Ylfete Fanaj
Politikane
Me 3925 vota të mbledhura nga banorët me të drejtë vote të qytetit të Lucernit, ajo ka fituar të drejtën të përfaqësojë elektoratin dhe partinë e saj (socialdemokrate) në Parlamentin e Kantonit të Lucernit. Ky hap e bën Ylfeten shqiptaren e parë të Zvicrës që ka mbërritur në këtë shkallë.
Por kush është Ylfete Fanaj dhe cila është rruga që ajo ka ecur deri në zgjedhjen deputete në parlamentin e kantonit të saj? Për këto dhe të tjera, albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me deputeten e re të kantonit të Lucernit.
Lidhur me zgjedhjen e saj, Ylfetja sqaron se ajo në këtë proces ka përfaqësuar Partinë Socialdemokrate të qytetit të Lucernit. “Me vendin që kam fituar unë në parlament jemi bërë 5 deputetë të SP-së nga qyteti i Lucernit. Ndërkaq në nivel kantoni, nga 13 sa kemi qenë, tash, së bashku edhe me kandidatët e zgjedhur nga juso (socialdemokratët e rinj) dhe nga second@s, që bëjnë pjesë në listën tonë, jemi 16, që dmth kemi 3 vende më shumë”, shton deputetja e re.
Në një kanton relativisht konservativ çfarë është ai i Lucernit, bashkatdhetarja jonë nuk e ka pasur lehtë të depërtojë. “Veç meje janë edhe gjithsej dy të huaj, një tamil dhe një turk, në gjithë parlamentin. Me sa kam parë, nuk ka emra të tjerë të hujash që janë zgjedhur kësaj here”, thekson Ylfetja.
Në fillim të qershorit bëhet konstituimi i parlamentit, Fanaj do të shohë se në çfarë drejtimi do të angazhohet në punën e saj si parlamentare. “Unë gjatë fushatës kryesisht jam marrë me temat e shkollimit, integrimit, ku hyn edhe integrimi i shqiptarëve si komunitet i madh këtu. Mirëpo varet nga partia se në cilat komisione na vendos, ose cilat komisione na ofrohen. Ka mundësi të angazhohem edhe në komisione tjera, për ekonomi etj. Varet pra nga organizimi i grupit partiak (fraksioni)”, thotë ajo.
Si e re që është (ende nuk ka mbushur 29 vjeç) Fanaj e vlerëson edhe moshën e deputetëve të kësaj legjslature, si një përparësi. “Në fraksionin tonë kemi një moshë të re mesatare. Tre veta jemi nën moshën 30 vjeçe dhe disa tjerë rreth të 30-ve.
E pyetur nëse ka pasur ndonjë rol për zgjedhjen e saj deputete vota e shqiptarëve të Lucernit, Ylfetja pohon se mund të ketë pasur por nuk ka ndonjë masë për ta vlerësuar këtë. “Unë besoj se me siguri ka pasur shqiptarë me të drejtë vote që kanë votuar për mua por, realisht, më duhet të them se nuk kam zhvilluar aktivitete konkrete për të sensibilizuar komunitetin shqiptar rreth votimit për mua. E di se ka nga bashkatdhetarët tanë që nuk kanë qenë sa duhet të informuar rreth mënyrës së votimit dhe pengesa tjera. Megjithatë kam informata se disa miq dhe shokë shqiptarë kanë votuar për mua. Sidoqoftë, me gjithë dëshirën që kam, unë nuk mund të vlerësoj se sa ka qenë ndikimi i votës së shqiptarëve”, thotë deputetja e posazgjedhur dhe nuk harron që t`i falënderojë të gjithë bashkatdhetarët që e kanë votuar.
Me zgjedhjen e saj në Parlamentin e Kantonit të Lucernit, Ylfetja është gjetur edhe para një dileme të vogël: të mbajë edhe më tutje vendin në parlamentin e qytetit të Lucernit, ku ajo gjendet prej afër 4 vitesh, apo të përqendrohet vetëm në postin e ri, në Parlamentin e kantonit. Sepse, siç e thekson ajo, angazhimet e shumta mund ta bëjnë më pak efektive punën e saj në përfaqësimin e elektoratit të saj. Ylfete Fanaj krahas angazhimit politik, punon edhe si e deleguar për integrim në Kantonin e Nidwalden-it.
Ylfete Fanaj është e lindur në Prizren në vitin 1982. Në Zvicër e kanë sjellë prindërit në fëmijërinë e hershme dhe ajo ka mbaruar gjithë shkollimin në Zvicër ku edhe i ka mbaruar shkencat sociale.
Lidhur me ambiciet e saj për të ardhmen, Ylefte Fanaj nuk ushqen iluzione të mëdha. Ajo është realiste në këtë drejtim. Për ndonjë perspektivë eventuale në Parlamentin Nacional, ajo thotë se është ende heret të mendohet.
Kjo për arsyen se partia e saj në kantonin e Lucernit ka vetëm një vend në Parlamentin në fjalë kështu që nuk do të ishte realiste të pritej që në një të ardhme të afërt ajo të mbërrijë deri aty. Mirëpo, «unë jam ende e re dhe ka mjaft hapësira tjera ku mund të avancoj”, thotë ajo, duke pasur ndërmend p.sh inkuadrimin në ekzekutivin e qytetit ose të kantonit.
Blerim Shabani