Gjatë gjithë karrierës së saj të gjatë dirigjentja Turku ka realizuar koncerte të suksesshme me muzikë të kompozitorëve më të shquar shqiptar si Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Limoz Dizdari, Tonin Harapi, Nikolla Zoraqi e shumë të tjerë”, – theksoi Meta.
Po ashtu, vijoi Presidenti, ka bashkëpunuar me mjeshtrat e dirigjimit si Rifat Teqja, Mustafa Krantja, Ermir Krantja, etj. për të vënë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit vepra madhështore botërore si “Traviata”, “Rigoleto”, “Trovatore”, “Carmen”, etj.
“Edhe pas viteve ’90-të zonja Turku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për artin, duke themeluar grupin e parë koral në Shqipëri. Për të vazhduar më tej me drejtimin e korit të vajzave dhe korin e të vegjëlve, e më pas dirigjimin koral në Akademinë e Arteve, ku vazhdon të japi kontributin e saj. Ndër të tjera, personaliteti i zonjës Turku, do të mbahet mend edhe për drejtimin dhe konsolidimin për një kohë të gjatë të politikave kulturore, ngritjen e nivelit profesional dhe përfaqësimin e denjë, që shpalosën institucionet e artit dhe kulturës, gjatë viteve kur ajo drejtoi e bashkëpunoi me komunitetin artistik në Shqipëri, në Europë edhe kudo”.
Ndërkohë, shtoi Meta, angazhimi i fortë për komunitetin i dirigjentes Turku është shpalosur edhe në këtë periudhë të vështirë pandemie, me organizmin e disa eventeve të ndryshme muzikore, në solidarizim me të gjithë qytetarët në këto momente të vështira.
“Në vlerësim të gjithë kontributit të jashtëzakonshëm shumëvjeçar, si dirigjente e drejtuese kori, si një nga personalitetet e muzikës, por edhe si një pedagoge me cilësi të larta akademike, që ka edukuar e frymëzuar breza të tërë të rinjsh, në rrugën e artit e muzikës, kam kënaqësinë të vlerësoj sot zonjën Suzana Turku me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” e t’i uroj suksese në të ardhmen”, – tha Meta.
Po ashtu, gjatë paradites Meta takoi tri gra guximtare, simbole të kurajos dhe energjisë së pashtershme, Flora Toto, Drane Cara dhe Vezire Meta, të cilat së bashku me shoqen e tyre Polikseni Vjeshta, kanë hyrë në historinë e aviacionit shqiptar, si të parat femra, të cilat 53 vite më parë thyen një tabu për kohën, duke u hedhur me parashutë.
Pedagoge dhe mësuese të përkushtuara të edukimit fizik për dekada ato kanë dhënë një kontribut të vyer për kalitjen sportive të brezave të rinj, duke e ruajtur edhe sot energjinë dhe entuziazmin e atyre viteve.
“Vetëm me mbështetjen dhe promovimin e vajzave dhe grave, krijimin e çdo hapësirë për të qenë të lumtura e të realizuara në jetë, duke ju garantuar mundësi për të konkurruar denjësisht në jetën profesionale e publike dhe pa lejuar keqpërdorimin e tyre nga politika, Atdheu ynë i përbashkët do jetë edhe më i bukur, më i dashur dhe më frymëzues.
E ardhmja u përket Guximtareve!” – u shpreh Meta.
Meta dekoron 3 gazetare të spikatura
Po ashtu, me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie solemne, tre zonja gazetare të spikatura, Afërdita Selimajn, Violeta Durin dhe Iva Hoxhën.
Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” zonjën Afërdita Selimaj, me motivacionin: “Me mirënjohje për kontributin e vyer si gazetare dhe drejtuese e Departamentit të Informacionit në ‘Radio Tirana’. E para grua në krye të Lidhjes së Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë, e cila me zërin e saj të spikatur dhe aftësinë në drejtimin e emisioneve të lajmeve, u shndërrua në njërën prej figurave më të ndjekura në valët e ‘Radio Tiranës’, brenda dhe jashtë vendit.”
Zonja Violeta Duri, u nderua gjithashtu me titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në vlerësim të merituar për punën dhe angazhimin profesional si gazetare radiofonike. Një nga profesionistet më të dashura për dëgjuesit e ‘Radio Gjirokastra’ në jug të vendit, si dhe për kontributin e spikatur në fushën e gazetarisë, jo vetëm nëpërmjet edukimit universitar të brezave më të rinj, por dhe për gjurmët e lëna në shtypin e shkruar, përmes artikujve të botuar dhe punës si redaktore e shumë emisioneve radiofonike.”
Ndërsa zonja Iva Hoxha u çmua me Titullin ‘Naim Frashëri’, me motivacionin: “Me mirënjohje për prezantuesen ikonë përgjatë tri dekadave të ‘Televizionit Publik Shqiptar’, Me aftësitë e saj shprehëse dhe shqiptimin e pastër, hyri jo vetëm në shtëpitë e çdo shqiptari, por edhe në zemrat dhe mendjet e tyre, duke u shndërruar në simbolin e emisioneve të përditshme informative”.
“Mënyra më e mirë për të nxitur guximin dhe kulturën e punës, veçanërisht tek vajzat dhe brezi i ri është përmes dhënies së shembujve. Ju keni pasur këmbënguljen të shpaloseni me zërin, figurën dhe personalitetin tuaj përpara shoqërisë, duke përmbushur një mision fisnik, atë të informimit të qytetarëve”, u shpreh Meta gjatë ceremonisë.
Ikonë e ‘Radio Tiranës’, Afërdita Selimi, që me punën e saj të shkëlqyer si gazetare terreni dhe dëshmitare e shumë ngjarje historike, që shënjuan Shqipërinë e pas Viteve 90’ dhe ajo diti të ishte një profesioniste e shkëlqyer.
Violeta Duri, gazetare e ‘Radio Gjirokastrës’, një zë dhe figurë e dashur për jugun e vendit, e cila nëpërmjet valëve të radios diti të hynte në shtëpitë e çdo gjirokastriti, por jo vetëm. Shkrimet e saj në gazetën ‘Drita’ ishin ushqimi i çdo njeriu për t’u informuar.
Iva Hoxha, ikonën e Radio-Televizionit Publik Shqiptar, që me zërin, thjeshtësinë dhe me elokuencën e saj, mbërthente para ekranit të vogël mijëra shqiptarë në orët e mbrëmjes. ATSH
Iva Hoxha